E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi, shpallen 5 kompanitë fituese të tenderit të kasave

• Janë shpallur dje pesë kompanitë fituese, të cilat do të kryejnë vendosjen e kasave regjistruese tek biznesi.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Financave pasi analizoi të gjitha ofertat e kompanive, ka shpallur fitues pesë shoqëri për t’u pajisur me autorizim “Shoqëri e Autorizuar”, nga Ministria e Financave. Vendin e parë e ka fituar kompania ‘a.e.Distribution Sh.p.k’, ndërsa vendet e tjera janë fituar nga ‘I.v.a. Elektronik Sh.p.k’, ‘BNT Elektronic Sh.p.k.’, ‘CkV-NOKI’ dhe shoqëria ‘Rilindja sh.p.k’. Pak ditë më parë në një deklaratë për mediat kreu i Ministrisë së Financave, Ridvan Bode, u shpreh se brenda këtij muaji do të nisë vendosja e kasave regjistruese për biznesin. Procesi i vendosjes së kasave do të përfundojë brenda këtij viti. Me vendosjen e këtyre kasave biznesi do të jetë i detyruar që çdo transaksion shitblerjeje ta shoqërojë me faturë tatimore. Kjo vlen edhe për bizneset e vogla. Sipas projektligjit të ri “Për procedurat tatimore”, shitësi është i detyruar që çdo mall që shet ta regjistrojë në kasë dhe për çdo shitje që ai kryen blerësit duhet të marrin kuponin tatimor. Sipas projektligjit të ri, në rast se shitësi do të shesë mallra pa faturë tatimore atëherë ai do të gjobitet. Por përveç kësaj projektligji ri parashikon gjobitje edhe për blerësit. Nëse inspektorët tatimorë vërejnë se blerësit nuk marrin kuponin tatimor atëherë ata do të dënohen me një gjobë prej 1.000 lekësh.  Në fakt, procesi i vendosjes së kasave ka nisur vite më parë, por që për fat të keq dështoi. Në këto kushte ekspertët e Ministrisë së Financave vendosën që ky proces të fillonte sërish.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›