E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamos e Partizanit nuk u falen më hapat e gabuar

• Java e 27-të e Kategorisë Superiore ka katër sfida dominuese për fatet e verdikteve të Kampionatit të 69-të Kombëtar të

Futbollit, si në “katet e sipërme”, ku Dinamo e Partizani luftojnë për titull, ndërsa “katet e mbijetesës” të katër skuadrat do të ballafaqohen midis tyre, ku më përcaktuese është ajo: Besëlidhja-Kastrioti. Një sfidë ku do të luhet për jetë a vdekje dhe që do të ketë ndikim në renditje. Besa do të presë Tiranën në Kavajë, një takim që mund të përcaktojë shumë përsa i përket zonës së Kupës Intertoto. Kjo javë do të shënojë edhe debutimin e dyshes drejtuese kavajase Berati-Haxhiaj në ndeshjen Besa-Tirana. Bardheblutë ndihen të qetë pas tre fitoreve rresht, dy në kampionat e një në Kupë, ku thuajse janë në finale, pas fitores 3-0 në Elbasan. Dinamo, pas humbjes me Kastriotin kërkon fitoren me Flamurtarin, ndërsa të kuqtë, pas humbjes së thellë me vlonjatët, do të përballen me Shkumbinin, e rreshtuar si aleat i bluve. Ekipeve kryesuese nuk u lejohen më hapa falsë, pasi e kanë ngadalësuar shumë hapin gjatë dy javëve të fundit dhe rrezikojnë të lëshojnë terren. Të paktën, për këto dy takime nuk ka pasur zëra për kompromise, kur dihet mirë se me afrimin e javëve të fundit kampionati shqiptar i futbollit karakterizohet nga marrëveshje të heshtura mes “klaneve”. Vllaznia, thuajse e kualifikuar për në finalen e Kupës së Shqipërisë, pret Elbasanin thuajse të eliminuar nga gjysmëfinalja. Rikthimi, ose më mirë, moslargimi i trajnerit Krenar Alihmehmeti, i obligon verdheblutë të luftojnë fort për pikë të plota në “Loro Boriçi”. Shkodranët nga ana e tyre kanë bërë të ditur se do të luajnë fort, pasi pretendojnë të kenë në xhep edhe vendin e tretë në kampionat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›