E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bilancet e bizneseve s’do pranohen pa sigurimet”

• Administrata tatimore ka urdhëruar të gjithë bizneset që së bashku me bilancet të dorëzojnë edhe numrin e sigurimit shoqëror për çdo punonjës.

Fabiola Çela

Në rast të kundërt, tatimorët nuk do t’u pranojnë bilancet. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, nëndrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Astrit Hado, ka shpjeguar në detaje të gjitha hapat që po ndjek ISSH-ja në lidhje gjenerimin e numrave të sigurimit shoqëror dhe rëndësinë e tyre.
Çfarë përfaqëson numri i Sigurimit Shoqëror?
Numri i Sigurimit Shoqëror është një numër i vetëm, që e shoqëron personin gjatë gjithë jetës së vet. Ai është një numër personal identifikimi për qëllime të sigurimeve shoqërore. Teknikisht ai është i kompozuar në 10 karaktere dhe është unik, i patjetërsueshëm. Ligjërisht, me këtë numër duhet të pajisen të gjithë personat që kanë mbushur 16 vjeç. Ky numër do të shërbejë si numër çelës në të gjithë bazat e të dhënave të ISSH-së për krijimin e llogarive personale të kontributeve. Lidhur me këtë proces, prej disa kohësh nga ana e organeve tatimore nuk pranohen  listë-pagesat mujore pa pajisjen e të gjithë personave me numrin e Sigurimit Shoqëror. Nga ana e ISSH-së janë marrë të gjitha masat për gjenerimin dhe shpërndarjen sa më të shpejtë të këtij numri për të gjithë kërkuesit. 
Në ç’fazë është aktualisht pajisja me këtë numër dhe kush e pajis një qytetar me numrin e sigurimit?
Aktualisht, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka gjeneruar rreth 1 milion e 100 mijë numra sigurimi për punëmarrësit, të vetëpunësuarit urban dhe ruralë (fermerët) dhe pensionistët. Të drejtën për gjenerimin e NSSH-së e ka ISSH-ja. Pra, i vetmi institucion që pajis me numër sigurimi është Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Për t’u pajisur me këtë numër, punëmarrësit, punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit paraqesin kërkesën pranë drejtorive Rajonale për pajisjen me numrin e Sigurimit, duke plotësuar një formular me të dhënat e nevojshme për gjenerimin e tij si, emër, atësi, mbiemër, datëlindje, emrin e subjektit ku janë të punësuar ose vetëpunësuar dhe numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT). Drejtoritë rajonale i përcjellin këto kërkesa në ISSH, e cila gjeneron numrat për aplikuesit. ISSH më pas përcjell në rrugë elektronike në Drejtoritë rajonale numrat e gjeneruar. Pra, kërkuesi do ta tërheqë numrin e sigurimit pranë drejtorisë që ka bërë kërkesën.
Çfarë ka sjellë të re numri i Sigurimit. Pra, a ka një rezultat konkret të këtij projekti?
Së pari, numri i sigurimit është mjet identifikimi për të gjithë kontributet e paguara. Përmes këtij numri mund të verifikohen kontributet e paguara nga punëdhënësit. Në të ardhmen, ky numër pritet të shërbejë si një çelës për këdo që kërkon t’i kontrollojë, qoftë edhe në mënyrë online, kontributet.
Së dyti, përdorimi i këtij numri sigurimi, bëri të mundur evidentimin e rasteve të përfitimit të padrejtë për trajtimet e veçanta. Sipas ligjit, kush rifutet në marrëdhënie pune, e humb këtë përfitim dhe rikthehet në këtë skemë vetëm nëse humb punën. Por, pas gjenerimit të numrave të sigurimit, rezultoi se, rreth 400 ish-ushtarakë dhe 150 ish-minatorë, e përfitonin këtë trajtim edhe pse ishin të punësuar, gjë që çoi në ndërprerjen e këtyre përfitimeve. Gjithashtu, janë evidentuar edhe raste në pensionet e pleqërisë me ndryshime të ditëlindjes, me qëllim përfitimin e pensionit të pleqërisë përpara mbushjes së moshës të daljes në pension. Nga ana jonë është në proces përfundimi i gjenerimit të numrit të Sigurimit për të gjithë pensionistët, gjë që pritet të shmangë të gjitha përfitimet e padrejta, që mund të kenë ndryshime në datëlindje apo në të dhëna të tjera, që lidhen me vitet e punës. Unë do t’i bëja thirrje të gjithë kontribuuesve të pajisen me libreza të kontributeve të Sigurimeve Shoqërore në të cilën do të jetë i shënuar edhe numri i sigurimit shoqëror. Pajisja me librezë do të shmangte përsëritjen e kërkesave për numër sigurimi nëse punëmarrësi do të ndërronte vend pune.
Ju përmendët bllokimin e disa përfitimeve të padrejta. Çfarë masash të tjera keni marrë ndaj përfituesve të padrejtë?
Përveç ndërprerjes së pagesës në rastet e konstatuara, llogaritjes së dëmit të shkaktuar fondeve të Sigurimeve Shoqërore janë marrë masat për rikuperimin e dëmit. Për të gjitha rastet e konstatuara me falsifikime dokumentesh është ndjekur rruga ligjore. Ne besojmë se informatizimi i sistemit, që ka nisur, do të realizojë pastrimin e skemës nga përfitimet e padrejta. ISSH është në proces të ndërtimit të arkivës së centralizuar të sistemit, pasi qenia e një pjese të madhe të dokumentacionit jashtë arkivave të ISSH-së ka qenë burim i informalitetit.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›