E Diel, 1 Nëntor 2026

Ajaksi përballë Shevçenkos, Samp"peshkon" Verderin



Shorti i Ligës së Kampioneve, i hedhur në Nion ka përplasur gjermanët e Verder Bremenit me italianët e Sampdorias. Kjo shihet si sfida më e fortë e këtij turi kualifikues duke mos anashkaluar edhe përballjen Ajaks-Dinamo e Kievit. Holandezët mungojnë në fazën e grupeve që nga edicioni 2005-2006 ndaj këtë herë shpresojnë që të mos zhgënjejnë edhe pse përballë do të kenë një skuadër aspak të lehtë për t'u kaluar. Sulmi i Dinamos përveç të tjerëve formohet edhe nga ish-sulmuesi i Milanit dhe i çelsit, Andrij Shevçenko, golashënuesi i tretë më i mirë në këtë kompeticion, me 58 gola. Ukrainasit eliminuan në mënyrë komode Gentin me rezultatin e përgjithshëm 6-1 në raundin e tretë, ndërkohë që Ajaksi mposhti PAOK-un e Selanikut me më shumë gola në fushën kundërshtare, pasi rezultati i përgjithshëm përfundoi në barazim 4-4.

Supersfida
Ndeshja më e rëndësishme pritet të jetë Verder Bremen-Sampdoria, kjo edhe për atë çka përfaqësojnë këto dy skuadra. Sampdoria shpreson të kualifikohet për herë të parë në Ligën e Kampioneve. Formacioni i Serisë A ka qenë për herë të fundit në Champions League në sezonin 1991-1992, kur ajo humbi me Barcelonën. Italianët kanë humbur trajnerin Luixhi del Neri, i cili kaloi te Juventusi, por kanë ruajtur pak a shumë skuadrën e sezonit të fundit e cila surprizoi të gjithë analistët sportivë. Takimi më i rëndësishëm që i dha Sampdorias vendin e katërt në Serie A ishte fitorja në "Olimpiko" ndaj Romës, duke i hequr kësaj të fundit edhe kryesimin e kampionatit. Nga ana tjetër, Verder është po ajo e sezonit të kaluar, me po ata lojtarë duke mbajtur edhe talentin e vet, Mesut Ozil. Trajneri Tomas Shaft do të vazhdojë t'i besojë fanatazisë së turko-gjermanit të shumëkër-kuar nga skuadra elitare, por pa arritur në asnjë ofertë konkrete që të kënaqte edhe klubin e Verderit. Teksa sulmi do t'i besohet sërish portugezit Hugo Almeida, i kërkuar së fundmi edhe nga Lacio.
Derbet rajonale
Në ndeshjet e tjetra Totenhami do të luajë ndaj zviceranëve të Jang Bojs, të cilët kanë marrë pjesë për herë të fundit në këtë kompeticion, 48 vjet më parë. Në këtë fazë të Ligës së Kampioneve do të luajnë edhe Braga kundër Seviljes dhe Zenit Shën Petersburgu kundër Oskerit. Kampionia e çekisë, Sparta e Pragës, do të përballet me fqinjën e saj nga Sllovakia, Zilina dhe Rozenborgu do takojë Kopenhagenin në një ndeshje të gjithë skandinave. Tri përballjet e fundit mund të konsiderohen pa frikë si ndeshje derbi, duke parë edhe afërsinë mes shteteve dhe përplasjet mes tifozërive. Ndeshjet e para do të luhen në datat 17-18 gusht, ndërsa ato të kthimit vetëm pas një jave, 24-25 gusht. Dhjetë fituesit do të bashkohen me 22 ekipet që janë kualifikuar direkt për në fazën e grupeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›