E Diel, 1 Nëntor 2026

Ajazi: “Giffoni-Albania u sjell fëmijëve atë që tmerrësisht mungon”

Nga Dhurata Hamzai

Edicioni i katërt i festivalit të filmit për fëmijë “Giffoni-Albania” vazhdon me shfaqjet e programuara. Zanafilla e një festivali të tillë ka qenë para 38 vitesh në Itali dhe ende sot ai mbetet ndër festivalet më të rëndësishëm për fëmijë dhe të rinj. Sekreti i suksesit të këtij festivali që tashmë në Shqipëri ka degën e tij katërvjecare me producent Namik Ajazin është tek formati i tij; protagonistët, shfaqjet dhe pjesëmarrësit janë fëmijët dhe të rinjtë nga mosha 12 vjeç deri në 18 vjeç. Pas shfaqjeve që shënojnë vitin e dytë në qytetin e Elbasanit, këtë javë fëmijë dhe adoleshentë po ndjekin shfaqjet në kinema “Imperial” të Hotel Sheratonit. Këto ditë të festivalit për ta ka histori fantastike dhe aventura emocionuese si tek filmi “Një urë për në Terabithia” që vjen nga SHBA. Madje aq emocionuese është kjo histori sa fëmijët mundet të kenë ëndërruar në 35 minutat e shfaqjes së tij për të shkuar në tokën magjike për t’i shpëtuar edhe realietit të vrazhdë ashtu si dy personazhet Jess dhe Leslie. Ka dhe histori të tilla në filmat që kanë sjellë jo vetëm producentët nga SHBA, por edhe Danimarka, Suedia, Australia, Italia, Finlanda, Gjermania, Bullgaria, etj. Kështu që për fëmijët ka edhe histori si ajo e një 13 vjeçareje ambicioze në filmin “Hey, Hey qenka Ester Blueburger”. Ka edhe filma të tilla si “Gracie ëndrra ime e madhe”, që ka personazh një vajzë të bukur që sfidon me vetbesimin e saj aq, sa lë pas dore jetën personale. E kjo mundet t’i ndodh çdo adoleshenti apo fëmije në botë. Ka filma që tregojnë se çfarë ngjet me botën e fëmijëve kur vdes njëri nga prindërit, ose kur prindërit divorcohen, grinden, ose kur pëson disfatë nga shokët në jetë, ose kur lëndohet nga sjellja e vrazhdë në shkollë e në rrugë, ose kur fëmija nuk shumë i shëndetshëm, ose kur ka një handikap, qoftë ky dhe më i zakonshmi miopia e syve. Këto ngjarje që u serviren fëmijëve në artin kinematografik marrin vlerën e një historie të bukur, që i bënë ata të ndihem mirë. Fëmijëve u ngjajnë shumë gjëra të pakëndshme, që lënë gjurmë të mëdha në jetën e tyre, e jo vetëm atyre që jetojnë në Shqipëri, por fëmijëve në të gjithë botën. Giffoni-Albania zgjon ëndrra fëmijësh, sepse në filmat që vazhdojnë të shfaqen ka dhe episode nga jeta e tyre në shkollë, rrëfenja për ndjenjat dhe emocionet e para, ka shumë histori të tjera pafund. Prurje interesante, që tmerrësisht kanë munguar... Sa shumë u paskan mnuguar fëmijëve dhe adoleshentëve këto histori, temat dhe personazhet nga jeta e tyre. Ku do t’i gjenin fëmijët dhe adoleshentët të gjitha këto, kur duket se nuk mendon askush për ta. Po t’u hedhësh një sy TV-së dhe emisioneve dhe filmave të munguar për ta, kujtohesh se as në parlamet nuk ka pasur ndonjë debat të kësaj natyre, ose ndonjë ide se si rriten e edukohen fëmijët shqiptarë sot. Nuk ka një status ose standart rreth atyre që duhet të shohin, ose jo fëmijët dhe moshat e reja, në ekran dhe TV. Edhe në shoqëri ata..., ju..., ne... prindërit vetë dhe të tjerë... kemi aq vëmendje për t’i dëgjuar sa në fakt tmerrësisht mungon. Madje, prindër janë edhe kineastët shqiptarë, të cilët që prej “kohës” së të mirënjohurës dhe të ndjerës Xhanfise Keko, për gati 20 vjet a më shumë, nuk kanë bërë ndonjë film për fëmijë. Ndoshta sepse filmi për fëmijë nuk i bën dot të ëndërrojnë për të shkelur në tapete të kuq trofesh. Edhe me filma për të rritur po ata kineastë që ëndërrojnë tepër nuk do të shkelin ende, por duket se u vjen më mbarë të ëndërrojnë edhe pa bërë gjënë e duhur, shfaqjen-filmin për fëmijë, atë që tmerrësisht mungon. Ndoshta këtë vëmendje të munguar për fëmijët dhe adoleshentët do të mundet ta zgjojë festivali i filmave për fëmijë “Giffoni Albania” me producent Namik Ajazin. Një pjesë të kësaj të vërtete e mësojmë nga intervista me producentin e festivalit Namik Ajazi, një pjesë koha do ta tregojë.

Festivali “Giffoni Albania” po zhvillohet për herë të katërt në Shqipëri dhe këto ditë po jepen shfaqjet në kinema “Imperial” në Tiranë, pasi shfaqjet e filmave kanë bërë turin e tyre në qytetet e Shqipërisë; Sarandë, Durrës, Shkodër, Elbasan, etj. Kjo veprimtari mbyllet më 18 tetor në Tiranë, në natën “Gala” në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku parashikohet të mblidhen mbi 150 fëmijë. Anëtarët e jurisë të festivalit janë vetë fëmijët, të zgjedhur nga shkollat e qytetit. Këtë vit në festivalin “Giffoni Film Albania 4” konkurojnë 12 filma për fëmijë e të rinj nga mosha 12-18 vjeç. Namik Ajazi pohon se në natën “Gala” të festivalit do të marrë pjesë edhe këngëtari i njohur italian Simone Cristicchi. Festivali i sivjetëm do të ketë një çmim të madh për regjisoren e ndjerë Xhanfize Keko, një nga emrat më të mëdhenj të filmit shqiptar për fëmijë, e cila ka qenë për tre edicionet e para presidentja e nderit e këtij festivali.

Intervista

Dhurata Hamzai: Festivali ndërkombëtar i filmit për fëmijë “Giffoni-Albania” po afron në finalen e tij. Le të flasim konkretisht sa ditë festival, sa shkikues ka pasur, sa filma janë shfaqur?

Namik Ajazi: -Megjithëse unë mendoj që shifrat jo gjithmonë janë tregues, meqë ju ma bëtë pyetjen me shifra dhe unë po filloj të rendis shifrat fillimisht. Duhen përmendur si arritje dy edicione e sivjetshme të Giffonit që u bë në Shqipëri, pra “Prolog Giffoni” dhe faza finale që e kemi quajtur këtë të tashmen, që do të kurorëzohet me natën finale të ndarjes së çmimeve. Janë rreth 20 ditë festival. Pra ishin dhjetë ditë në qershor në qytetet turistike në Sarandë, Pogradec, Durrës dhe tashmë kemi filluar fazën finale në Elbasan, në Durrës, në Shkodër dhe përfudojmë në Tiranë. Pra janë 20 ditë festival të ndara në dy faza dhe në total janë rreth 20 fëmijë dhe të rinjë të cilët kanë parë filmat, kanë diskutuar mbi to dhe do të jenë ata që do t’i vlerësojnë me çmimet që do të ndahen në datën 18 tetor në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Në Shqipëri siç e dini dhe ju bëhen shumë festivale ndërkombëtare. Që këto festivale të jenë cilësore dhe produktive nuk ka asgjë të keqe. Pra bëhet një festival ndërkombëtar teatri, pikërisht kur Shqipëria, vendi organizator nuk përfaqësohet dot me teatër, bëhet një festival filmi, kur Shqipëria vendi organizator nuk ka gjasa që të përfaqësohet me filmin. Si do ta komentonit ju faktin që sot në Shqipëri bëhen festivale pa produksione vendase?

Namik Ajazi: -Unë mendoj që në Shqipëri duhet të jenë të mirëpritura ato formate festivalesh të cilat bëhen të asimilueshme, bëhen pjesë e kategorive të ndryshme të artit të cilëve u drejtohen. Në rastin konkret dhimbja, për të mos shqetësimi ynë, është se ne kemi qenë të detyruar ta sjellim këtë festival në 2005-ën, në edicionin e parë, me qëllimin final që ne t’i kthehemi prodhimit të filmave për fëmijë dhe të rinj, produksionet e të cilave këtu mungojnë prej 20 vjetësh. Tmerrësisht mungojnë..! Pra ne jemi koshient që ardhja e këtij festivali mbush një boshllëk të madh që ne kemi ndaj këtyre dy kategori moshave. Pasi ne nuk prodhojmë më asgjë për ta. Kinemaja e madhe nuk prodhon asgjë për ta, as televizioni po se po, nuk prodhon asgjë për ta. Por ne flasim për kinemanë meqë jemi në linjën e kinemasë. Pra, që kur ka ardhur ky festival, ka ardhur me qëllimin dhe me dëshirën për të mbyllur këtë boshllëk, në një farë mënyre, që krijon tek këto grupmosha mungesa e filmit në ekranet e mëdha dhe për këtë mendoj se dashamirësia e organizatorit të festivalit mëmë “Giffoni” në Itali, Claudio Gubitosi-t, në radhë të parë është transmentuar edhe tek krijuesit dhe stafi i festivalit të cilin unë e drejtoj. Ka qenë pikërisht kjo që ne kemi sjellë prodhimet më të mira të kinemasë dhe të filmit për të rinj të viteve të fundit dhe ua kemi bërë prezent fëmijëve dhe të rinjve shqiptar në këto katër vjet dhe them që rezultati, po t’i kthehemi gjuhës së filmave është tejet intresant dhe ne në katër vjet në këtë festival kemi mbuluar pothuajse të gjithë qytetet kryesore shqiptare duke i pasur pjesë të festivalit, jo thjesht shikues. Ndryshon shikuesi nga ai që e shikon filmin dhe që jep dhe çmimin për filmin. Kemi pasur pra të aktivizuar në staf rreth 30 fëmijë, 20 fëmijë. Pra është një tregues shumë i prekshëm, i dukshëm dhe mendoj që i ka bërë mirë duke synuar dhe duke mos pushuar së thëni që ne duhet t’i kthehemi filmit për fëmijë dhe të rinj. Duhet të paktën që njëherë në dy vjet qendra ndërkombëtare e filmit, bordi që ajo ka financuar duhet të projektojë një film për këto grupmosha, sepse kanë edhe ata problemet e tyre. E meritojnë të jenë në ekranin e madh ashtu siç e meritojnë edhe gjinitë e tjera, të cilat Qendra Kombëtare e Kinematografisë i bashkëfinancon.

Dhurata Hamzai: Ja pra sapo ju ndalët tek një problem shumë i madh. Keni katër vjet që ju po merreni me këto filma, ndërkohë që janë mbi 15 vjet që po rritet një brez që ka mundësinë e vetme të shikojë “paçavure” telenovelash, të krijuara me artificitet dhe histeri personazhesh, me shfaqje dhune dhe imoraliteti të servirur përmes lotëve si ndjenjë sentimentale dhe heroizmi. Si e keni ndjerë ju si e keni perceptuar ju më parë këtë mungesë kaq të madhe dhe këtë dëm që sjellin për fëmijët dhe të rinjtë shfaqje të tilla në ekran?

Namik Ajazi:-Unë mendoj dhe e kam thënë dhe tjetër herë që në këtë periudhë të gjatë tranzicioni në të cilën ne fatkeqësisht jemi, por unë mendoj së paku që jemi në kapërcyell, shpresoj të paktën, problemet janë të shumta. Nuk më takon mua të vendos dhe them, por mendoj si qytetar në radhë të parë dhe pastaj si krijues se ajo që u serviret në ekran, këtu në Shqipëri, këtyre grupmoshave, është tejet e paselektuar, është tejet e pazgjedhur me një mbingarkesë dhune. Unë shikoj për shembull se në filmat për fëmijë ka dhunë, në përgjithesi ngjarja është e dhumshme, qoftë kjo edhe nëpër filmat me kartona. Unë nuk jam që filmat për fëmijë të ngelen gjithmonë tek fabula e Hirushes ose tek Borëbardha, por gjithsesi duhet të zgjedhim ato formate që shtyjnë në kohë përplasjen e këtyre grupmoshave me realitetin. Nuk mund t’i servirësh prodhime të tilla kinematografike të filmit një grupmoshe që ka nevojë të rritet shëndetshëm, një moshe që nuk duhet të krijojë idetë për jetën duke u nisur nga dhuna, duke u nisur nga probleme, ose tema perverse. Nuk dua të kaloj tek telenovelat, sepse ato janë thjesht komerciale, por edhe këto kanë mbingarkesa, qoftë edhe mbingarkesë erotike, qoftë edhe mbingarkesë që nuk kanë lidhje me këto grupmosha përsa i përket këtyre mesazheve, të cilat nuk ka pse këto grupmosha t’i asimilojnë kaq herët. Por, këtu mungon selektimi, mungon serioziteti dhe selektimi i pronarëve që drejtojnë këto media. Por, mbi të gjitha mungon qëndrimi i parlamentit, i shtetit për selektimin e këtyre filmave, sepse shteti është i të gjithëve, e mbi të gjitha sheti duhet të mbajë përgjegjësi për ardhmërinë e këtij vendi. Për shembull shteti në Itali ka një komision vigjilence në Parlament me të cilin monitoron të gjitha prodhimet. Janë ato lloje prodhuesish, ato lloj shpërndarësish televiziv ose radiofonik, që s’i lënë tëzgjedhin shfaqje për fëmijë pa selektuar. Ti sheh se këtu mund të transmentosh çfarë të duash, pa pasur parasysh me çfarë kontrate janë blerë, pavarësisht se në ç’orë editon. Kudo reflektohet kjo mangësi. Do të thuash se si po mundemi ta përmbushin ne këtë mangësi?.. Në mënyrë shumë modeste, ky festival sjell problemet më të mëdha të këtyre grupmoshave të bëra nga autorët më në zë të filmit për fëmijë, por edhe përtej kësaj fëmijët gjejnë problemet e tyre dhe pavarësisht se këto nuk janë prodhimet tona, problemet e fëmijëve janë të njëjta. Në të gjithë botën pothuajse fëmijët përballen me adoleshencën, me problemet fëminore, me eksperiencat e para, etj, etj.

Dhurata Hamzai: Po dalim pikërisht tek pyetja; se si të gjitha atyre mangësive që thamë më sipër, i kundëvihesh. Çfarë risish, temash dhe konceptesh janë servirur konkretisht në “Giffoni-Albania” që kanë ndikim tek fëmijët, që janë pikërisht për fëmijët dhe janë vërtet për t’u dashuruar nga fëmijët?

Namik Ajazi: -Siç thashë, grupi i selektorëve të cilët janë të përzgjedhur tek të tre festivalet, si Giffoni Hollivud që ka një pasaportë, po ashtu si ne, sjell temat më interesante për fëmijë që sjellin problemet e moshë të shkollës, problemet interesante që kanë me prindërit, problemet që vinë nga fiksimi i tyre në informatikë. Është konkretisht një film i bukur që sjell problemet e neonazizmit për shembull. Por, në film sillen edhe afeksionet e dashurisë dhe pasionet tek mosha e gjimnazit, e adoleshencës.

Dhurata Hamzai: Këto shfaqje kanë vijuar edhe me diskutime të fëmijëve. Si kanë ardhur ngjarjet në këto debate?

Namik Ajazi: -Ah fëmijët kanë një rol të veçantë, sepse ata janë të drejtëpërdrejtë, ata nuk dinë të shtiren dhe thonë hapur sepse nuk më pëlqeu kjo, ose pse me pqëlqeu kjo. Kështu ai saktëson episodin që duhet diskutuar. Janë aq të drejtëpërdrejtë saqë kur janë përballë autorëve, duke pasur parasysh edhe fëmijët shqiptarë që ne kemi çuar në jurinë e Giffonit, që kanë bërë pjesë në jurinë e madhe ndërkombëtare, ata pasi kanë parë filmat bëjnë pyteje nga më të habitshmet, saqë autorët u kanë thënë se “ju jeni gazetarët më të vështirë”. Kjo ndodh se ata nuk kanë frikë të shprehen dhe e thonë çdo gjë ashtu si e mendojnë. Ata ende nuk i njohin kornizat.

Dhurata Hamzai: Festivalit “Giffoni” në Shqipëri po i vjen fundi. Cilat do të jenë pikërisht disa nga surprizat në mbyllje të këtij edicioni?

Namik Ajazi: Suprizat kanë qenë që në fillim dhe një nga këto ka qenë shikueshëmria e mirë e këtij festivali, diskutimet në qytetet që ne kemi prekur rishtas dhe do të jetë një suprizë e veçantë që unë e kam fikuar tashmë. Ajo do të jetë nata finale e ndarjes së çmimeve që unë e kam cilësuar jo vetëm surprizë, por një ngjarje të veçantë ndarjen e çmimit “Xhanfise Keko” që është në këtë festival një çmim special për nder të mirënjohurës, të ndjerës Keko, e cila i vuri në dispozicion gjithë jetën e saj filmit për fëmijë. Ka qenë dhe presidente e nderit në tre edicionet të festivalit Giffoni. Surprizë mendoj se do të jetë dhe pjesëmarrja e këngëtarit të mirënjohur Simone Cristicchi, fitues i edicionit të vjetshëm të Sanremos, i cili vjen në 35 minuat live në Teatrin e Operas për të qenë si një trëndafil, ashtu siç kishte dhe këngën për këtë edicion të festivalit të sivjetshëm Giffoni.

Dhurata Hamzai: Cilët do të jenë organizatorë të tjerë të kësaj finaleje?

Namik Ajazi:-Ne kemi menduar që t’i bashkangjisim interpretimit të Simone Cristicchi-t edhe një grup kënëgtarësh shqiptarë dhe 40 minuta të tjera ku do të këndojnë “Produkt 28”, tashmë të konfirmuar, Sindrit Bejleri dhe emra të tjerë të muzikës së lehtë.

Dhurata Hamzai: Sa të pranishëm kanë qenë kineastët shqiptarë në aktivitetin tuaj?

Namik Ajazi: -Ah, kineastët e kanë mirëpritur festivalin. Janë të interesuar, madje kur i takoj më japin urime, por meqë këto lloj filmash, me sa u duket atyre, pak u interesojnë, po shoh se ata pak i kanë ndjekur. Por duket se kjo sjellje vjen meqë këto filma kanë në qendër të vemendjes personazhe të adoleshencës ose të fëmijëve...Nuk kanë pasur atë interesim që unë prisja. Mbase për arsye se ka vite që këtu edhe nuk shkruhet, edhe nuk prodhohet edhe nuk financohet për filmat për fëmijë. Quhen si një gjë që pak premton për të çarë në festivale ose për të bërë një emër...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›