Mustafaj: Reagimet e ndërkombëtarëve duhen parë me shqetësim
Deputeti i Partisë Demokratike dhe kandidat për kreun e PD për Tiranën, ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, tha dje se Partia Demokratike nuk mund të konsumojë energji dhe imazh në betejën me prokurorinë, të cilën Mustafaj e etiketoi si absurde.
Deputeti demokrat theksoi se konflikti nuk ka asnjë të fituar, por humbës do të jetë shteti. “Konflikti i ditëve të fundit mes qeverisë dhe prokurorisë është një ngjarje e rëndë dhe që do analizuar me shumë kujdes, si nga klasa jonë politike, ashtu edhe nga trupa jonë juridike. Një gjë është e sigurt, nga një duel i tillë nuk ka të fituar, ka vetëm të humbur. Dhe humbësi më i madh është shteti ynë, i cili edhe pa tensione të tilla mbetet ende i brishtë në raport me standardet e demokracisë. Partia Demokratike, si forca politike transformuese e Shqipërisë dhe themeluesja e shtetit ligjor postkomunist, nuk mund t’i lejojë vetes të konsumojë energji dhe imazh në beteja absurde dhe, për më keq, kundërproduktive në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, të cilat kjo parti duhet t’i fitojë”, - u shpreh Mustafaj.
Duke folur në lidhje me reagimin ndërkombëtar, ish-diplomati i lartë tha se ato duhen parë me përgjegjësi dhe sigurisht shqetësim nga ana e PD. Mustafaj lëshoi dhe një mesazh në drejtim të përfaqësuesve ndërkombëtarë në Shqipëri, kur tha se askush nuk do të pengojë reformat e ndërmarra në kuadër të integrimit. “Partia Demokratike nuk mund të ndjehet e qetë duke parë shqetësimin që ky duel ka ngjallur, si në opinionin publik të vendit, ashtu edhe te miqtë e mëdhenj të Shqipërisë e që janë SHBA dhe Bashkimi Evropian. Unë e mirëkuptoj shqetësimin dashamirës të këtyre miqve dhe i falënderoj për vëmendjen, me të cilën ata e shoqërojnë procesin e forcimit të demokracisë në vendin tonë. Si anëtar i mazhorancës parlamentare, e ndjej për detyrë t’i siguroj se asgjë dhe askush nuk mund t’i pengojë reformat e ndërmarra në emër të modernizimit të vendit dhe të integrimit të tij në NATO dhe në BE”, - tha Mustafaj.
I pyetur nëse mesazhet e ardhura ditët e fundit nga miqtë e Shqipërisë janë kuptuar drejt nga kryeministri Berisha dhe dy ministrat, ai i Drejtësisë dhe ai i Brendshëm, Zoti Mustafaj u përgjigj:
“Unë kam besim se zoti Berisha, si një politikan me përvojë të gjatë, do t’i lexojë këto mesazhe të ardhura nga Uashingtoni dhe Brukseli me dashamirësinë që ato meritojnë. Kryerja e reformave kërkon qetësi dhe vetëm qetësi.”
Topi të ndërhyjë për të ulur tensionet
Deputeti demokrat, Besnik Mustafaj, i bëri thirrje dje Topit që të bëjë të mundur uljen e këtyre tensioneve, duke mbështetur prokurorinë dhe pavarësinë e saj, si dhe duke u siguruar që ajo të kryejë siç duhet punën. “E ndjej të arsyeshme t’i drejtohem Presidentit të Republikës me thirrjen që të ushtrojë kompetencat e tij si krye-magjistër i vendit, kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të siguruar uljen e këtij tensioni, që do të thotë, të mbështesë edhe pavarësinë e prokurorisë, në përputhje me Kushtetutën, edhe të ushtrojë kontroll që prokuroria ta kryejë me paanësi detyrën e vet”, - tha Mustafaj.
I pyetur nëse komisioni hetimor parlamentar, i njoftuar nga zoti Berisha, do të dalë edhe me propozimin për shkarkimin e kryeprokurores, Ina Rama, zoti Mustafaj u përgjigj: “Ngritja e komisioneve hetimore parlamentare bëhet në mbështetje të rregullores së parlamentit. Ne do të shohim në momentin e duhur, nëse është vërtet e nevojshme ngritja e këtij komisioni apo jo. Dhe, nëse gjykohet të ngrihet, nuk mundet ta paragjykoj unë sot rezultatin që do të nxjerrë një hetim i tillë parlamentar”, - tha Mustafaj.