Mashtrimet e diktatorit (II)
Vijon nga numri i kaluar
Fakti 10. “Në vitin 1936 kthehet në Shqipëri dhe fillon punën si profesor në Liceun Francez të Korçës. Pas pushtimit, në vitin 1939 pushohet nga puna, se nuk pranoi të regjistrohej në Partinë Fashiste.”
I kthyer në atdhe nga Brukseli, Enveri i ngarkuar nga parësia e Bashkisë së Gjirokastrës mban një fjalë përshëndetëse para popullit të Shkodrës me rastin e tërheqjes së eshtrave të patriotëve Çerçiz Topulli e Muço Qulli. Në fotofaksimile 5 në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës shihet i vetëm Enver Hoxha, që flet, kurse origjinali i fotografisë në ballkon ka shtatë përfaqësues nga paria e Shkodrës e Gjirokastrës dhe, siç shihet, ka mbetur vetëm një, një krim arkivor i dënueshëm nga Ligja, e më së shumti nga kodi moral, e për më tepër krimi nga dora e Enver Hoxhës në majë të piramidës parti-shtet. [Fotoja, nga libri: ‘Rinia e Enverit’ (kujtime të Enverit.]
Enveri pushohet nga puna në Konsullatën e Brukselit dhe Zogu e emëron mësues në Liceun e Tiranës e më pas në Liceun e Korçës!? Kjo është një pikëpyetje e madhe! Nga puna në Liceun e Korçës nuk kam asnjë informacion burimor për profesorin në profilin e tij pedagogjik, andaj i referohem prof. Vedat Kokona në librin Endur në tisin e kohës. “... Rrija më shumë se dy orë për çdo hartim dhe Enveri, që vinte rrotull nëpër dhomë, më tha: “Paske durim të madh! Mjafton të hedhësh një sy dhe të vësh notën që meriton secili.” - “Një fjalë goje”, - i thashë dhe vazhdova punën. Gjatë atyre dhjetë javëve që banuam bashkë, nuk e pashë kurrë të punonte. ...Nuk më foli kurrë për politikë, pa le për komunizmin. Të ishte komunist, si adept i një doktrine për të cilët të tjerët vajtën në Spanjë për të luftuar, do të përpiqej të më bënte për vete, një neofit të këtij besimi, sepse s’kish frikë se mund ta kallëzoja. Kam qenë me të deri në gjysmën e vitit ’40. [Vetë Enveri thotë: “Në Tiranë erdha në dhjetor ‘39”] Jam më se i sigurt që s’kish deri atëhere në kokë ato mendime të mbrapshta që do ta ngrinin shumë, katër vjet më vonë, në ato lartësi marramendëse nga u dha munxat atyre që i kishin dhënë të hante dhe nga hodhi në greminë të afërmit, shokë dhe sidomos..” :[101]
Për Enverin në Liceun e Korçës kanë mbetur disa pak dokumente arkivore, që e bëjnë me cene karakterin e moralin e mësuesit, por edhe më shumë se kaq. Në Libri i Inventarit të Ministrisë së Arsimit për vitin 1939 është dhe dosja 274 me këtë përmbajtje: “Korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorive të Gjimnazit Korçë e Gjirokastër mbi transferimin e Enver Hoxhës, shpërblimin e orëve të mësimit dhe dhënia e lejës për të shkuar në Itali për arsye familjare.” Faksimile 6. Dosja 274 nuk ka asnjë nga dokumentet që citohen më lart, kurse në fondin e mikrofilmuar ka shënimin: “Dosja është marrë nga Komiteti Qendror”. Po të kërkosh, edhe diç gjen, me sa duket, censura nuk ishte dhe aq vigjilente: nga përmbajtja e dosjes 274 kanë mbetur vetëm disa dokumente për “shpërblimin e orëve të mësimit” për E. Hoxhën profesor dhe që ka shkruar aq shumë për figurën e mësuesit, veçanërisht më 7 mars ‘67.
Një letër nga Drejtoria e Liceut të Korçës, për Ministrinë e Arsimit, dt. 2.11.39.“Kemi nderin t’i paraqitim bashkëngjitur asaj Ministrie lutjen më datë 30/X/39 të z. Enver Hoxha, profesorit me orë speciale në këtë Lice, i cili kërkon që të paguhet që prej datës 25/9-1/10/`39. Veç kësaj, ky Zotni na paraqiti sot një listë për116 orë të muajit Tetor k.v. tue kërkue që të paguhet edhe për këto orë. Siç dihet, mësimet në këtë Institut filluen më datën e sotme. Prandaj lutemi të kemi përgjigjen e asaj P.T.Ministrie, që të mund t’ia komunikojmë t’interesuarit. Zëv. drejtori [Serafim Ligori]. Në shkurtimi i shkresës lexohet: “mbi pretendimn e profesor Enver Hoxhës...” Faksimile 7. Dhe zëvendësdrejtori e thotë fare hapur se profesor E. Hoxha nuk i ka bërë orët speciale [emërtesë e orëve për mësuesit pa arsim përkatës], sepse, “Siç dihet, mësimet në këtë Institut filluen më datën e sotme.”, pra më 2 nëntor. Si përfundim, profesor Enveri kërkon të paguhet për orë të pa bëra: 142 orë! Dhe kureshtja është e madhe shumë për përgjigjen e Ministrisë së Arsimit. Përgjigjia vjen nga ministri i P. Mbrendshme dhe për të firmos zv. ministri për pagesën e 426 fr. ari, që ishin shumë për kohën. Faksimile 8. Çka ndodhi që letra i dërgohej Ministrisë së Arsimit dhe urdhri për pagesë vjen nga ministri i P. të Brendshme? Dhe si mundet të jepet urdhër pagese për një punë të pabërë? Ka disa alternativa, por, tek e fundit, interesi i ministrit fashist është i madh, derisa lëshon urdhrin e pagesës. E çfarë i detyrohet E. Hoxhës ministri fashist i P. të Brendshme? Faktet janë fakte dhe, kur provohet autenticiteti i tyre, atëherë mbeten komentet. Me lidhje të fshehta drejtpërdrejt midis tyre? Një ndërmjetës i fortë me ndërhyrje te ministri? Protagonizmi i ministrit të P. të Brendshme e komplikon mjaft punën. Pikëpyetjet shtohen, përderisa pikërisht “bën këmbë” dosja edhe me “shpërblimin e orëve të mësimit” të profesor E. Hoxhës dhe kjo nuk është në favor të Enverit.
“[Enveri] në vitin 1939 pushohet nga puna, se nuk pranoi të regjistrohej në Partinë Fashiste.” [fakti 10], kurse në gjithë botimet partiake arsyeja e pushimit nga puna është: “Element kundër regjimit” fashist dhe në krye të demonstratave antifashiste. Dokumentet hedhin dritë për “pushimin” nga puna si profesor i Liceut të Korçës. Ka një dokument fashist me emrin e Mark Kodhelit që jep informacion për demonstratën antifashiste në Korçë me rastin e 28 nëntorit dhe me përgjegjësi ngarkon dhe mjaft mësues e studentë të Liceut: “Profesorët Enver Hoxha, Masar Shehu, Stavro Skëndi, Selman Riza, Abaz Ermeni, Vedat Kokona e Loni Kristo dhe studentët e Liceut: Pëllumb Dishnica, Tomorr Salih Zavalani, Dhimitër Lamani, Rexhep Dërrasa, Fejzullah Shehu, Ramiz Kira, Kristaq Tutulani, Eleni Panduku e Nurije Shehu.” Nga raporti del se mjaft nga profesorët transferohen në shkolla të tjera, si Abaz Ermeni, Enver Hoxha, Selman Riza etj. E. Hoxha nuk është pushuar nga shkolla, se “nuk pranoi të regjistrohej në Partinë Fashiste”, por është transferuar në Liceun e Gjirokastrës. Nga lista prej 16 profesorësh e studentësh në dokumentin fashist, prej saj janë prerë dy dhe me ta është sajuar një dokument për shkaktarët e manifestimeve të 28 nëntorit. [Faksimile 9]
Është interesante se Ministria e Arsimit me shkresë dt. 15.11.`39 i drejtohej Liceut të Gjirokastrës: “Ju njoftojmë se z. Enver Hoxha, mësues i transferuar aty prej Liceut të Korçës, shkarkohet nga detyra dhe mbetet jashtë kuadrit, mbasi nuk shihet nevoja e mbajtjes së tij në shërbim.” Siç shihet, profesor Enveri shkarkohet, kur kishte filluar nga puna në Liceun e Gjirokastrës dhe shkaku “nuk shihet nevoja e mbajtjes së tij në shërbim” nuk ka as edhe një lidhje me të qenit “antifashist”. Në faksimile 6 shihet se dosja 274 (e zhdukur) ka dhe dokumente “për dhënie lejë për të shkuar në Itali për arsye familjare.”, që i përket muajit dhjetor ’39. Enveri i “pushuar” nga puna si “element kundër regjimit fashist” apo se “nuk pranoi të regjistrohej në partinë fashiste” dhe i jepet lejë për të shkuar në Itali? Një argument edhe më i qartë: Enver Hoxha, profesor i lëndës së Moralit, më 15 dhjetor i kërkon drejtorisë së Liceut pagesë për orë mësimi të papaguara. [Faksimile 10]. Në kërkesën “Orët e muajit Dhjetor të Hoxhës”, profesor Enveri kërkon pagesë për 37 orë, të llogaritura sipas ditëve të javës. Drejtori i Liceut, në kolona e dytë saktëson orët dhe shënon 16 orë, kurse datave 9, 11, 12 dhjetor u heq kryq dhe me shënimin: “Më datën 8/XII/ iu komunikua urdhri i transferimit.” Profesori i moralit kërkon 21 orë të pabëra! Shënimi i drejtorit të Liceut është argument se E. Hoxha nuk ishte pushuar nga fashistët, por ishte transferuar nga Liceu.
Gazeta “TemA” e ditëve të fundit të shtatorit 2007, ka botuar një kritikë [timen] për veprën e prof. Kristo Frashërit: “E majta shqiptare dhe themelimi i PKSH’, për të cilën nuk pati ndonjë reagim nga autori. Prof. Frashëri ka vënë gurë themeli në historiografinë shqiptare, por pjesa themelore e saj, që është themelimi i Partisë Komuniste, është shkruar me metodologji të gabuar, saqë edhe problematika kryesore e shkruar në vepër është e pavërtetë e vjen e përkundër burimeve autoritare arkivore të AQSH. Meqenëse kritika historike në Akademinë e Shkencave është në nivelin zero, duket se kritika bëri përshtypje saqë disa media elektronike shpejtuan të hedhin poshtë kritikat e bëra, por me mënyra të rafinuara, pa më atakuar drejtpërdrejt. Në ‘Opinion +’ profesori bëri dhe një deduksion të veçantë, sipas meje të gabuar: “[Enveri] Ishte shumë mik i dashur, njeri i dhembshur, kur mori përgjegjësi në kohën e partisë, ai iu përkushtua totalisht punës, ai ishte një njeri që diti të tregojë një vendosmëri të fortë. Unë nuk e kam dashur, por unë e çmoj për punën që bëri gjatë luftës, pas luftës ai u shpërfytyrua.” Edhe Top Channel në emisionin special mbahet pas degëve dhe jo pas trungut, dokumenteve arkivore të bëra publike dhe intervistat e dy profesorëve dominuan folësen e paformuar për problemin. Emision special edhe në “Zonë e ndaluar”, ku profesori i pashpenguar mbrojti pikëpamjen e vet, kurse për Enver Hoxhën e zhvilloi dhe më plot se më parë pikëpamjen: “Ky njeri [Enveri] mundi të kapërcente zënkat, grindjet; u bë simbol i qëndresës, nuk ishte i mbrujtur me grindje, nuk ishte i molepsur me grindje.” Tri emisionet speciale në dy top kanalet më të mëdha janë buqeta më e bukur që i dhurohet E. Hoxhës në 99-vjetorin e ditëlindjes së pestë të tij.
Në AQSH ka dokumente të shumta për të portretizuar Enver Hoxhën në themelimin e Partisë Komuniste dhe në luftën çlirimtare nga nazifashizmi. Po sjell vetëm një argument për devotshmërinë e tij në luftë. Është një letër që i dërgonte të fejuarës, Nexhmie Xhuglini.[Faksimile 11] Në letër bien në sy dy fakte: i pari, E. Hoxha me dorën e tij shkruan “mjaft u çlodhëm” për “tre muaj” (dhjetor ’43- shkurt ‘44) në operacionin armik të dimrit. Enveri nuk mbeti i rrethuar nga armiku, por iu fsheh rrezikut armik, derisa mbaroi operacioni. Fakti i dytë është fjalori banal i Enverit dhe fyerjet e padenja e të pamerituara për të kunatin, Bahri Omari.
Argumenti i profesorit “Enveri mundi të kapërcente grindjet, zënkat, nuk ishte i mbrujtur me grindje.” Një letër që Tarasi ia dërgon Nako Spirut më 4 tetor 1943. “Shoku Nako, do të të bëj një porosi të vogël, se me të gjithë jam zënë dhe asnjërit s’i kërkoj. Kisha një stilo të mirë dhe Ali Gostivari [Miladin Popoviçi] ma theu. Tash kam mbet pa stilo dhe mendimet e mija të bukura s’mund t`i hedh dot në letër. Prandaj, brenda dy ditëve (më fal që të caktoj ditët) të më çoç një stilo të mirë (jo nga ato standartet, dhe që të shkruajë hollë, të ma çoç me njeri të sigurt dhe të ma japi në dorë. Jam 100/100 i sigurt se do ma çoç. Taras” [Faksimile 12] Tarasi edhe një stilo nuk kishte guxim t’iu kërkonte shokëve, sepse me të gjithë ishte zënë, grindur. Nako ia dërgoi stilonë Enverit dhe që të shkruante hollë “mendimet e tij të bukura”, dhe erdhi falënderimi për Nakon: “Faleminderit për stilonë, shkruan bukur, po mbaje mend o zgjebe, një ditë, po të vura poshtë, do të ta marr shpirtin.” Ku fillon e mbaron shakaja, fyerja e hakërrimi!? Mund të hiqen dy paralele: kjo letër dhe “vetëvrasja” e Nakos katër vjet më pas?
FUND