Kaosi i qetë i një fushateNga TemaKur mbeten dhe pak më shumë se dy javë deri në zgjedhje, deri më tani duket se shumë pak gjëra kanë ndryshuar nga fushatat e mëparshme, duke ngritur dyshime të forta, nëse zgjedhjet nuk do të plotësojnë standardet e
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kaosi i qetë i një fushateNga TemaKur mbeten dhe pak më shumë se dy javë deri në zgjedhje, deri më tani duket se shumë pak gjëra kanë ndryshuar nga fushatat e mëparshme, duke ngritur dyshime të forta, nëse zgjedhjet nuk do të plotësojnë standardet e nevojshme.
Listat zgjedhore janë sërish problem, ndërsa pajisja me karta identiteti e votuesve përbën shqetësimin kryesor.
Në këtë fushatë ka një mungesë të thellë transparence financiare. Edhe për disa kompani të huaja që kanë mbërritur për të kuruar imazhin e partive, nuk janë bërë transparente pagesat.
Kandidatë me shumë lekë, të njohur për blerjen e votave, kanë mësyrë në shumë zona të vendit, nga dy partitë kryesore.
Por kjo fushatë do të mbahet mend gjatë, për shkak të përdorimit të medieve thjesht si transmetues dhe jo në funksionin e tyre normal.
Partitë kanë dërguar rregullisht pamjet e takimeve të tyre elektorale, të përgatitura nga vetë ato, duke u kujdesur që të dalin në pah njerëzit e shumtë të pranishëm në mitingje.
Rama vetë ka zgjedhur një strategji interesante për mitingjet, duke i vendosur njerëzit e pranishëm në rrugë e jo nëpër sheshe, për të krijuar idenë e pranisë së theksuar të njerëzve.
Mania për të treguar sa më shumë njerëz në sheshe ka shoqëruar gjithmonë fushatat elektorale shqiptare, edhe pse nuk ka qenë gjithmonë një tregues i mbështetjes së vërtetë të njerëzve.
Por, meqë vetë partitë dërgojnë të gatshme gjithçka, është interesante të thuhet se aty mund të lexohet se çfarë duan partitë të theksohet. Përveç pranisë së shumë njerëzve, këngës lajtmotiv të fushatës e akuzave të ndërsjella, në planet që shpërndajnë partitë shumë rrallë dëgjohet të flitet për programet.
Megjithatë, nëse nëpër mitingje është tepër e vështirë të dëgjohet një program elektoral, kjo mund të realizohet nëpërmjet programeve televizive.
Edhe në këto të fundit shumë pak flitet për programe konkrete. Debatet mes kandidatëve shpesh u ngjajnë debateve për zgjedhje lokale, ku flitet për rrugica fshatrash e për ambulanca periferish, pa prekur problemet kryesore.
Nuk ka debate në nivele kombëtare në lidhje me tema të nxehta si bujqësia, ambienti, turizmi dhe biznesi.
Strategjia që kanë zgjedhur për të komunikuar demokratët është ajo që kishin zgjedhur në vitin 2005 socialistët, kur përdornin kartën e stërpërdorur ‘të gjithë jemi të zhytur, më mirë të rrimë ne që bëjmë pak më shumë’. Kjo mund të shihet qartë në përdorimin që i bëhet emrit të Delijorgjit në këtë fushatë.
Megjithëse kjo strategji ka rezultuar humbëse për socialistët në vitin 2005, sërish demokratët nuk kanë ndryshuar skemë. Kjo edhe për shkak se tashmë janë të detyruar të dalin në koalicion dhe të kenë në krah emra të përfolur, të hetuar e nën hetim për korrupsion.
Duke qenë tashmë traditë që humbësi të mos pranojë verdiktin, partitë po përpiqen të krijojnë terren për të kontestuar më vonë rezultatin. Socialistët po kontestojnë pareshtur çështjen e kartave dhe nuk po lënë rast për nxjerrë në pah incidentet elektorale që shpesh nuk kanë ndonjë sfond të qartë politik. Nga ana tjetër, demokratët po bëjnë diversion me ndërkombëtarët që do të certifikojnë rezultatin zgjedhor. Ata shpresojnë që lobingu do të funksionojë në këtë rast, pasi kanë dështuar që të arrijnë një fitore të madhe me anë të lobingut, liberalizimin e vizave.
Ndërkombëtarët nga ana e tyre vazhdojnë të jenë të shqetësuar për rezultatin zgjedhor. Një seancë e Kongresit amerikan e tregoi hapur këtë gjë. Mjafton të shihet momenti kur është përzgjedhur për t’u mbajtur seanca, për të kuptuar se me ç’vëmendje po ndiqet fushata në Shqipëri.
Stili ‘me gërshërë’ në dorë është i pranishëm edhe më fort se herët e tjera në këtë fushatë. Gjithçka shkon në dëm të taksapaguesve shqiptarë, të cilët i paguajnë më vonë të tilla haraçe.
Kryeministri shqiptar ka vendosur të përdorë çdo kartë për të fituar vota. Legalizimet duket se janë një As nën mëngë për të, por sërish, fakti që nuk ka një konsensus mes palëve për tapitë që po shpërndan kjo qeveri, ka bërë që procesi të mos shihet me besim nga njerëzit.
Dhjetëra vepra publike po hapen, të paktën po u pritet shiriti, e me qindra-mijëra njerëz po punësohen virtualisht nga qeveria.
Fundi i fushatës është afër, por ai është fillimi i një periudhe të vështirë. Periudhës së rimëkëmbjes nga kjo furtunë çmendurie për të marrë vota, duke lënë pas rrënim ekonomik, politik e social.