Ajola Xoxa “zbon” Megin nga FRESSH-i
Anëtarët e Asamblesë marrin në dorë forumin
Kryetarja, vetëm e ftuar në turin e të rinjve
Frenat e Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar nuk janë më në dorë të drejtuesve të zgjedhur nga anëtarët e këtij forumi, por kanë kaluar në duart e të “mandatuarve” të Ramës. Ajola Xoxa, anëtarja e Asamblesë, si dhe dy bashkëpunëtorët e tjerë, Dritan Broka dhe Sokol Kondi, sapo kanë nisur një tur rinor që do të zgjasë thuajse gjatë gjithë muajve të verës, tur në të cilin mungon kryetarja e këtij forumi, Megi Ajtyresa. Pavarësisht pranisë së saj në takimet e zhvilluara deri më tani në qytetin e Shkodrës dhe të Durrësit, ajo nuk figuron si një prej drejtuesve të tij, madje ajo nuk është përmendur as në njoftimet për mediat. Edhe pse paradoksale, por kryetarja e Forumit Rinor, e cila u zgjodh përmes votës së anëtarëve të FRESH-it dy vjet më parë, është anashkaluar dhe duket se të rinjtë socialistë po drejtohen nga një tjetër dorë.
FRESSH
Prej tre vjetësh forumi i të rinjve socialistë është përfshirë nga zgjedhjet në strukturat e tij, çka sollën edhe zhvillimin e një kongresi të jashtëzakonshëm, ku u zgjodh kryetare Megi Ajtyresa, pavarësisht se mandati i ish-drejtuesit të tij, Gjergj Koja, nuk kishte mbaruar ende, megjithëse, forumi i të rinjve për shumë kohë vuajti nga një situatë qetësie gati inekzistente, deri para pak javësh, kur u lajmërua turi “FRESSH Summer Tour – Për Politikat Tona Vendosim Ne”, i cili u ideua dhe drejtohet nga tre të rinj ku nuk përfshihet kryetarja Ajtyresa. Turi është një projekt pranë Asamblesë Kombëtare dhe duket se ka marrë miratimin e kësaj strukture për t’u zhvilluar deri në mes të muajit gusht.
Në të gjitha njoftimet për shtyp të aktiviteteve të zhvilluara nga FRESSH-i, Ajtyresa nuk përmendet në asnjë moment. Në aktivitetin e zhvilluar në qytetin e Durrësit, Xoxa mbajti peshën kryesore të zhvillimit të takimit së bashku me Kondin e Brokën, ndërsa në asnjë moment nuk është parë prania apo ndikimi i kryetares së FRESSH-it. Vetë Ajtyresa nga ana tjetër nuk ka dhënë ndonjë shpjegim të saj lidhur me këtë situatë të FRESSH-it. Hera e fundit që ajo është parë të dalë para të rinjve socialistë ishte 15-vjetori i FRESSH-it në muajin janar. Si një ndër organizatorët e këtij përvjetori, për kreun socialist ajo kishte bërë një gabim të madh. Në festë ishte ftuar edhe Princ Leka, praninë e të cilit kryetari socialist nuk e mirëpriti. Ky duket se është një gabim që Rama nuk ia ka falur të besuarës së tij, ndërsa pasojat u dukën vetëm pak muaj më vonë. Zyrtarisht, ajo është kryetare e FRESSH-it, sipas vendimit të kongresit. Ndërsa Xoxa, drejtuesja kryesore e këtij turi, është anëtare e Asamblesë prej një viti.