E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha “përcjell” ushtarët drejt Çadit dhe Afganistanit

Dy kontigjente me ushtarë shqiptarë u nisën dje drejt Afganistanit dhe Republikës së Çadit. Kryeministri Berisha i quajti ata si "misionarë të paqes që do të çojnë më tej traditën e shkëlqyer të ushtarakëve shqiptarë". I pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në mjediset e aeroportit “Nënë Tereza” (pjesa ushtarake), kreu i qeverisë kërkoi nga misionarët e paqes "që të mbrojnë me kurajo, guxim dhe profesionalizëm jetët e pafajshme të kërcënuara nga terrorizmi, ky armik i egër i sotëm i njerëzimit”. Drejt Heratit në Afganistan u nis dje misioni i tretë i paqeruajtësve me 112 ushtarë, ndërsa drejt Republikës së Çadit u nis një kontigjent prej 62 ushtarësh, të parët që do të kryejnë një mision të tillë në bazë të marrëveshjes së nënshkruar katër ditë më parë në Paris mes Kryeministrit Sali Berisha dhe Sekretarit të Përgjithshëm të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Havier Solana, në kuadër të operacionit EuforChad/RCA.

Kontigjenti që u nis drejt Çadit do të instalohet në Jamena dhe do të ketë si detyrë shoqërimin e autokolonës të personaliteteve VIP, si dhe ruajtjen e objekteve të veçanta dhe të sigurisë në bazë. Misioni do të zgjasë 6 muaj dhe ai zhvillohet në kuadër të BE-së, ndërkohë që trupat shqiptare janë nën komandën e trupave franceze. Ndërsa misioni drejt Heratit do të jetë nën komandën e trupave italiane dhe do të përmbushë detyrat e ngarkuara në kuadër të misioneve paqeruajtëse të NATO-s. “Prej vitesh, ushtarët tanë janë përcjellë me një ceremoni të tillë, për të kontribuar me misione të mëdha paqeje si në Bosnje, Irak e Afganistan, por e veçanta e ditës së sotme është se ne nisim dy kontigjente me dy flamuj, me flamurin e NATO-s dhe atë të Bashkimit Evropian, dy organizata në të cilat shqiptarët kanë përzgjedhur të ardhmen e tyre më të shkëlqyer”, - tha Kryeministri në ceremoninë ku ishte i pranishëm dhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ushtarakë të lartë, familjarë të paqeruajtësve etj. Duke u ndalur tek misioni në Çad, z. Berisha iu drejtua paqeruajtësve se “ju shkoni në Çad për të luftuar terrorizmin, i cili kërcënon liritë dhe ekzistencën e një kombi, i largët nga vendi ynë, por i afërt në aspiratat e tij liridashëse me shqiptarët dhe të gjitha kombet e tjera të lira”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›