Bode tërheq projektligjin për taksat vendore
Pas kundërshtimit të socialistëve do të bëhen ndryshime
Sipas ministrit, ky ligj u jep më shumë buxhet vendorëve
Qeveria ka tërhequr projektligjin për taksat vendore duke u dhënë mundësi socialistëve që të futin amendamentet e tyre. Këtë fakt e bëri të ditur ministri i Financave Ridvan Bode dje në Kuvend pas kundërshtimeve të forta të socialistëve. Në momentin final të votimit, ministri Bode në emër të qeverisë u shpreh se ka tërhequr këtë nismë ligjore për t’u ridiskutuar edhe një herë në Komisionin e Ekonomisë. Sipas tij, ligji për taksat do të rikthehet në Komisionin e Ekonomisë. “Tërhiqemi për të arritur në një konsensus të ri. Duhet të kuptojmë diçka që ky projektligj nuk është në dobi të qeverisë, por është në dobi të pushtetit vendor. Një pjesë e taksave u kalojnë bashkive dhe komunave dhe jo buxhetit të qeverisë”, - tha Bode. Pavarësisht kësaj tërheqjeje, deputetët socialistë u kanë rënë tavolinave duke mos e miratuar këtë qëndrim dhe kërkuan votim të projektligjit, me shpresën se do të rrëzohej dhe nuk do të votohej. Ndërhyrja e Kryetares së Kuvendit, Topalli, bëri që deputetët e majtë të qetësohen, pasi ajo citoi rregulloren, e cila shpreh se iniciatori ka të drejtën e tërheqjes së nismës.
Debati
Gjatë debatit në Kuvend, ministri i Financave ka mbrojtur këtë projekt duke u shprehur se projektligji është tepër i domosdoshëm për rritjen e buxhetit të pushtetit lokal, si dhe do të vlejë për rritjen e decentralizimit, por kjo nuk i ka bindur deputetët socialistë. Valentina Leskaj, kryetarja e grupit kuvendor socialist u shpreh se “qeveria ka premtuar uljen e taksave, ndërkohë që përmes këtij projektligji po i rrit ato. Duke iu referuar deklarimeve të djeshme të Kryeministrit, i cili në vazhdën e premtimeve boshe për uljen e taksave premtoi edhe një herë uljen e tyre, sot për ironi, dhe në mënyrë absurde, i paraqet Kuvendit një projektligj, i cili në fakt nxjerr në pah falsitetin e këtyre premtimeve, pasi ai parashikon rritjen e taksave për të gjitha kategoritë e qytetarëve, sidomos për kategoritë më të varfra, ato që jetojnë në fshat, duke synuar varfërimin e mëtejshëm të tij”.
Në të njëjtën linjë me të kanë qenë edhe deputetë të tjerë të majtë si Erion Braçe apo Nikollaq Neranxi. “Kjo rritje e nivelit të taksave vendore dhe vendosja e disa taksave të reja bëhet në kohën dhe vendin e papërshtatshëm. Bëhet në kohën e papërshtatshme, sepse bota po vuan krizën e mungesës së ushqimeve dhe bëhet në vendin e papërshtatshëm, sepse Shqipëria nuk përjashtohet nga ndikimi i kësaj krize, për shkak të sasive të mëdha të importit të drithërave dhe miellit që arrijnë në mbi 420 mijë tonë në vit, si dhe të ushqimeve të tjera të përpunuara dhe të papërpunuara”, - tha deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi. Projektligji për taksat vendore, krahas transferimit të taksës së automjeteve tek bashkitë, vendos taksa të reja për ndërtesat, truallin dhe tokën bujqësore. Në këtë pikë, socialistët kanë sulmuar këtë nismë ligjore duke e cilësuar si të papërshtatshme. “Fshatari nuk ka fuqi paguese, toka nuk do të punohet për arsye të çmimeve që janë bërë të papërballueshme, për rrjedhojë, fshatarët nuk do të kenë mundësi të paguajnë taksën”, - tha më tej Leskaj.
Box
Projekti ishte mbështetur nga Rama
Qeveria nisi pak javë më parë në Kuvend një projektligj për taksat vendore, i cili është në interes të bashkive dhe komunave, por që rriste një pjesë të këtyre taksave për qytetarët. Ky projektligj u kundërshtua ashpër nga një pjesë e deputetëve të PS-së në mbledhjen e grupit parlamentar, pavarësisht se projektligji i qeverisë ishte në interesin për rritjen e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, ku kreu i PS-së Edi Rama e drejton që nga viti 2000. Projektligji ishte i pranishëm ditën e djeshme në Kuvend për t'u miratuar dhe përsëri, në mënyrë të hapur, deputetët e majtë e kanë kundërshtuar këtë projektligj.