Madhi: Zgjedhjet parlamentare, mes 2 shtatorit dhe 2 tetorit të 2009-ës
Zgjedhjet e reja parlamentare nuk do të mbahen para mbarimit të mandatit të Kuvendit që u zgjodh më 3 korrik 2005. Këtë e konfirmojnë anëtarë të mazhorancës në Komisionin për Reformën Zgjedhore, ndërkohë që eksponentë të opozitës në këtë komision deklaruan pranverën si periudhë të mundshme. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane Arian Madhi, anëtar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, tha dje për gazetën “standard” se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në muajin shtator ose në muajin tetor të vitit 2009”. Madhi tha se zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk do të kenë mundësi të bëhen në pranverën e vitit 2009, siç u aludua fillimisht, pasi sipas formulës ligjore që është përcaktuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore, zgjedhjet do të mbahen vetëm në vjeshtën e vitit 2009. “Ne kemi përcaktuar dy periudhat zgjedhore. Periudha e parë do të jetë nga data 15 mars deri në 30 qershor dhe periudha e dytë nga 15 shtatori deri në 30 nëntor. Gjithmonë zgjedhjet lokale ose të përgjithshme do të mbahen vetëm midis këtyre datave”, - tha Madhi. I pyetur në rast se zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 mund të mbahen midis 15 marsit deri në 30 qershor, Arian Madhi e hodhi poshtë këtë mundësi. “Shikohet se kur mbarohet mandati i Kuvendit. Në rastin konkret, Kuvendit i mbaron në datën 2 shtator, dhe sipas formulës i bie të mbahen midis datës 2 shtator deri në 2 tetor. Zgjedhjet e përgjithshme zhvillohen brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në komision dhe në çdo rast, jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit”, - shpjegoi Madhi. Ai tha më tej se kjo formulë është përcaktuar për shkak të kushteve optimale që ka pranvera dhe vjeshta për të kryer zgjedhje. Komisioni ka përcaktuar në nenin 8 të Kodit të ri Zgjedhor se Presidenti i Republikës, bazuar në nenin 87 të Kushtetutës, e nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve jo më vonë se 24 orë pas shpërndarjes së Kuvendit. Në Komisionin e Reformës Zgjedhore janë prekur edhe listat e votuesve. Bashkëkryetari i këtij komisioni, Ilir Rusmali, ka deklaruar se do të ketë konsultime në lidhje se kur këto lista do të jenë gati. “Duhet të organizojmë konsulta me drejtorin e Gjendjes Civile, pasi lista e zgjedhësve është një dokument i pashkëputur nga sistemi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, që është përfshirë në një projekt modernizimi”, - ka thënë Rusmali. Lista e zgjedhësve do të përmbajë të gjithë zgjedhësit që kanë vendbanimin në zonën e qendrës së votimit të njësisë së qeverisjes vendore, mbështetur në të dhënat elektronike të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile të Shtetasve. Sipas garancive teknike, zgjedhësit do të jenë të regjistruar vetëm në një listë zgjedhësish.