Ina Rama: Nuk kemi harruar dosjet e ish-zyrtarëve
Kryeprokurorja raporton në Kuvend mbi gjendjen e krimit
Rama komentoi edhe thirrjen në prokurori të kryetares së KKRT-së
Kryeprokurorja Ina Rama ka raportuar ditën e djeshme në Kuvend mbi gjendjen e kriminalitetit në vend, si dhe u përball me pyetjet e deputetëve. Ajo tha gjatë kësaj seance se prokuroria nuk ka harruar dosjet e vjetra të ish-zyrtarëve të lartë. Ka qenë pyetja e deputetit të djathtë Fatos Hoxha, i cili kërkoi nga kryeprokurorja se çfarë po ndodh me dosjet penale që janë dërguar në prokurori për ish-zyrtarët e lartë që kanë shërbyer përpara 3 korrikut të vitit 2005 dhe që janë akuzuar për korrupsion. Deputeti Hoxha kërkoi të dinte nga kryeprokurorja në rast se ka një strategji afatshkurtër në lidhje me këto dosje, pasi koha e paraqitjes së tyre nuk po vlerësohet dhe dosjet nuk po shqyrtohen. Kryeprokurorja Rama tha se nuk ka një strategji të tillë, por ajo garantoi se pavarësisht afateve që përcaktohen në Kodin Penal, asnjë dosje nuk do të neglizhohet, por të gjitha do të shqyrtohen. “Të gjitha dosjet që janë dërguar në prokurori për ish-zyrtarët do të shqyrtohen”, - tha Ina Rama në Kuvend. Një pyetje tjetër ka qenë edhe e deputetit Edi Paloka, i cili i kërkoi shpjegim kryeprokurores Rama në lidhje me një fletëthirrje të prokurorisë ndaj kryetares së KKRT-së, Mesila Dola, për shkak se një anëtar i saj nuk kishte deklaruar pasurinë. Paloka tha se kjo thirrje për dëshmi nuk është fort e qartë juridikisht, si dhe përmendi faktin se anëtarët e KKRT-së zgjidhen nga Kuvendi dhe janë vetë të përgjegjshëm për veprimet e tyre. Kryeprokurorja Rama tha se Mesila Doda ishte thirrur për të thënë llogari në rast se ajo si kryetare e KKRT-së, kishte vjelë gjobën ndaj anëtarit të KKRT-së që nuk kishte deklaruar pasurinë, një gjobë e vendosur nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive.
Raporti
Rama në raportin e saj përmendi progresin ndaj krimit të organizuar, zbulimin e disa bandave kriminale, luftën kundër trafikantëve të drogës. Kryeprokurorja Rama foli edhe mbi bashkëpunimin me organet e policisë, si dhe me homologët e huaj për të forcuar lidhjet në luftën për zbulimin dhe parandalimin e akteve kriminale. Sipas saj, goditja e grupeve kriminale ka qenë prioritet i punës së prokurorisë gjatë vitit 2007. “Janë goditur 31 grupe kriminale dhe janë dënuar 25 anëtarë të këtyre grupeve kriminale, ndërkohë që janë në hetim 22 grupe me 69 të pandehur. Janë ndjekur 379 procedime me 449 të pandehur me një rritje 18% të procedimeve. Janë ndjekur 344 raste procedimesh për doganat dhe janë dërguar për gjykim 158 të pandehur. Gjithashtu, janë ngritur 1453 raste për falsifikim të dokumenteve dhe kjo shifër vjen në ulje krahasuar me vitin paraardhës”, - tha Rama. Kryeprokurorja foli më tej në lidhje edhe me luftën ndaj prostitucionit. “Viktimat e prostitucionit shfrytëzohen jashtë vendit, kështu që kërkohet një bashkëpunim me të huajt. Kallëzimi kërkon edhe fakte, ndaj dhe është e shpjegueshme koha e gjatë që duhet për të kapur këtë veprimtari kriminale. Viktimat janë vajza të reja, shpesh nën 18 vjeç, me familje të varfra. Martesat e rreme e bëjnë shumë të vështirë kapjen e kësaj veprimtarie kriminale”, - tha Rama. Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2007 është ndërtuar njësia për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit. “Janë arrestuar disa persona për korrupsion në funksione publike dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, - tha ajo.
box
Vlerësimet
Raporti i prokurorisë u vlerësua nga të gjithë krahët politikë. Deputetët e majtë shprehën vlerësime për punën e prokurorisë. “Nga një vështrim konkret i shifrave, vihet re se krimi në disa nga zërat e tij vlerësohet në rritje. Një tregues tjetër ky që dëshmon se realiteti konkret shqiptar është krejtësisht larg deklaratave të sheqerosura që jepen nga zyra e qeverisë që në rastin më pak të keq dëshmojnë mosnjohjen e problemit nga ana e saj dhe në rastin akoma më të keq, gënjeshtrën e saj publike”, - tha deputeti i PS-së, Fatmir Xhafa.
SHKURTE
Ligji për barazinë gjinore, debatet burra-gra në Kuvend
Kuvendi ka debatuar ditën e djeshme për sa i përket ligjit të barazisë gjinore. Deputetet gra kanë pasur një debat të ashpër me një grup deputetësh burra, të cilat kanë kundërshtuar mënyrën e formulimit të projektligjit. Nisma e Ministrisë së Punës konsiston në faktin që çdo institucion duhet të ketë një përfaqësim prej 30 për qind grash në përbërje dhe këtu nuk përjashtohet askush, madje futet Kuvendi, qeveria, partitë politike, si dhe institucionet e pavarura. Ministri Barka tha se qëllimi i këtij projektligji është rritja e emancipimit të gruas në shoqëri, nisur nga pjesëmarrja e ulët e saj në vendimmarrje, pasi aktualisht vendi ka pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje me të ulëtën në botë. Në këtë pikë, debati ka qenë i veçantë, pasi deputetët janë ndarë sipas gjinisë dhe jo sipas përkatësisë partiake. Deputeti Bashkim Fino kërkoi një riformulim të ligjit. Republikani Arian Madhi e kundërshtoi ashpër, pasi sipas tij, Partia Republikane nuk ka shumë anëtarësi me gra dhe kjo do të thotë se nuk e përmbush dot detyrimin ligjor. Por nga ana tjetër, gratë deputete janë bashkuar në një, madje ato kanë marrë duartrokitje nga të ftuarit në Kuvend, si zëvendësambasadori amerikan, si dhe përfaqësuesja e FMN-së, Ann Margaret Westin. Rajmonda Stefa, Valentina Leskaj, Arta Dade, Diana Çuli etj. janë bashkuar në një duke vendosur deputetët burra të pranojnë kërkesën e tyre për miratimin e ligjit. “Halli i vetëm është fakti se rritja e grave në Kuvend do të ulte pjesëmarrjen e burrave që janë sot”, - tha Diana Çuli. “Gratë zënë një pjesë fare të vogël në elitën politike, vetëm 7%. Por edhe vetë gratë nuk kanë dëshiruar të merren aktivisht me politikë, sepse përballë strukturave historikisht të krijuara nga burrat dhe për ata, atyre në përgjithësi u ka munguar besimi në vetvete dhe te politika”, - tha Rajmonda Stefa. Gjithsesi, në funt të seancës, të dyja palët, opozita dhe mazhoranca, ranë dakord për votimin e këtij projektligji, por me kusht që të bëhen disa ndryshime teknike në të dhe ka për t’u votuar me unanimitet ditën e hënë.
Kuvendi miraton aktin, 95 trupa shtesë në Irak
Kuvendi miratoi ditën e djeshme në unanimitet Aktin Normativ që qeverisë për dërgimin e 95 trupave shtesë në Irak ose dy herë më shumë nga sa ndodhen aktualisht në Irak nga Shqipëria. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, deklaroi në Kuvend se dërgimi i trupave shqiptare në misionet paqeruajtëse është nën limitin e kapacitetit të FA-së dhe nuk cenon integritetin dhe sovranitetin territorial të Shqipërisë. Ai iu përgjigj edhe pyetjeve të deputetëve në lidhje me këtë shtesë të trupave në Irak si dhe për arsyen. “Dërgimi i trupave shqiptare në këto misione paqeruajtëse është nën limitin e kapacitetit që FA-të shqiptare kanë, si dhe është në përputhje me strategjinë ushtarake të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në dhjetor të vitit 2007. Ky mision ka filluar që në vitin 2003. Ky mision do të zgjasë për 6 muaj dhe ka një faturë financiare prej 124 milionë lekësh. Dieta ditore është e njëjtë me atë të ushtarakëve që marrin pjesë në misionin e Irakut, 85 dollarë dita”, - tha Oketa në Kuvend. Ministri i Mbrojtjes sqaroi më tej deputetët e opozitës edhe me faktin se përse është hartuar një Akt Normativ për këtë çështje, që sipas tij është bërë për efekt shpejtësie, në mënyrë që trupat të nisen që në muajin shtator.
Zjarret dhe fatkeqësitë, 5.8 milionë euro kredi për t’i parandaluar
Kuvendi ka miratuar ditë e djeshme në unanimitet një kredi prej 5.8 milionë eurosh dhënë nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim, IDA, e cila do të përdoret për rritjen e kapaciteteve për të parandaluar fatkeqësitë në vend. Projekti është një pjesë e programit të Bankës Botërore në bashkëpunim me UN ISDR për zbutjen e rreziqeve nga fatkeqësitë në vendet e Evropës Juglindore. Qëllimi i këtij projekti dhe financimi është forcimi i kapaciteteve institucionale për reduktimin e rrezikut nga katastrofat natyrore e ato të shkaktuara nga aktiviteti i njeriut dhe kufizimin e humbjeve njerëzore, ekonomike dhe financiare ndaj këtyre katastrofave. Projekti parashikohet të zhvillohet në dy faza. Kostoja totale e fazës së parë kap shifrën 5.8 milionë euro, nga të cilat 3.8 milionë euro do të financohen nëpërmjet huas së dhënë nga IDA. Kjo kredi do të jetë 20-vjeçare me interes vjetor prej 0.75 për qind.
Buxheti shtesë, të djathtët kërkojnë fonde shtesë për ish-të përndjekurit
Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi ditën e djeshme buxhet shtesë prej 270 milionë dollarësh, çka bën të mundur kalimin e tij ditën e hënë në Kuvend. Në këtë mbledhje, deputetët e djathtë kërkuan që në këtë buxhet duhet të kishte një fond shtesë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, si dhe të ish-pronarëve. Në komision ishte i pranishëm zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, i cili tha se këto fonde do të destinohen në sektorët me nevojtarë për financim. “Ky buxhet vjen në Parlament si rezultat i performancës së mirë në administrimin e të ardhurave, pra e krijimit të burimeve suplementare, si dhe si rezultat i korrigjimit të nivelit të deficitit buxhetor dhe të huamarrjes. Kemi shtuar burimet financiare me rreth 20 miliardë lekë, 14 miliardë prej të cilave i përkasin tejkalimit të realizuar nga të ardhurat tatimore, ndërsa rreth 6 miliardë lekë janë nga të ardhurat jotatimore. Nuk bëhen ndryshime në politikat e miratuara në buxhetin e fillimvitit, por ky buxhet është një vazhdim i atyre politikave. Rriten investimet dhe bëhen disa rregullime minimale në shpenzimet operative të disa institucioneve”, - tha Shehu. “Ky buxhet, - shtoi ai, - i përgjigjet dhe kërkesës për uljen e nivelit të deficitit buxhetor nga burimet e brendshme, pasi rreth 6 miliardë lekë do të përdoren për uljen e huamarrjeve të brendshme”. Deputetët e opozitës votuan kundër buxhetit shtesë.
Ruli-Braçe, replikojnë për shitjen e ARMO-s
Ditën e djeshme në Kuvend, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, si dhe nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Erion Braçe, kanë debatuar përsëri në lidhje me shitjen e kompanisë shqiptare të naftës ARMO. Ministri Ruli ripërsëriti në Kuvend se procesi i privatizimit të ARMO-s ka qenë një proces tejet transparent, mbi të cilin nuk mund të hidhen hije dyshimi. Ndërkohë deputeti i PS-së, Erion Braçe, tha se nuk ka pasur transparencë të plotë në procesin e privatizimit të ARMO-s, por këtë deklaratë Ruli e cilësoi si një denoncim të pabazë. “Nuk ka datë konkrete se kur do të mbyllet kontrata, pasi kontratat janë një proces juridik i zakonshëm mes palëve që negociojnë dhe nuk mund të mbyllen brenda ditës. Dëshira ime personale ka qenë që kjo kontratë të mbyllej dhe mundësisht të realizohej dhe votimi i saj në këtë sesion parlamentar, gjë e cila nuk besoj se do të realizohet”, - tha Ruli. Ai tha se për sa i përket menaxhimit aktual të ARMO-s, ajo nuk është në performancën më të mirë që ka pasur në vite, dhe këtu ndikon edhe reforma që po bëhet në këtë kompani. “Kjo ka bërë që ne ta mbajmë këtë kompani në një vëzhgim të përditshëm në mënyrë që të mos i hapim rrugë ndonjë shpërdorimi të gjendjes pasurore të kompanisë. Në këtë periudhë unë nuk kam asnjë të dhënë që kompania ka kaluar vetë në një regjim shpërdorimi”, - tha për këtë çështje Ruli.
Majko: “Kosovarët të trajtohen siç trajton Greqia ministrin Barka”
Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka kërkuar ditën e djeshme nga Ministri i Punës, Kosta Barka, një projektligj në Kuvend, që sipas tij, duhet t’i trajtojë shqiptarët e Kosovës, Malit të zi dhe Maqedonisë, siç i trajton Greqia minoritetin grek në Shqipëri. Majko bëri këtë kërkesë pas diskutimit të Kuvend të projektligjit për të huajt që hyjnë në Shqipëri. Ai u votua nga deputetët me shumicë votash, por Majko e ka kundërshtuar, pasi sipas tij, shtetasit me kombësi shqiptare që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë, janë të injoruar dhe trajtohen “si qytetarë nga Afrika apo India”. “Zoti ministër, është rastësi e bukur që je nga Partia e të Drejtave të Njeriut. Unë kërkoj që të sjellësh një projektligj në Kuvend, i cili të vendosë një status për shtetasit me kombësi shqiptare nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e nga çdo vend tjetër, për t’u trajtuar njësoj siç të trajton ty shteti grek”, - tha Majko. Kjo kërkesë e deputetit socialist nuk mori përgjigje nga ministri Barka, i pranishëm në Kuvend. Në bazë të projektligjit për të huajt, Policia Kufitare dhe e Migracionit kanë të drejtë të kontrollojnë dhe të hyjnë në mjediset private të të huajve, në rast se ekzistojnë dyshime të bazuara. Gjatë kontrollit, policia kërkon dokumentet e udhëtimit, lejen e qëndrimit ose dokumentin e identifikimit. Po kështu, policia ka të drejtë të shoqërojë në rajonin e policisë të huajin, i cili nuk disponon dokument identifikimi, lejen e qëndrimit, dokumentin e udhëtimit ose ndonjë dokument tjetër që provon identitetin e tij dhe është brenda afatit të vlefshmërisë. Policia Kufitare dhe ajo e Migracionit transportojnë të huajt, për të cilët ka një urdhër largimi për në pikën e kalimit kufitar ose në një institucion shëndetësor për të marrë trajtim mjekësor. Gjatë kontrollit, nëse vëren mungesë të dokumentacionit, policia merr masa për kthimin e të huajve të parregullt për në vendin e destinacionit. Autoritet policore, në bazë të këtij ligji, kanë kompetencë që të marrin masa që i huaji i ndaluar të paraqitet përpara gjykatës apo të shoqërojë atë në përfaqësinë diplomatike ose konsullore, me synim zhvillimin e intervistës së kërkuar për të siguruar dokumente udhëtimi dhe e kthen atë në institucionin ku zbatohet ndalimi.