E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka, i ftuar në festën kombëtare të UDC-së



Kryetari i PDK-së, z. Nard Ndoka, priti për një vizitë dyditore në Tiranë delegacionin e UDC-së, të kryesuar nga z. Luixhi Barufi. Ai shoqërohej në këtë vizitë edhe nga zyrtarët e lartë të UDC-së z.Paganeli Viskardo e Domeniko Alesio. Delegacioni i Unionit Demokristian Italian i dorëzoi zyrtarisht kreut të PDK-së, z. Nard Ndoka, ftesën e sekretarit të Unionit Demokristian, Lorenco Çeza, për të marrë pjesë në festën kombëtare të UDC-së, në programin e Kiançanos. Në ftesën e tij, z. Çeza shkruante se gjatë kësaj vizite do të jetë rasti për t`u takuar dhe për të biseduar për bashkëpunimin e mëtejshëm midis dy partive, për të thelluar më tej miqësinë dhe solidaritetin midis dy partive.

“Për më tepër, do të jetë ky rast, që do të na japë mundësinë, përveç të tjerave, që të kemi në një takim politik konstruktiv dhe unik mbi perspektivat e vendeve tona dhe do të diskutojmë tema të përbashkëta, siç është integrimi evropian dhe hyrja në PPE”, - shkruan ndër të tjera në ftesën e tij z. Çeza. Gjatë këtij takimi z. Ndoka do të takohet me presidentin e UDC-së z. Pier Ferdinando Kazini, sekretarin e kësaj partie z. Lorenco Çeza si dhe ish-kryetarin, Roko Butiljone. Gjithashtu, z. Ndoka do të prezantohet para partive të tjera demokristiane e kristiandemokrate dhe do të mbajë një fjalë në një seancë të veçantë. Duke versuar këtë ftesë si ndër më të rëndësishmet për PDK-në, z. Ndoka theksoi se ky është një moment shumë i rëndësishëm i mbështetjes së UDC-së për Partinë Demokristiane. Ndoka vlerësoi sidomos mbështetjen e kësaj partie për anëtarësimin tonë në PPE. Gjatë takimit Ndoka-Barufi, kreu i PDK-së mori konfirmimin se presidenti i UDC-së, z.Pier Ferdinando Kazini do të vijë në Shqipëri gjatë fushatës së ardhshme elektorale për të mbështetur PDK-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›