E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënimi i krimeve, kusht për pajtimin kombëtar



Ju sjell në memorie, duke u përulur me nderim para gjithë atyre fisnikëve dhe intelektualëve, që diktatura e egër komuniste i mori zvarrë, i vrau pa gjyqe, i burgosi, i internoi, u mohoi të drejtën më legjitime, lirinë, u mohoi të drejtat dhe detyrat si qytetarë shqiptarë. Madje u kanë mohuar edhe identitetin, sa sot nuk dinë se cilët janë në të vërtetë. Në Kosovë e Çamëri u ndoq gjenocid nga të huajt, kurse ne na shfarosën vëllezërit e një gjaku. Vetëm tela me gjemba, hekura, biruca, mure betoni të dukshme dhe të padukshme, e ndanin çdo shqiptar nga liria që gëzonin fqinjët tanë, nga kultura dhe zhvillimi perëndimor. Në Shqipëri nuk bëheshin luftëra, por për gjysmë shekulli u derdhën lumenj gjaku të pafajshëm, duke e shndërruar këtë komb, në më të drobiturin e shekujve dhe në armik të njëri-tjetrit. Këtu s’kishte skllavopronar, por kishte skllevër që punonin pa shpërblim në miniera, kanale, këneta, aerodrome dhe pallate, si në Mesjetë, shteti komunist i tipit sllav i huajtur nga idealist-nacionalistë që kërkonin dhe kërkojnë ta shpërbëjnë kombin më të lashtë të botës, Shqipërinë pellazgo-ilire. Si mund të quhej një shoqëri që jetonte gjasme në “paqe, pa mëri dhe mllefe”, kur u bë armik babai me djalin, vëllai me vëllanë dhe u arrit deri aty sa, gruaja spiunoi burrin? A kishte më moral familja shqiptare, kur fjala e individit diktohej nga partia, kur kyçej mendimi në zgavrat e errëta të shpirtit dhe ndërgjegjes së plagosur? A kishte liri veprimi kur çdo shqiptari i detyrohej mënyra e jetesës që duhej të bënte, duke arritur deri në martesat e kushtëzuara, se kështu zbatohej vija marksiste-leniniste e partisë. Kjo a quhet liri, a ka ndonjë element të përbashkët me pavarësinë e kombit dhe të individit? Kurrë. Zotërinj, për gjysmë shekulli jetuam kohën e një skllavërie të padeklaruar.

Pas një kalvari vuajtjesh gjysmëshekullore, u përmbys diktatura më kriminale e botës dhe u çel një dritë jeshile edhe për shtresën e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë. Pjesëmarrja në rrëzimin e diktaturës, anëtarësimi në PD, puna për konsolidimin e demokracisë, që i ka dhënë kjo shtresë, forcës më të madhe politike më 1990-2008 e në vazhdim, ishte e vetmja shpresë për këtë segment të mohuar të shoqërisë. Ashtu siç kuptohet nocioni komb: “Një popull, që jeton brenda një trualli, që ka një gjuhë dhe një traditë”, them se edhe fisi, familja, janë ndërtuar në bazë të territorit tokësor, pra i lidh prona dhe gjaku. Për analogji, familjen e quaj një mini-shtet, i cili ka detyrime morale, materiale dhe politike ndaj kombit mëmë. Pra prona është po aq e shenjtë sa kombi.

*Si realizohet dekomunistizimi i shoqërisë?

- Dekomunistizimi si domosdoshmëri për t’i hapur rrugën zhvillimit demokratik, duhet të nisë me rishkrimin e historisë së Shqipërisë e cila për gjysmë shekulli ishte e politizuar, e gjysmuar dhe e gënjeshtërt.

-Ligji 7501 mbi pronën është një reformë agrare e dytë, ku përsëri u denigrua pronari legjitim, i cili e priti demokracinë me shpresë se ishte një qenie e mohuar dhe e varfëruar materialisht dhe mendërisht.

- Zotërinj, ka 18 vjet që ende quhemi “ish-pronarë”, “ish-të përndjekur”, “ish-fisnikë” dhe “ish-të burgosur”. E kuptoni që përsëri ndihemi inferiorë dhe të diskriminuar? A do të vihet ndonjë herë shenja e barazimit mes shqiptarëve? Nuk e di. Kjo varet nga shteti shqiptar, nga ne dhe nga pastrimi dhe pasurimi i ndërgjegjes së gjithë të shqiptarëve.

Që të mos ketë më diferencime raciale mes klasave, që edhe ne të rehabilitohemi dhe të integrohemi me të drejta të barabarta, qeveria shqiptare në bashkëpunim me organizmat e tjera politike e me mbështetjen e ndërkombëtarëve, duhet të zbatojë disa kërkesa që janë domosdoshmëri dhe të patjetërsuara për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE.

-Kthimi i pronave: Shteti demokratik, sipas përvojës botërore, ndërtohet vetëm kur prona shkon tek pronari legjitim. Për kushtet tona, për të mënjanuar konfliktet sociale, së paku të njihet ligjërisht pronari legjitim. Kjo rrit personalitetin e tyre dhe i bënë që ata të gjejnë veten. Rritja e nivelit ekonomik bënë që ai të zërë vendin e vet në shoqëri. Vallë ku do ta gjejnë pronarët legjitimë pronën e rrëmbyer me dhunë, kur ato janë tjetërsuar dhe vazhdojnë të transkriptohen nga mafia e tokave, me prejardhje komuniste, nën maskën e të persekutuarit?

- Zbatimi rigoroz dhe jo formal i ligjit të dosjeve: Asnjë kriminel apo bir krimineli, që mban peshën e krimit, s’ka të drejtë të ketë detyra me rëndësi në qeveri, në legjislativ dhe aq më tepër në drejtësi. Ky ligj duhet të zbatohet me vërtetësi, se ne shqiptarët i njohim mirë bëmat e njëri-tjetrit.

- Dënimi i krimeve politike të komunizmit si gjenocid shfarosës brenda popullsisë së një race e një gjaku dhe jo të jepen dënime për metrazhe dhe kafe.

-Lufta kundër korrupsionit duhet të bëhet nga njerëz të pastër, të papërlyer dhe jo nga mafiozët, që nxjerrin të pafajshëm hajdutin. Nuk duhet vetëm sa t’i tregojmë botës se po luftojmë korrupsionin, duke pushuar nga puna fëmijët e të persekutuarve, ata që s’kanë mbështetjen e ish-Sigurimit të Shtetit, të cilët flaken nga puna vetëm se u dalin ndesh veprimeve të pangopura korruptive. Kur shkelet ligji, duhet të vendosë drejtësia. Por për fat të keq, administratorët tanë ndjekin rrugën e mesme me urdhrin: “Ose jep dorëheqjen, ose denoncim në prokurori”. Ky urdhër lë shije të keqe. Aty ku ndërtohet shteti i së drejtës, ligji nuk njeh rrugë të mesme: “Ose, ose”. Kush gabon, duhet të paguajë. Këtë aspekt duhet ta shohë mirë qeveria demokratike, sepse bijtë e kriminelëve dhe të komunistëve kanë penetruar në të gjitha organizmat shtetërore. Klanet mafioze, komuniste po e shkatërrojnë pushtetin demokratik dhe po bëhen pengesë për realizimin e programit të tij, duke përndjekur dhe përjashtuar intelektualë të aftë profesionalisht, bijtë e atyre, që përherë e kanë ëndërruar kulturën perëndimore.

-Pushime nga puna pa asnjë motiv, e cila është metodë komuniste. E drejta dhe faji ngelen jetimë, sepse këta njerëz kanë ndjekur hierarkinë deri tek pushteti qendror dhe nuk marrin përgjigje. Kjo të kujton diktaturën, kur na mohuan profesionin. Trokisnim në çdo portë për një punë të rëndomtë, ku si mjete jetese të ishin veglat e varrit dhe nuk na jepej përgjigje.

-Fëmijët tanë janë brezi i katërt që persekutohen. Më lind e drejta të pyes: Sa për qind të Parlamentit, të qeverisë, të diplomacisë, gjyqësorit apo administratës së mesme shtetërore janë të përndjekur?! Këto vende i kanë zënë bijtë e kriminelëve që zhvilluan luftën makabre të klasave.

-Komunistët e duan kapitalizmin, por me marksizëm-leninizmin në xhep. Kriminelët dhe fëmijët e komunistëve u bënë shtetas amerikanë apo të shteteve evropiane, madje të pajisur me statusin e të persekutuarit, kurse të persekutuarit e vërtetë janë pa punë, pa pronë e vuajnë për një vizë.

-Rishkrimi i historisë së letërsisë që bashkë me historinë kombëtare, vazhdojnë të helmojnë shpirtrat e dëlirë të fëmijëve dhe studentëve, sepse emrat e xhelatëve dhe diktatorit janë ende mite dhe heronj.

Që të ecim bashkë në të njëjtat shina, pa dallime raciale, të ndërtojmë shtetin e së drejtës, duhet të realizohen këto kërkesa. Demokracia ka nevojë për vlerat e pazëvendësueshme të femrës dhe të rinisë. Shqiptarët duhet të ndryshojnë mendimet për njëri-tjetrin si shtresë shoqërore. Këto janë kërkesat minimale të kësaj shtrese të mohuar. Thonë se po nuk qau foshnja, nëna harron t’i japë gji! Atëherë kam të drejtë të thërras: “Jemi edhe ne, pjesë e palcës së kombit, ndaj kujtohuni që jemi këtu dhe jemi më të gjallë se kurrë!” Vlerësimi i merituar dhe angazhimi nga gjithë institucionet tona, siguron integrimin e kësaj shtrese dhe të Shqipërisë!

U drejtohem të gjithë shqiptarëve: Pajtimi kombëtar sjell vetëm dashuri dhe na largon nga urrejtja dhe mllefet.

*Fjala nga Konventa e Dytë Mbarëkombëtare e të Përndjekurve Politikë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›