Borchardt: Liberalizimi i vizave do të zgjasë
Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt në një prononcim për median shprehet se procesi i liberalizimit të vizave të Shqipërisë me BE-në do të zgjasë dhe mbi të gjitha kërkon plotësimin e kushteve dhe të reformave. Borchardt ka përcaktuar disa nga fushat në të cilat Shqipëria duhet të bëjë përmirësime të dukshme, probleme të cilat janë evidentuar edhe në progres-raportin e publikuar pak ditë më parë. “Shqipëria duhet të bëjë më shumë në drejtim të kontrollit të kufijve apo në pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike, të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar, si dhe të reduktojë fenomenin e pastrimit të parave”, tha ambasadori për “Vizion Plus”. Sipas tij: “Komisioni do të bëjë rekomandim për liberalizmin e vizave në verën e vitit 2010 dhe më pas vendet anëtare do të vendosin”. “Po t’i referohemi rastit të Maqedonisë, ky proces u mbyll në mos gaboj në nëntor, besoj edhe për Shqipërinë do të ndiqet e njëjta skemë”, u shpreh Borchardt. Lidhur me aplikimin e Shqipërisë, për të përfituar statusin e vendit kandidat për në BE, ambasadori u shpreh se Gjermania nuk ka kundërshtim ndaj këtij procesi. “Së pari, janë çështje teknike dhe jo politike ato që shtynë shqyrtimin e kërkesës. Teknikisht, funksionon që Bashkimi Evropian do të kërkojë më shumë detaje për reformat e kryera në vend. Kjo analizë do të marrë të paktën një vit kohë. Ne patën problemet tona të brendshme, duhet të presim konstituimin e Parlamentit tonë dhe më pas do të marrim edhe një vendim për Shqipërinë. Por nuk ka asnjë rezistence gjermane kundrejt kësaj kërkese”, deklaroi Borchardt.