E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Tereza, dorëzohet Berisha

 

ADI SHKEMBI

Tirana zyrtare mund të tërhiqet nga kërkesa e saj për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës në vendin tonë, pas përgjigjes negative të Indisë. Në ditën e lumturimit të Nënë Terezës, kryeministri Sali Berisha vizitoi misionin e motrave të Urdhrit që mban emrin e shenjtores në Tiranë. Por duke folur për rikthimin e eshtrave të saj së bashku me ato të Mbretit, Ahmet Zogu dhe Fan Noli, kreu i ekzekutivit e cilësoi këtë një vendim të vështirë, teksa shtoi se një figurë kaq e madhe nuk mund të kthehet në kundërshti mes dy kombeve. “Kërkesa ime është thjesht njerëzore, sepse kam bindjen se, në fund të fundit, çdo njeri, çdo vajzë do të dëshironte, po ta kishte të mundur të prehej pranë eshtrave të nënës dhe motrës së saj. Nuk mund të them se do të ketë një vendim pozitiv nga autoritetet indiane, sepse ky është një vendim i vështirë, por ajo që mund të them është se kjo është një temë dialogu dhe dua të theksoj se një simbol kaq i madh dhe i çmuar, që bashkon dy kombet tona nuk mund të jetë gjë tjetër veçse i tillë, nuk mund të shndërrohet në një kundërshti midis dy kombeve dhe dy vendeve tona”, theksoi Berisha. Sipas tij: “Gonxhe Bojaxhi u bë Nënë Tereza në Kalkuta të Indisë dhe ajo meriton më shumë se çdo gjë tjetër të quhet Nënë Tereza e Kalkutës. Nga ky qytet dhe nga ky vend i madh ajo u shndërrua në një shenjtore të gjallë të mbarë njerëzimit dhe nuk ka diskutim që i përket Indisë, i përket Kalkutës, që e bën atë Nënë të njerëzimit”. Pak ditë më parë përmes një konference për shtyp kreu i ekzekutivit u shpreh se Qeveria do të ngrejë një komision të posaçëm për rikthimin e eshtrave të Mbretit Zog, teksa shtoi se një kërkesë do t’i bëhet edhe Indisë për eshtrat e shenjtores. Por vetëm një ditë më vonë erdhi reagimi i autoriteteve nga Nju Delhi (kryeqyteti i Indisë), sipas të cilave Tirana zyrtare nuk mund ta bëjë një kërkesë të tillë për shkak se nuk e lejoi atë të rikthehej deri në 1990 në Shqipëri. Berisha e cilësoi 19 tetorin, ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës si një ditë të shënuar për mbarë njerëzimin. Në misionin e motrave të Urdhrit të Nënë Terezës strehohen 50 persona në nevojë apo me aftësi të kufizuara, të moshuara, gra dhe fëmijë. Gjithashtu, misioni u vjen në ndihmë edhe 100 familjeve shqiptare në nevojë. Kryeministri Berisha, pasi u përshëndet me banorët e kësaj strehe, vizitoi ambientet e saj, u interesua për problemet dhe nevojat e tyre. Kryeministri Berisha tha se qeveria është e vendosur në luftën e saj kundër varfërisë dhe në këtë qëllim, do të vendosë një bashkëpunim jo vetëm me Urdhrin e Nënë Terezës, por edhe me organizata të tjera në mënyrë që në Shqipëri të mos ketë familje që jetojnë në mjerim.

Kisha: Eshtrat e shenjtëve, aty ku kanë vdekur
Përfaqësuesi i Kishës Katolike, dom Gjergj Meta tha dje se eshtrat e shenjtëve mbeten aty ku kanë vdekur, pasi ato kthehen në vende pelegrinazhi për besimtarët dhe misioni i Nënë Terezës ka lindur dhe ka marrë kuptim në Kalkuta të Indisë. “Varret e shenjtërove përgjithësisht bëhen edhe vende pelegrinazhesh. Varri nuk është thjesht një varr në vetvete, por është krejt një kontekst në të cilin ka lindur vepra, karizma e Nënë Terezës, që është India, është Kalkuta”, tha dom Gjergj Meta. Sipas tij “Vetë Nënë Tereza tha se: ‘Nëse një ditë do të jem shenjte, do të jem shenjte e errësirës’. Këtu qëndron edhe merita e madhe e Nënë Terezës. Kjo jo vetëm nuk e ngadalëson procesin, por përndryshe edhe e përshpejton sepse mbi të gjitha ajo qëndron besnike dhe thotë: ‘Kërkoj vetëm Zotin dhe e di që vepra, që unë po bëj është vepra e tij’”, shprehet dom Gjergj Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›