E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Ne në zgjedhje, nuk e lemë të majtën pa alternativë

 

LSI mblodhi dje kryesinë e saj ku diskutoi rreth zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit. Kryetari i saj, Ilir Meta tha se LSI nuk do të lerë elektoratin e majtë pa alternativë. “Ju e dini që më 15 nëntor zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore. E dini dhe vendimin e PS-së për t’i bojkotuar, sigurisht kjo është e drejta e tyre. Por, sigurisht, është dhe përgjegjësia jonë që të mos i lëmë qytetarët në këto zona ku do zhvillohen zgjedhjet vendore, pa alternativa, pa mundësi zgjedhjeje dhe në radhë të parë ata qytetarë, të cilët janë të majtë dhe preferojnë të votojnë për një alternativë të majtë”, u shpreh Meta. Duke shprehur angazhimin dhe përgatitjet e forcës politike që drejton, Meta dha cilësitë e kandidatit të LSI-së në garën për minibashkinë Nr. 10 në kryeqytet. “Ne kemi shpallur kandidatin tonë për minibashkinë nr. 10 të kryeqytetit, që është një anëtar i forumeve tona tashmë dhe ai i ardhur nga Partia Socialiste, pedagog i planifikimit dhe zhvillimit urban, z. Gjergji Thomai. Jam i bindur që me programin e tij, dhe me programin tonë gjatë këtij muaj dhe me mbështetjen e komunitetit të zonës do të ketë të gjitha mundësitë dhe për ta drejtuar këtë zonë pas 15 nëntorit”, u shpreh kreu i LSI-së. Sipas tij: “Ne do të shpallim dhe katër kandidatët e tjerë në ditët në vijim, dhe për këtë janë orientuar të gjitha strukturat drejtuese në rrethet përkatëse, dhe në krye të këtij shtabi do të jetë zv/kryetari i LSI-së, z. Edmond Haxhinasto”. Kreu i LSI-së i kërkoi anëtarëve të kryesisë të punojnë për një ringritje të kësaj force, e cila do të bëjë në të gjitha strukturat e saj analizën e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Jam i bindur se, përveç angazhimit tonë në qeverisjen e vazhdueshme në të gjitha nivelet, ne do të vazhdojmë që nga kryesia këtu dhe në të gjitha strukturat tona në të gjitha rrethet, për të ecur më tej në analizën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe njëkohësisht për të përgatitur dhe shtratin për zgjedhjet e reja të LSI-së në të gjitha nivelet gjatë fillimit të vitit të ardhshëm”, u shpreh Meta. Sipas tij, mirëqeverisja mbetet sfida e LSI-së. “Në radhë të parë, sfidat tona janë vetë ato të qeverisjes, si vetë forcë bashkëqeverisje, që kanë të bëjnë më arritjen e objektivave shumë të rëndësishme kombëtare në një plan afatshkurtër, lidhur me garantimin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian dhe në një plan afatgjatë, lidhur me marrjen e statusit kandidat dhe fillimin e negociatave për anëtarësimin tonë në BE”, u shpreh Meta para anëtarëve të kryesisë së LSI-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›