E Diel, 1 Nëntor 2026

Ajrosni makinat ku shkon temperatura 70 gradë

Autori i Lajmit: red.
Me ardhjen e stinës së ngrohtë, shumë njerëz vrapojnë drejt deteve e liqeneve, por jo të gjithë i gëzohen kësaj stine, e veçanërisht të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës. Gjatë një dite me shumë diell, enët e gjakut zgjerohen dhe nga trupi ynë dalin djersët. Avullimi i djersëve në sipërfaqen e lëkurës bën freskimin e saj dhe në këtë mënyrë e mban temperaturën e trupit në vlera konstante. Në kushte ekstreme (temperatura të larta), mund të ndodhë prishja e këtij sistemi të ftohjes, duke manifestuar një sërë çrregullimesh në organizmin tonë. Pirja e ujit në sasi të madhe është e domosdoshme, ngaqë me anë të djersitjes trupi humbet sasi të madhe lëngjesh dhe kripërash të mangenziumit dhe shumë elektroliteve tjera, gjë që trupi duhet t i kompensojë. Të përshtatshme për këtë janë uji mineral dhe lëngjet e frutave. Ata që mësyejnë bregdetin me automjete, duhen të kenë veçanërisht kujdes të madh, sepse temperaturat deri në 70 gradë në brendësi të automjetit janë diçka që ndodh shpesh. Nën ndikimin e nxehtësisë rritet frekuenca e zemrës, gjë që shpie në lodhje të parakohshme e marramendje, duke zvogëluar aftësinë e manovrimit dhe si pasojë e kësaj, gjatë stinës së verës rritet numri i aksidenteve në 20%! Për të mos ardhur deri te kjo, këshillojmë të gjithë ata që bëjnë rrugë të gjatë (e sidomos emigrantët), të bëjnë sa më shpesh pauza të shkurtra dhe të ajrosin makinat.
Shmangni mbingarkesat!
Dozat e ilaçeve të tensionit duhen rishikuar me vapën
Mos mbingarkoni veten me punë të rënda ose sport, sepse çdo veprim e lëvizje rrit harxhimin e energjisë dhe temperaturën e trupit. Eshtë më mirë të merreni me sport në orët e mëngjesit ose mbrëmje. Ushqimi të merret në racione të vogla dhe të shpeshta. Largojuni përdorimit të pijeve alkoolike edhe pse shpesh një birrë e ftohtë mendojmë se shuan etjen, ajo tërheq me vete një sasi të madhe të ujit e që për organizmin tonë është ngarkesë e panevojshme. Po ashtu, pijet nuk duhet të jenë të ftohta, pasi të ftohtit ngacmon organizmin tonë për prodhimin e nxehtësisë!
Problem paraqesin marrja e medikamenteve të caktuara. P.sh. barërat që përdoren për uljen e presionit të gjakut. Gjatë muajve të verës shpesh duhet reduktuar marrja e tyre, pasi të nxehtit mund të ulë shtypjen e gjakut dhe si pasojë kemi vlera shumë të ulta. Për këtë gjë kontaktoni gjithsesi mjekun!
Gjatë ditës është mirë të mbylleni në shtëpi. Në mëngjes dhe mbrëmje ajrosni dhomat dhe gjatë ditës mbuloni dritaret me perde o grila. Kujdes i duhet kushtuar edhe veshjes që mbani. Fëmijet të mbajnë gjithnjë kapelë mbi kokë. Nëse asnjëra nga këto nuk ju ndihmon, atëherë provoni të freskoni me ujë të ftohtë pjesën e brendshme të nyjes së dorës ose më mirë një zhytje në ujë të ftohtë të parakrahëve dhe këmbëve.
Pakësoni kafet, largojnë ujin nga trupi
“Kush është i sëmurë, ka etje.” Kjo thënie vërteton se shumica e aneksave, kanë burimin nga marrja në sasi të vogël të lëngjeve. Shtrohet pyetja: Ç lloj lëngjesh duhet pirë? Ujë nga ujësjellësi apo ujë mineral të pagazuar?! Atëherë të marrim më mirë ujë mineral?
Po dhe jo, pasi është në pyetje çmimi.
Lëngjet e frutave dhe të perimeve përmbajnë në fakt shumë vitamina dhe minerale, por edhe sasi të lartë sheqeri. Kafja dhe çaji të merren vetëm në masë të caktuar, pasi këto sikurse pijet alkoolike largojnë nga trupi sasi të madhe uji. Sigurisht që dini se njeriu mund të jetojë rreth një muaj pa ushqim, por vetëm 5 deri në 7 ditë pa ujë! Njeriu humb çdo ditë rreth 1.5 deri 2.5 litra ujë, gjë që duhet zëvendësuar me anë të pirjes së rregullt të ujit. Diku rreth 1.3 litra largojmë me urinim, 1 litër me anë të lëkurës dhe frymëmarrjes dhe rreth 300 ml me anë të jashtëqitjes. Rreth 2/3 e peshës trupore e përbën uji. Kjo sasi uji nuk është e njëjtë tek të gjithë, varet nga mosha dhe gjinia. Nga mungesa e ujit, rritet rreziku i sëmundjes së veshkave, bllokimi dhe infeksioni i rrugëve urinare, lëkura dhe mukoza thahet, gjë që mundëson depërtimin më të lehtë të viruseve dhe baktereve në brendësi të trupit.
Gjatë temperaturave të larta, aktiviteve të rënda fizike, diaresë dhe etheve, shtohet nevoja për ujë. Ata që djersiten shumë, ata që shpesh janë në lëvizje e udhëtim ose ata të cilët me kënaqësi shkojnë në sauna, duhet të llogarisin se duhet shtuar sasia e ujit deri në tri herë!
Etja shkaktohet kur trupi ynë ka humbur më shumë se 0.5 % të peshës në formë të ujit. Kështu, një person që peshon 70 kg. ndjen etje pas një humbjeje prej 350 ml uji. Shpesh, ndodh që kjo ndjesi të mos përceptohet e sidomos në pleqëri, kur bie aktiviteti i qelizave dhe receptorëve që përceptojnë etjen.
Në gjendje stresi fare pak mund të përceptojmë etjen, që ka për pasojë zvogëlimin e koncentrimit dhe shfaqjen e lodhjes.
Uji i paktë në organizëm është shkaktar i shpeshtë i kokëdhembjeve. Uji ndihmon të humbni në peshë, pa marrë parasysh se ç lloj diete mbani. Uji nuk përmban kalori, por ama ndihmon në harxhimin e energjisë p.sh. ata që pinë 1.5 deri 2 litra ujë (edhe ata që vuajnë nga mbipesha) në ditë bëjnë djegien e 100 kilokalorive ( rreth 7000 kcal permban 1 kg ind djamor).
Gjatë çdo ngrënieje, shoqëroni ushqimin me lëngje, e veçanërisht preferohet 0.5 l ujë (jo të ftohtë) para ushqimit, sepse mbush lukthin dhe stimulon metabolizmin. Varësisht nga mbingarkesat dhe aktivitetet fizike që kryejnë individë të caktuar, marrja e lëngjeve në sasi të madhe është e domosdoshme. Sportet e ndryshme dhe kohëzgjatja e stërvitjeve, bëjnë që një sportist të humbë 1 deri në 4 litra lëngje me anë të djersëve!
Përgatiti D. Kona
Ky lajm është publikuar: 02/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›