Akademia, Blushi: Qëllimi i vetëm, ndryshimi i historisë
Berisha shprehet se '97 do të mbahet në histori si rebelim i mirëfilltë komunist
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi ka akuzuar dje kryeministrin Berisha se me reformën në Akademinë e Shkencave synon vetëm ndryshimin e historisë së Shqipërisë. Gjatë diskutimit dje në Parlament, Blushi është shprehur se, nëse synimi i vërtetë i reformës do të ishte desovjetimi i Akademisë së Shkencave, atëherë kjo duhet të kishte ndodhur në qeverisjen e parë të PD-së, 1992-'96. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi, dhe sipas Blushit, me këtë reformë kryeministri Berisha do vetëm të zgjidhë çështjen e raportit të tij me historinë e vendit. "Ky është raporti me vitin 1997 dhe Sali Berisha çfarë do që të bëjë, të shtrojë rrugë, të rrisë pagat, të rregullojë pensionet, të rrisë taksat, raportin me vitin 1997 nuk e përmbys dot. Është i vetmi kryetar shteti që ka hedhur tankun në rrugë, për të përmbysur një revoltë qytetarë të popullit të vet. Raportin me historinë duhet ta ndryshojë për këtë arsye dhe nuk e ndryshon dot po nuk ndryshoi Akademinë, dhe kjo frymë për të ndryshuar historinë ka filluar",- u shpreh Blushi, duke përmendur dekorimin që Kryetarja e Kuvendit bëri para pak ditësh për firmëtarë të Aktit të Pavarësisë dhe patriotë. Sipas deputetit Blushi, Kryetarja e Kuvendit ka dekoruar kolaboracionistë dhe profashistë, si Lef Nosi dhe në mënyrë ironike përmendi faktin që, prej ditësh transmetohet lajmi se si disa sende personale që janë përdorur dikur nga Ali Këlcyra, i dekoruar para pak ditësh nga Topalli, i janë dhuruar muzeut të Shqipërisë. "Nuk është çudi, që pas dy-tre vjetësh, nëse larg qoftë jeni akoma në pushtet, në muzeun kombëtar të përfundojë krehri i Sali Berishës, apo ndonjë karficë e Jozefinës, apo ndonjë termometër i zooteknikut Bamir Topi, që i ka matur temperaturën ndonjë viçi",- u shpreh Blushi. Pas deklaratës së deputetit të PS-së ka reaguar kryeministri Berisha, i cili deklaroi se, historia duhet të rishkruhet, pasi ajo nuk është shkruar siç ishte gjatë regjimit komunist dhe shtoi se, ai nuk punon asnjë ditë për historinë, por për qytetarët shqiptarë. Duke u ndalur te vitit 1997, Berisha tha se, në cilindo variant që të shqyrtohet, "'97-ta del rebelim i mirëfilltë komunist".
Berisha: Krerët vendore do
pajisenme pasaporta shërbimi
TIRANË- Përveç diskutimeve për rendin e ditës, në seancën e djeshme plenare janë ngritur mjaft shqetësime të ndryshme nga deputetët e Kuvendit. Një i tillë ka qenë ai nga deputeti i PDK-së, Frrok Gjini lidhur me mundësinë që kanë krerët e pushtetit vendor për të marrë një vizë. Sipas Gjinit, është e turpshme që një kryetar bashkie të rrijë me ditë të tëra para ambasadave për të siguruar një vizë për të udhëtuar jashtë shtetit. Në këtë kuadër, Gjini i ka kërkuar kryeministrit Berisha që të merret me këtë çështje, mundësisht të rikthejë në qeveri ligjin e shfuqizuar gjatë qeverisjes socialiste, i cili parashikonte pajisjen e krerëve vendore me pasaportë shërbimi. "Përfitoj nga ky moment të kërkoj ndërhyrjen tuaj Kryeministër lidhur me një shqetësim që ka të bëjë me pajisjen e kryetarëve të bashkive me viza. Atyre u duhet të rrinë me ditë para ambasadave për të siguruar një vizë", është shprehur Gjini. Kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar të drejtë shqetësimin e ngritur nga deputeti demokristian dhe tha se, shumë shpejt do të kalojë në qeveri projektligji për trajtimin e krerëve të pushtetit vendor. Në këtë projektligj, sipas Berishës, do të trajtohet edhe çështje e vizave të kryetarëve të bashkive dhe komunave, dhe ai shumë shpejt do të vijë për t'u diskutuar dhe miratuar në Parlament.