Akademia e Shkencave, Berisha kundër Meidanit
Miratohet projektligji i Akademisë së Shkencave. Kuvendi degjeneron në debate personale
"Dërguat kryetarin e "Qemal Stafës", të bëhet kryetar i Akademisë së Shkencave me çerekun e votave"
TIRANË- Kuvendi miratoi mbrëmë draftin më të debatueshëm të miratuar së fundmi nga qeveria, ajo për Akademinë e Shkencave edhe pse me një numër të limituar votash, 68 pro dhe 35 kundër. Projektligji për Akademinë e Shkencave u miratua mbrëmë vonë, ndërkohë që për herë të parë, gjatë shqyrtimit të draftit në Kuvend,kryeministri Sali Berisha ka shprehur publikisht mos aprovimin e tij për zgjedhjen e Rexhep Mejdanit në krye të Akademisë së Shkencave. Ndonëse nuk mohoi konsideratën për punën kërkimore shkencore të Mejdanit si akademik, Kryeministri ka atakuar zgjedhjen e tij si kryetar i Akademisë së Shkencave. Gjatë diskutimeve në Parlament për ligjin e "Akademisë së Shkencave", kreu i mazhorancës ka deklaruar se, në krye të këtij institucioni është zgjedhur Presidenti i Fondacionit "Qemal Stafa" dhe vetëm me çerekun e votave. Por, siç bëhet e ditur nga fondacioni, Mejdani nuk është President apo Kryetar i fondacionit, por vetëm kryetar i Bordit Këshillimor të tij. Ndërkaq, sipas Kryeministrit, nuk është aspak normale që në Akademi të ketë nga ata që vetëshpallen me çerekun e votave. "Nuk mund të pranojmë forma të tilla organizimi. Kryetari i fondacionit "Qemal Stafa" u bë kryetar i Akademisë. Ju e partizuat. Dërguat kryetarin e "Qemal Stafës", të bëhet Kryetar i Akademisë së Shkencave me çerekun e votave. Unë vlerësoj dhe se mohoj kontributin e Mejdanit në fushën e kërkimit shkencor, por jo postin që ai mori me çerekun e votave",- u shpreh kryeministri Berisha, duke theksuar se ligji nuk synon aspak politizimin e Akademisë, por reformimin e saj dhe shkëputjen nga modeli sovjetik. Por deputetët e opozitës kanë reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit. Kryetari i grupit parlamentar i LSI-së, Sabit Brokaj u shpreh se, nuk është mirë që emri i Mejdanit, një akademiku të njohur, të përflitet në këtë mënyrë në Kuvendin e Shqipërisë. "Më vjen mirë që vlerësoni kontributin e tij, zoti Kryeministër, por nuk duhet të përflitet në këtë mënyrë për emra si ai i Meidanit",- tha Brokaj. Debati i djeshëm parlamentar mbi Akademinë e Shkencave vazhdoi edhe më tej në historinë e vendit tonë dhe përfundoi deri në atë pikë sa, deputetët bënë deklarata mbi gjyshërit e tyre apo të kolegëve të tyre. Gjithçka lindi nga deklarata e deputetit të PS-së, Ben Blushi, se reformimi i Akademisë së Shkencave bëhet nga kryeministri Berisha për të ndryshuar historinë e vendit tonë. Madje për këtë çështje, tha Blushi, tre ditë më parë në Kuvend u dekoruan kolaboracionistë, si Lef Nosi. Kjo deklaratë ka sjellë reagimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, sipas së cilës, Blushi e lidh këtë çështje me gjyshin e vet dhe me një histori të gjyshit të vet me Lef Nosin në atë periudhë. "Gjyshi i vet, tha që nuk kam qenë komunist, por kam shfrytëzuar komunizmin. Në fakt, unë nuk besoj se dekorimet kanë të bëjnë me historinë dhe me gjyshin dhe me lidhjet me gjyshat",- tha ajo. Në përgjigje të kësaj deklarate, deputeti Blushi u shpreh se, ai ndjehet mjaft i nderuar për emrin e familjes së tij, me bindjen se, kur gjyshi i tij u nda nga kjo jetë, kishte më shumë libra sesa ka pasur gurë shtëpie gjyshi i Topallit. Gjatë seancës së djeshme plenare, kur diskutohej ligji i Akademisë së Shkencave, nuk munguan as komunikimet e kryeministrit Berisha me deputetët socialistë nëpërmjet letrave. Pas diskutimit mbi gjyshërit e deputetëve, Berisha ka shkruar një letër, të cilin nëpërmjet një prej sekretarëve të Kuvendit ia ka dërguar deputetit Bashkim Fino, e cili e lexoi së bashku me deputetin Ben Blushi që e kishte afër.
Blerina Sinani
Replikat
Ben Blushi
E pashë para tre ditësh Kryetaren e Kuvendit, ka dekoruar kolaboracionistë. Është dekoruar Lef Nosi. Me pompozitet, Lef Nosi ka qenë kolaboracionist. Ka pesë ditë, mbushen gjithë televizionet se si u dhurua makina e rrojës së Ali Këlcyrës. Po përse i duhet muzeut të Shqipërisë, se me çfarë rruhej Ali Këlcyra? Nuk është çudi, që pas dy-tre vjetësh, nëse larg qoftë jeni akoma në pushtet, në Muzeun Kombëtar të përfundojë krehri i Sali Berishës, apo ndonjë karficë e Jozefinës, apo ndonjë termometër i zooteknikut Bamir Topi, që i ka matur temperaturën ndonjë viçi.
Sali Berisha
Nuk do të më nxirrte këtu sot diskutimi i zotit Blushi, i cili bashkë me një grup të PD-së brenda PS-së, janë në garë, vihen në garë se cili të shajë dhe cili të sulmojë më shumë Sali Berishën, në mënyrë që të fitojë besimin e atyre të tjerëve, dhe këtë e bëjnë rëndom. Unë them këtu, jam kundër çdo kolaboracionisti. Kush e kryesoi Komitetin "Shqipëria e Lirë", kush u vu në krye të Komitetit "Shqipëria e Lirë", në tempullin e demokracisë në Uashington? Rexhep Krasniqi. Ua them unë ju, ish ministri i Arsimit, bashkë me Lef Nosin ka qenë. Mos ta shohim historinë bardhë e zi.
Jozefina Topalli
Në fund, unë mirëkuptoj deputetin parafolës. Ai thjesht e lidh me gjyshin e vet dhe me një histori të gjyshit të vet me Lef Nosin, në atë periudhë. Gjyshi i vet, tha që nuk kam qenë komunist, por kam shfrytëzuar komunizmin. Në fakt, unë nuk besoj se dekorimet kanë të bëjnë me historinë dhe me gjyshin, dhe me lidhjet me gjyshat. Unë nuk e bëj për gjyshërit. E bëj për Shqipërinë dhe për atë pjesë që e kërkonin Shqipërinë nga Perëndimi dhe jo nga modeli sovjetik.
Ben Blushi
Nuk do t'u hyj historive me gjyshër, zonjë, secili ka jetën e vet. Unë jam i nderuar për emrin e familjes sime, sepse jam i bindur se gjyshi im, ndjesë pastë, kur është ndarë nga kjo botë, ka pasur më shumë libra sesa ka pasur gurë shtëpie gjyshi yt.
Jozefina Topalli
Në fakt, ai Lef Nosi do të ishte në krye të Kongresit të Gjuhës sonë Shqipe dhe të alfabetit latin dhe këto janë vlera dhe ato që nuk respektojnë firmëtarët e aktit të Pavarësisë e paçin për shpirtin e tyre
Sa për çështjen e Lef Nosit, në fakt, ai gjyshi yt ( i drejtohet Ben Blushit) ia mori të gjithë librat, i mori të gjithë bibliotekën. I mori edhe diçka tjetër. Por këtë do ta tregojë historia më vonë. I mori edhe lugët e pirunjtë. Makar ato t'ia kthejë, se jetën nuk ia kthen dot më.
Genc Juka
Nuk kisha ndërmend ta merrja fjalën, por me thënë të drejtën, kur dëgjova diskutimin e zotit Blushi, në një farë mënyre irritohem. Zoti Blushi, ne të dy kemi të përbashkët që jemi nipër të dy njerëzve, të cilët, njëri që ishte daja im, përfundoi i vrarë në burgjet komuniste, dhe gjyshi yt mbretërori, përfitoi nga veprat dhe puna e shumë njerëzve, si e dajës tim, që duhet Qemal Draçini. Merri dhe lexoi kujtimet e Poradecit e Petro Luarasit, dhe njihe mirë historinë. Do kishim pasur shumë burra të zotë për atë Akademi, por kontributi i gjyshit tuaj, ishte ai që ne nuk arritëm dot të kemi gjithë ato njerëz.
Jozefina Topalli
Jo të gjithë janë debatikas ore zotëri!