E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Qeveria dha pa konkurrencë Durrës-Kukës

Kalanzopulos: Projekti u dha një kompanie pa kaluar në procesin e konkurrimit dhe kjo nuk është mënyra e kontraktimit që ne i këshillojmë qeveritë të ndërmarrin
Drejtoresha e BB për Shqipërinë shprehet kundër procedurës së dhënies së rrugës Durrës-Kukës
Banka Botërore ashtu si edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar se është kundër mënyrës së kontraktimit të realizuar nga qeveria shqiptare për rrugën Durrës-Kukës. Sipas BB, projekti i rrugës Durrës-Kukës iu dha një kompanie (Bechetel) pa kaluar në procesin e konkurrimit. Kjo nuk është mënyra e kontraktimit që ne i këshillojmë qeverisë të ndërmarri. "Rekomandimi ynë ka qenë gjithmonë për një proces të hapur, transparent dhe konkurrues, e theksoj konkurrues. Vendimi u mor për të zgjedhur një kompani të caktuar",- ka bërë të ditur drejtoresha e BB, Orsali Kalanzopulos. Në një intervistë Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Orsali Kalanzopulos flet për sfidat në sektorin e energjitikës dhe për qëndrimin e Bankës për projektin e rrugës Durrës-Kukës.
A duhet që të ketë një rritje çmimi për energjinë në vend?
Rritja e çmimit duhet të ndodhë, por duhet pasur kujdes. Padyshim që ka pasur dhe ka mungesë efektshmërie në sistem. Ata që paguajnë, paguajnë edhe për paefektshmërinë e sistemit. Nuk ka një formulë magjike që do të zgjidhte problemet e KESH-it. Pengesë është mospagimi i faturave. Por ka një pjesë që nuk mund t'i paguajë dritat pasi janë të varfër. Për këtë grup duhet të vendoset një sistem subvencionesh. Informacionet për të përcaktuar shtresat e varfra, megjithëse janë përmirësuar, nuk janë të plota. Rritja e çmimit duhet të ndodhë, por kjo nuk duhet të jetë një masë e izoluar. Ajo duhet të shoqërohet nga masa të tjera, që do të ndihmojnë rritjen e efektshmërisë së sistemit dhe që do të përmirësojnë procesin e arkëtimit dhe faturimit.
Ju dhe FMN-ja keni rekomanduar privatizimin e KESH-it. Sa do të zgjasë ky proces?
Privatizimi i kompanive të energjitikës kërkon kohë. Ai fillon me atë pjesë që sjell më shumë ndryshime, pra me Shpërndarjen. Ky sektor duhet të jetë në gjendje të mirë, për të tërhequr investitorë privatë. Nga ana tjetër, duhet të ekzistojë edhe një treg financiar ndërkombëtare i volitshëm. Procesi është absolutisht kritik. Ai duhet të jetë i hapur, transparent dhe konkurrues, për të marrë çmimin më të lartë. Procesi ka filluar, por nuk mund të them se sa kohë do të marrë".
Çështja më e debatueshme këtë vit ishte projekti i rrugës Durrës-Kukës. I debatueshëm ishte edhe procesi i zgjedhjes së kompanisë ndërtuese. Nëse mund të sqaroni qëndrimin tuaj për këtë projekt.
Projekti ka një ndikim të qartë pozitiv zhvillimi. Ai përbën një mundësi për të shfrytëzuar më mirë investimet e kryera tashmë në Portin e Durrësit. Është gjë shumë e mirë ta lidhësh këtë pjesë të Evropës, nga Durrësi në Kukës, Morinë e deri në Korridorin e 10-të. Pra nga pikëpamja e zhvillimit projekti është i arsyeshëm. Ai iu dha një kompanie pa kaluar në procesin e konkurrimit. Kjo nuk është mënyra e kontraktimit që ne i këshillojmë qeveritë të ndërmarrin. Rekomandimi ynë ka qenë gjithmonë për një proces të hapur, transparent dhe konkurrues, e theksoj, konkurrues. Vendimi u mor për të zgjedhur një kompani të caktuar. Kjo nuk u vendos nga ne, por kur pamë efektet ekonomike të tij, ato ishin pozitive. Por ka rreziqe dhe ne i nënvizuam ato tek qeveria. Për shembull studimi inxhinierik nuk duhet të ishte bërë nga kompania ndërtuese. Ishte shumë e rëndësishme për qeverinë të vendoste disa pika kontrolli në sistem për të mënjanuar rritjen e kostos, vonesa apo të papritura të tjera. Pra, projekti është i mirë por procesi i zgjedhjes së kompanisë nuk është ai i rekomanduar nga Banka Botërore.
Ministri Basha përmend gjithmonë rekomandimet e marra nga ju për zgjedhjen e kompanisë që kryen studimin e këtij projekti.
Ministri Basha i kërkoi bankës emra kompanish inxhinierike që do ta ndihmonin atë të mbante nën kontroll çmimin e projektit, që puna inxhinierike të bëhej siç duhej, pra të ndihmonin me mbikëqyrjen e projektit, në një kohë që kontrata ishte dhënë. Ekipi ynë i dha thjesht një listë kompanish, që ne përdorim kur paraqesim për konkurrim kontratat tona. Por qeveria shqiptare ishte ajo që zgjodhi njërën prej tyre.
Nëse mund të na thoni diçka për postin tuaj të ri. Çfarë do t'ju rekomandonit vendeve si Shqipëria, për të arritur standardet e kërkuara në kategorinë e vendeve me të ardhura mesatare?
Më vjen keq që po largohem nga rajoni. Është një rajon i mrekullueshëm, plot sfida dhe përparim të madh. Mendoj se me zgjidhjen e pasigurive politike që rrethojnë Kosovën, mundësitë do të jenë të mëdha. Është një rajon shumë dinamik, me rritje të shpejtë dhe me bukuri natyrore të mrekullueshme, veçanërisht me shpirtin e afarizmit që gjen në Shqipëri. Ajo është në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe plotësimi standardeve është rruga e duhur. Roli i Bankës në Ballkanin Perëndimor është të ndihmojë vendet t'i plotësojnë këto standarde sa më shpejt të jetë e mundur për t'u anëtarësuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›