E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Akademia duhet t‘ia heqë titujt shkencorë"

Qendra për Çështjet e Informimit Publik konstatoi dje me shqetësim të thellë skandalin e rëndë seksual në të cilin është përfshirë ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango. Në njoftimin e shpërndarë përmes postës elektronike, përgëzohet megjithatë reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit Sali Berisha për shkarkimin e këtij zyrtari që përfaqëson degjenerimin më të thellë moral të funksionarëve të lartë shtetërorë në këto 20 vitet e fundit. Në deklaratë dënohet hezitimi i Kuvendit për të reaguar me të njëjtën shpejtësi për heqjen e imunitetit të Pangos pas bërjes publike të skandalit nga "Fiks Fare". "Duke mos vepruar energjikisht në këtë drejtim, Kuvendi rrezikon të kthehet në protektor të Ylli Pangos, i cili duhet të ndiqet penalisht nga organi qendror i akuzës", thuhet në njoftim. Më tutje i kërkohet Prokurorisë së Përgjithshme të veprojë energjikisht për të proceduar penalisht Ylli Pangon, duke iniciuar kërkesën zyrtare në adresë të Kuvendit për zhveshjen e tij nga imuniteti i deputetit. Një tjetër kërkesë ishte ajo për marrjen në mbrojtje të vajzave që u bënë protagoniste të demaskimit publik të sjelljes prej seksomani të ish-ministrit dhe të abuzimit flagrant me postin e funksionarit të lartë publik prej tij. "Akademia e Shkencave të revokojë menjëherë titujt akademikë të cilat i janë akorduar Pangos. Mosrevokimi i tyre përlyen gjithë profesoratin shqiptar, pasi njollos vlerat dhe parimet më substanciale mbi të cilat ai mbështetet", nënvizon Qendra për Informimin Publik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›