E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Arteve dhe Sporteve, konkurset do të zhvillohen në shtator



Konkurset e pranimit në Akademinë e Arteve dhe Sporteve do të zhvillohen në 10 ditshin e parë të muajit shtator. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përcaktuar procedurat dhe datat e zhvillimit të konkurseve në akademitë ku procedura e pranimeve ndryshon nga fakultetet e tjera. Pjesën më të madhe të vlerësimit këtu zë testi specifik. Të gjithë kandidatët që përmban lista e ardhur nga MASH-i kanë të drejtë të hyjnë në konkurs.
Konkurset
Konkursi në Akademinë e Arteve do të zhvillohet brenda datave 2-10 shtator në ambientet e fakulteteve të Akademisë. Numri i pranimeve këtë vit akademik për të tria fakultetet duke përfshirë këtu specialitetet dhe kuotave të pranimeve për trojet është 230 vende. Përpara se sa të marrë pjesë në konkurs, kandidati konkurrent duhet të ketë depozituar pranë sekretarisë mandat-pagesën e kryer në llogari të institucionit, mbështetur në Udhëzimet e MASH-IT. Pranimi i kandidatëve në Akademinë e Arteve bëhet mbi bazën e rezultatit të konkurseve që zhvillohen pranë Fakulteteve përkatëse, në bazë të kritereve të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si dhe pikëve totale të Maturës Shtetërore. Pragu minimal i fitimit të së drejtës së studimit në Akademinë e Arteve është 25 për qind e pikëve të konkursit. Sekretaria mësimore i dorëzon Kryetarit të Komisionit të specialitetit materialet me listat e ardhura nga MASH. Vlerësimi i çdo kandidati bëhet prej Komisionit të pranimit të Specialitetit, përbërja dhe numri i të cilit përcaktohen nga titullari i Fakultetit dhe miratohet prej Rektorit. Në asnjë rast numri i anëtarëve të komisionit nuk duhet të jetë më i vogël se tre. Pikët e mundshme të konkursit 240 të tilla u shpërndahen në mënyrë të barabartë të gjithë anëtarëve të komisionit. Secili anëtar vendos sasinë e pikëve të tij përkrah emrit të kandidatit. Nga zgjatja e procesit të përzgjedhjes dhe pranimit do të varet më pas edhe shpallja e rezultateve për studentët fitues.

Sportet
Konkurset e pranimit për kandidatët që duan të studiojnë në degët e akademive sportive do të zhvillohen gjatë muajit shtator, ndryshe nga vitet e kaluara kur këto testime kryheshin në korrik. Kandidatët do ti nënshtrohen testit special dhe fizik. Në degët “Edukim Fizik dhe Sporte” të Universitetit të Elbasanit "Aleksandër Xhuvani" dhe të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Matura do të ketë 30 për qind të peshës në vlerësim, ndërsa konkursi 70 për qind. E njëjta gjë vlen dhe për programin e studimit “Shkenca të lëvizjes”, në Universitetin e Sporteve të Tiranës. Po në këtë universitet, është parashikuar një raport tjetër për programin e studimit “Fushat e veprimtarisë fizike të shëndetit dhe Rekreacionit, ku Matura Shtetërore do të zërë 40 për qind të peshës në vlerësim dhe konkursi 60 për qind të peshës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, vendosi ndryshimin e datave të konkursit në Akademinë e Sporteve, Arteve dhe Arkitekturës. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve që do të shpall fituesit e statusit të studentit. Vlerësimi i çdo kandidati bëhet prej Komisionit të pranimit të Specialitetit.

Arkitektura, zhvillohen sot konkurset e pranimit

Rreth 500 kandidatë për studentë në degën universitare të Arkitekturës do ti nënshtrohen testit për pranim në datat 27, 28 dhe 29 gusht. Universiteti Politeknik i Tiranës, ka bërë të ditur se Fituesit e konkursit në degën e arkitekturës do të shpallen brenda datës 30 gusht ose 1 shtator sipas pikëve të fituara. Konkurset për degën e Arkitekturës do të zhvillohen në fund të muajit gusht. Konkursi parashikon tri faza, vizatim në natyrë, vizatim teknik, njëkohësisht dhe kompozim, që janë specifika dhe të degës së Arkitekturës dhe në total janë 65 pikë. Në ditën e parë të konkursit kandidateve do t'i kërkohet vizatimi i një objekti arkitektonik. Ai parashikohet të zgjasë rreth 4 orë, ndërsa vlerësimi maksimal, është në masën 25 për qind të vlerësimit total. Ndërsa seanca e dytë, ku kandidatët do të testohen mbi njohuritë në vizatimin teknik, do të zgjasë gjithashtu 4 orë. Vlerësimi do të ketë 20 për qind peshë në vlerësimin total. Ndërsa gjatë seancës së tretë dhe të fundit, kandidatet për arkitekte do të testohen mbi njohuritë e tyre në kompozimin arkitektonik, që përbën gjithashtu 20 për qind të vlerësimit total. Kuotat e pranimit në këtë fakultet, janë në të njëjtat shifra si dhe vitin e kaluar. Studentët të cilët do të bëhen pjesë e këtij fakulteti këtë vit të ri akademik do të jenë 105 . Tarifat e studimit për pranimet e reja në këtë degë janë përcaktuare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Studentët e rinj të Arkitekturës do të paguajnë shumën prej 30 mijë lekësh në vit. Thuajse të gjithë kandidatët që zgjedhin të aplikojnë për studime në degën e Arkitekturës gjatë gjithë vitit të fundit paralelisht me studimet në shkollat e mesme kanë frekuentuar edhe kurse private kryesisht me pedagogë të kësaj dege në universitetin politeknik. Për t’u pranuar në degën e arkitekturës, kandidatët duhet t’i nënshtrohen konkursit special.

Nis shpërndarja e librave në shkolla, mungojnë tekstet

Ka nisur me probleme shpërndarja e teksteve shkollore. Në shkollat e Tiranës nuk ka pasur radhë për tërheqjen e teksteve mësimore, për shkak të mungesës së disa librave. Drejtuesit e shkollave pohojnë faktin se ka mungesë tekstesh pasi jo të gjitha shtëpitë botuese i kanë sjellë ato. Kjo ka qenë arsyeja pse prindërit prindërit kanë preferuar të presin për t’i blerë më vonë librat e fëmijëve te tyre. Burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë pohuar faktin e mungesës së teksteve mësimore në shkolla nga ato shtëpi botuese që nuk kanë plotësuar afatet. MASH ka bërë të ditur se nëse brenda datës 15 shtator shtëpitë botuese nuk i kanë dorëzuar të gjitha tekstet atëherë do të merren dhe masa. Ndërkohë prindërit, mund të tërheqin tekste deri në datën 5 shator në shkollat përkatëse, në të kundërt duhet t’i drejtohen librarive. Për sa i përket skemës së subvencionimit edhe këtë vit ajo nuk ka ndryshuar. Masa e rimbursimit për këtë vit do të jetë 100 për qind për nxënësit e familjeve që marrin ndihmë ekonomike, 50 për qind për nxënësit, kryefamiljarët e të cilëve kanë një pagë mujore nën 30 mijë lekë, ndërsa për nxënësit e minoriteteve librat do të jenë falas. Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit përcakton sesi duhet të procedohet me shpërndarjen e librit shkollor. Në çdo shkollë sigurohen të paktën dy mjedise për shpërndarjen e teksteve nga shtëpitë botuese, librat e të cilëve janë përzgjedhur në Katalogun e Altertekstit 2010. Këto mjedise do të funksionojnë për këtë qëllim deri kur të përfundojë pajisja e të gjithë nxënësve me tekste shkollore.

27 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›