E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbahet mesha e shenjtë në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës

27/08/2010 Organizohen dhe një sërë aktivitetesh për nder të bamirëses së madhe

SHKODER- Në Katedralen e Laçit të Vaut të Dejës është kremtuar dje mesha e shenjtë kushtuar Nënë Terezës, me rastin e 100-vjetorit të saj. Mesha ishte përcaktuar të mbahej në këtë kishë si e para që mori emrin e Nënë Terezës. Në ceremoninë fetare mori pjesë dhe Kryeministri i vendit tonë Sali Berisha, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferi, deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor dhe mjaft besimtarë. Mesha e Shenjtë u udhëhoq nga Shkëlqesia e tij, Imzot Ramiro Molnar Ingles, Nunci Apostolik në Shqipëri, i cili është emëruar për këtë rast edhe si Përfaqësues i Veçantë i Atit të Shenjtë Papës Benedikti XVI në Shqipëri për kremtimin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Imzot Luçia Avgustini Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës falënderoi qeverinë shqiptare për shpalljen e këtij viti, si vitin që i kushtohej shenjtores. Nga ana e tij Kryeministri Sali Berisha u shpreh se kjo është dita është dita më e lumtur për gjithë kombin shqiptar. Kreu i qeverisë shqiptare Berisha theksoi se shenjtorët dhe profetërit i lind një komb, por ata i përkasin gjithë njerëzimit. Nënë Tereza në fytyrën e çdo personi pa Krishtin dhe askënd tjetër, ndaj dhe vepra e saj është e madhe. Në meshën e celebruar nga imzot Ingles, merrnin pjesë edhe ipeshkët e zonave të tjera të vendit dhe të trevave shqiptare jashtë kufijve të vendit tonë. Për nder të Nënë Terezës në mbrëmjen e së mërkurës është zhvilluar në kalanë “Rozafa” të Shkodrës një koncert poetiko-muzikor. Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, drejtues të pushtetit vendor dhe qindra qytetarë e besimtarë kanë ndjekur me mjaft kënaqësi performancën e aktorëve të mirënjohur të Teatrit Kombëtar, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Fatos Sela dhe Dritan Boriçi. Gjatë aktivitetit të organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nën kujdesin e Kryeministrit Berisha, artistët shqiptarë sollën në kujtesë thëniet e shenjtores shqiptare nën tingujt e kuartetit Akustika.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›