E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Kompromisi do t’i japë fund krizës politike në vend”



Dialogu mes maxhorancës dhe opozitës së shpejti do t’i japë zgjidhje përfundimtare ngërçit politik. Kryeministri Sali Berisha ndihet optimist se midis palëve do të gjendet një kompromis për t’i dhënë fund krizës politike më shumë se njëvjeçare. Deklarata e kryeministrit Berisha është bërë dje gjatë fjalës së tij në konferencën e përvitshme të ambasadorëve, ku i kushtoi vëmendje zgjidhjes së krizës politike për rreth 30 minua. Sipas kryeministrit, më 28 qershor Shqipëria organizoi zgjedhjet e lira, prej të cilave doli një maxhorancë ku legjitimiteti i institucioneve nuk vihet në dyshim prej partnerëve ndërkombëtarë. Por, pavarësisht kësaj, qeveria, sipas kryeministrit, nuk është prepotente ndaj kërkesave të opozitës. Ndërkaq, Ministria e Jashtme, si çdo vit, ka mbledhur dje në Tiranë përfaqësuesit diplomatikë shqiptarë, të cilët diskutuan mbi problematikën dhe mënyrën e intensifikimit të politikës së jashtme për vitin e shkuar.
Kriza politike
“Kemi qenë, mbetemi dhe do të jemi të hapur për dialog konstant, për bashkëpunim konstant me opozitën. Disa propozime janë bërë. Mendoj se në këto propozime, me frymën e kompromisit, mund t’i jepet përgjigje përfundimtare, në mënyrë të ndershme, të gjitha pretendimeve”, - theksoi Berisha gjatë fjalës së tij, duke shtuar: “Me liderin e opozitës kam ndërmarrë reformat më të thella në historinë e karrierës sime politike. Çështja është në qëndrimin ndaj standardeve të Kopenhagës, ndaj institucioneve, Kushtetutës, ligjeve dhe transparencës”. Kreu i Ekzekutivit theksoi se institucionet e vendit janë në proces konsolidimi, kusht parësor i kritereve të Kopenhagës. “Shqipëria disponon të gjitha mundësitë për t’i dhënë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha çështjeve politike të brendshme që mund të ngrihen. Institucionet e vendit janë në një proces konsolidimi dhe është kusht përcaktues në kriteret e Kopenhagës konsolidimi i institucioneve dhe respektimi i tyre. Reformat vazhdojnë me ritme të shpejta. Liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë në të gjitha nivelet kanë njohur dhe njohin një ridimensionim më të madh. Në këtë fushë, përmirësime substanciale janë bërë në të gjitha aspektet”, - u shpreh Berisha.
Konferenca e ambasadorëve
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka përshëndetur ambasadorët shqiptarë për punën e tyre gjatë këtij viti. “Interesi kombëtar i shqiptarëve është integrimi europian, sepse në këtë integrim problemet shqiptare marrin përgjigjen më të mirë. Interesi kombëtar i shqiptarëve është integrimi europian, sepse Bashkimi Europian, që grupon sot 27 kombe, përbën një projekt që ka nga shqiptarët mbështetjen më të madhe se çdo projekt tjetër. Atë e mbështesin 96% e qytetarëve shqiptarë. Integrimi europian është interesi kombëtar i shqiptarëve, sepse tërësia e normave, kritereve, standardeve, ligjeve, praktikave të këtij bashkimi garanton më mirë liritë, të drejtat e qytetarëve shqiptarë dhe prosperitetin e tyre”, - u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i Ekzekutivit nuk ka lënë pa përmendur edhe pavarësinë e Kosovës. Ai theksoi se diplomacia shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet për të promovuar njohjen e mëtejshme të Kosovës. “Vendet e Quintit janë thellësisht të angazhuara. Kosova është një çështje botërore në këtë rrafsh, por ne do të përpiqemi të luajmë rolin tonë, të japim mbështetjen tonë, të bashkërendojmë të gjitha përpjekjet tona dhe të vendeve mike, pasi njohja e pavarësisë së Kosovës nga vende që nuk e kanë njohur është një kontribut real madhor i tyre për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, - tha Berisha.

Box

Dade: “Maxhoranca të ngrejë komisionin hetimor”

Partia Socialiste është në pritje të përgjigjes nga Partia Demokratike për propozimet, me qëllim nisjen e punës së komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade, tha se komisioni hetimor duhet të ngrihet sapo Kuvendi të nisë punimet. “Partia Socialiste pret që me nisjen e punimeve të Kuvendit të fillojë hetimi parlamentar me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, që kurrë më Ruzhdiet të mos përmbysin rezultatin e vendosur nga populli. Opozita e ka ofruar kompromisin e saj në mbështetje të plotë të ligjit e me vullnet për zgjidhjen e krizës”, - tha Dade. Ajo kundërshtoi deklaratat e kryeministrit Berisha, që foli për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke iu referuar Rezolutës së Parlamentit Europian. “Edhe vetë ata që e kanë votuar Sali Berishën e dinë se zgjedhjet u vodhën. Madje, po t'i referohemi Rezolutës së Parlamentit Europian duket qartë se problemet e rënda me zgjedhjet e fundit në Shqipëri, janë një shqetësim tejet serioz dhe për Bashkimin Europian”, - tha Dade.

Topi: “Zgjidhja e krizës politike duhet të vijë nga PD-ja dhe PS-ja”

Kreu i shtetit, Bamir Topi, deklaroi dje se mirëpret çdo zgjidhje për krizën politike që vjen nga dy partitë politike. Ai u bëri apel partive më të mëdha që të kontribuojnë për ta zgjidhur sa më shpejt këtë krizë. “Presidenti mbetet gjithmonë inkurajues për dialogun politik dhe zgjidhjet që vijnë nëpërmjet dialogut politik. Kështu që unë mendoj se të gjithë duhet t’i kontribuojnë këtij komunikimi, i cili është domosdoshmëri civile e kohës, por edhe e politikës moderne, për t’i krijuar të gjitha hapësirat Shqipërisë dhe shqiptarëve që të jenë më të qetë dhe të integrohen sa më shpejt”, - u shpreh Topi. Sipas kreut të shtetit, janë vetë partitë politike ato që do të japin zgjidhjen e duhur. “Unë besoj se janë partitë politike që, pas konfigurimit të ri,duhet të shprehin vullnetin dhe të japin zgjidhjet e tyre”. Ndërsa lidhur për dërgimin e kandidaturave për në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese në Parlament, presidenti tha: “Pavarësisht se shumë njerëz janë me pushime, unë jam në punë dhe jam në vijim të atij procesi që do të garantojë sigurinë që këto institucione do të jenë me njerëzit më të përgatitur.
Përsa i përket Konferencës së Ambasadorëve, kreu i shtetit i vlerësoi si pozitive nismat e diplomacisë shqiptare për të rritur bashkëpunimin me Beogradin, por, përsa i përket çështjes së Kosovës, ai tha se dy vendet nuk do të kenë kurrë një qëndrim të përbashkët. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën pa mëdyshje ngjarjen më të madhe historike dhe diplomatike të popullit dhe kombit tonë. Ky moment provoi se Shqipëria dhe shqiptarët janë dhe mbeten të vendosur në angazhimin dypalësh, rajonal dhe global, në respekt të parimeve të rëndësishme të euroatlantizmit. Diplomacia shqiptare ka meritën e madhe për kontributin e saj në këtë proces jetësor të vendit tonë, ashtu siç ka sot përgjegjësinë përpara nesh, institucioneve, përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe ndaj të gjitha vendeve anëtare të Aleancës, të përsosë dhe të përshtatë tërësisht parimet e veprimit, të koordinimit, të shkëmbimit të informacionit, të sjelljes dhe të qëndrimeve, me parimet e kërkuara ndaj një vendi anëtar e të denjë të aleancës më të madhe të paqes dhe të sigurisë në botë, sikurse është NATO-ja”, - u shpreh Topi.

Ministri Meta: “Integrimi është prioriteti i politikës së jashtme”

Zv.kryeministri Meta: “Mes Kosovës dhe Serbisë duhet të nisë një dialog konstruktiv”

Në konferencë u nënvizua se duhet të nisë një kapitull i ri mes Kosovës dhe Serbisë

Numri dy i qeverisë, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi dje gjatë fjalës së tij në konferencën e ambasadorëve, se integrimi mbetet prioriteti kryesor i politikës së jashtme. Meta nënvizoi se do të vazhdojë puna me intensitet të lartë për të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kriteret e Kopenhagës. Ai bëri me dije se përveç reformave të brendshme, duhet jemi të ndërgjegjshëm se shpejtësia e integrimit varet shumë edhe nga përparimi i proceseve te pajtimit dhe integrimit rajonal. Ministri Meta është ndalur edhe në pavarësinë e Kosovës, duke u shprehur se diplomacia shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet për të promovuar njohjen e mëtejshme të Kosovës. Meta bëri me dije se Shqipëria nuk ka pasur dhe nuk ka në plan të paraqesë në mënyrë të njëanshme asnjë rezolutë alternative, por rikonfirmon qëndrimin e saj të qartë dhe të prerë se është në unison të plotë me përpjekjet e Quintit, SHBA-ve, BE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që kërkojnë një rezolutë, e cila të mos krijojë konflikte në rajon.
Progresi
“Vlerësoj punën dhe arritjet e diplomacisë tonë përgjatë një viti, në fokus të realizimit të objektivave tona madhore në fushën e politikës së jashtme. Arritjet më të rëndësishme gjatë këtij viti diplomatik janë ato në drejtim të integrimit europian të vendit. Sot Shqipëria është më pranë BE-së se një vit më parë. Tashmë u është dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve të Pyetësorit që u dorëzua nga Komisioni Europian në dhjetor të vitit të shkuar”, - u shpreh Meta gjatë fjalës së tij, duke iu drejtuar ambasadorëve. Më tej Meta tha se progres i jashtëzakonshëm është bërë në raport me një vit më parë për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, që çoi në propozimin e Komisionit Europian për hapjen e procedurave legjislative për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Sipas tij, MPJ, si institucioni koordinues i të gjithë procesit të liberalizimit të vizave, ka bërë një punë të lavdërueshme. Në këtë kuadër, Meta ka falënderuar të gjithë ekipin në MPJ dhe Misionin në Bruksel për punën e jashtëzakonshme, të palodhur dhe profesionale. “Marrëdhëniet me Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, Kroacinë, Slloveninë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Rumaninë, Bullgarinë kanë përjetuar progres dhe intensitet të lartë shkëmbimesh dhe marrëdhëniet janë në një nivel më të lartë se kurrë më parë. Kjo politikë dhe ky intensitet shkëmbimesh do të vazhdojnë të jetë prioritet jo vetëm në aspektin bilateral, por edhe atë shumëpalësh. Shqipëria ka qenë dhe do të jetë aktive në të gjitha forumet rajonale në të ardhmen”, - tha Meta.
Kosova
Ministri Meta është shprehur optimist se njohje të tjera do të vijnë për shtetin më të ri të Kosovës. Ai apeloi se mes Serbisë dhe Kosovës duhet të fillojë një dialog konstruktiv dhe pa paragjykime për të gjitha çështjet me karakter praktik, të cilat i shërbejnë përmirësimit të cilësisë së jetës të të gjithë qytetarëve të dy vendeve, perspektiva e të cilëve duhet të jetë integrimi i shpejtë europian. Ministri Meta u shpreh se qeveria shqiptare është angazhuar për të financuar projekte sociale për integrimin më të mirë të komunitetit serb në Kosovë, sepse në themel të një Kosove europiane qëndron bashkëjetesa multietnike. “Vizita zyrtare që zhvillova në Beograd ka qenë demonstrim i vullnetit tonë për të shikuar drejt së ardhmes dhe zgjidhjes se problemeve përmes dialogut me vizion dhe shpirt europian, për përmbushjen e qëllimit të përbashkët për një rajon në paqe dhe të integruar. Vizita të tjera janë shkëmbyer dhe marrëveshje të rëndësishme janë nënshkruar dhe janë në proces”, - u shpreh Meta.

26 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›