Bonot e thesarit vijojnë rritjen e interesit, qeverisë i duhen para për të paguar borxhet
Bonot e thesarit shënuan një rekord të ri shumëvjeçar në ankandin e radhës, të zhvilluar në Bankën e Shqipërisë, ku 5.1 miliardë lekë borxhe me afat maturimi 12-mujor iu dhanë qeverisë nga bankat e nivelit të dytë. Interesi mesatar i ponderuar për 18 ofertat e pranuara ishte 9.13%. Në ankandin paraardhës të zhvilluar më 10 mars, interesi mesatar ishte 9.00%. Një vit më parë, bonot 12-mujore i kushtonin qeverisë 8.04%. Interesat e bonove të thesarit me afat maturimi 12-mujor kanë qenë mbi 9% për herë të fundit në vitin 2003, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Ato ranë në nivelin më të ulët në vitin 2005 në 6.91% dhe pas këtij viti janë rritur gradualisht. Qeveria paguan interesa për 350 miliardë lekë borxh të brendshëm, (rreth 3.5 miliardë euro). Rritja e interesit të bonove të thesarit me 100 pikë bazë nënkupton rritje të kostos së financimit të borxhit me 35 milionë dollarë në vit. Këtë vit, 36 miliardë lekë (277.2 milionë euro) do të shkojnë për të mbuluar interesat e borxheve me një rritje prej 14 përqindësh në krahasim me vitin e kaluar. Por ky është vetëm një parashikim optimist në rast se interesat e bonove të thesarit vijojnë të mbeten në nivele të tilla. Vitin e kaluar, Shqipëria shpenzoi 2.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për interesa për borxhet, ndërsa këtë vit, interesat do të mbulojnë 3.1 për qind të PBB-së.
Kompanitë kroate ftohen të investojnë në sektorin energjetik në Shqipëri
Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ftoi dje kompanitë kroate të investojnë në sektorin energjetik, sektor që, sipas tij, ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të dy vendeve. Gjatë një takimi me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë së Republikës së Kroacisë, Damir Polancec, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të Forumit të Krans Montanas, ministri Ruli tha se, "Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit me Kroacinë, sikurse dhe me vendet e tjera të rajonit". Duke u ndalur tek bashkëpunimi në sektorin energjetik, ministri Ruli vuri në dukje se kjo mund të arrihet me pjesëmarrjen e kompanive kroate në ndërtimin e burimeve energjetike, me krijimin e rrjeteve të komunikimit dypalësh, apo të tregut rajonal të energjisë, në zbatim dhe të traktatit të Themelimit të Komunitetit të Energjisë të Europës Juglindore, si dhe furnizimin me energji elektrike të Shqipërisë nga kompanitë kroate. Ministri Ruli e njohu homologun kroat dhe me hapat e deritanishëm të Shqipërisë lidhur me fillimin e Programit Bërthamor. Sipas tij, përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore janë në kontakt me departamentet dhe sektorët përkatës të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe kanë filluar të grumbullojnë dhe vlerësojnë përvojat e vendeve të tjera, që kanë përfunduar me sukses një program energjetik bërthamor. Dy ministrat folën dhe për Projektin e Gazsjellësit Ionian Adriatik (projekti IAP), që përfaqëson një ndër projektet më të mundshme dhe me mjaft interes për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gazsjellësi “IAP” do të shtrihet në gjithë bregdetin e detit Adriatik nga Kroacia deri në Shqipëri (në Fier), duke përshkuar Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Projekti është propozuar nga kompania kroate e transportimit të gazit “PLINACRO”, si dhe strukturat e METE-s. Kapaciteti transportues parashikohet deri në 5 bcm në vit. Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare aktive të shumë nismave rajonale, duke mbajtur një qëndrim konstruktiv në këtë bashkëpunimin.
26 Mars 2009