E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Arteve, sot konkursi "Frederic Chopin"

TIRANE- Në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, nga data 23-27 prill zhvillohet konkursi kombëtar pianistik "Frederic Chopin", një konkurs për pianistët e rinj. Ky aktivitet parashikon edhe një koncert të laureatëve të tij në Galerinë "Jozef" në qytetin e Durrësit, në mbrëmjen e datës 26 prill, si dhe koncertin final të tij të këtij konkursi në datën 27 prill në AAB, ku do të ndahen edhe çmimet e këtij aktiviteti pianistik. Kremtimet e vitit në nder të kompozitorit Frederic Chopin në Shqipëri kanë nisur në muajin shkurt, me një aktivitet kulturor artistik organizuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me shoqatën "F.Chopin", shoqatën e miqësisë Shqipëri-Poloni, Qendrës Kulturore Tirana dhe ambasadave përkatëse franceze dhe polake në Tiranë, ku sheshit përballë Akademisë së Arteve iu dha emri i këtij kompozitori. Në kuadrin e vitit shopenian, gjatë këtij muaji janë parashikuar të zhvillohen një sërë aktivitetesh, të cilat do të mbahen në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe në qytetin e Durrësit, duke përfshirë kështu edhe Shqipërinë në përkujtimet e kompozitorit të madh.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›