Akademia e Arteve, universitet në vitin akademik 2011-2012
Akademia e Arteve do të funksionojë si universitet duke filluar që nga viti i ri akademik 2011-2012. Nëpërmjet riorganizimit të Akademisë së Arteve do të krijohet Universiteti i Arteve (UART), si institucion publik i arsimit të lartë. Propozimi i rektorit të Akademisë së Arteve, Petrit Malaj, i përkrahur edhe nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, është miratuar dje edhe nga Këshilli i Ministrave. Në strukturën e UART-së përfshihen njësitë kryesore, si më poshtë vijon: Fakulteti i Muzikës, me këtë përbërje si njësi bazë: Departamentin e kompozicion-muzikologji-dirigjimit; Departamentin e interpretimit; Fakulteti i Artit Skenik, me këtë përbërje në njësi bazë: Departamentin e aktrimit dhe regjisë së filmit dhe televizionit; Departamentin e regji-skenografi-koreografi-teori e arteve; Fakulteti i Arteve të Bukura, me këtë përbërje në njësi bazë: Departamentin e pikturës; Departamentin e skulpturës. Por, me gjithë shndërrimin nga akademi në universitet, UART-ja do të ofrojë të gjitha programet e studimit në të tre ciklet e studimit që ka ofruar deri tani Akademia e Arteve dhe çdo program tjetër, të miratuar në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.