Falja përfshin makinat pa doganë deri në fund të 2010
Nëse ke importuar një makinë para 31 dhjetorit 2010 dhe nuk ke paguar doganën, projekti i ri i qeverisë, të fal 50 për qind të vlerës së doganës, megjithë gjobën dhe kamatat e saj. Kryeministri Berisha e ka deklaruar përfshirjen e faljes për makinat pa dogana, në projektin e amnistisë fiskale që duket se do të bëhet realitet para zgjedhjeve lokale të 8 majit. Në fakt, aktualisht makinat importohen me tarifë zero dhe taksën që e pagunin në doganë e paguan blerësi në tregun e brendshëm. Sipas vendimit të qeverisë, përfitojnë më së shumti makinat që janë importuar para vitit 2008, ku paguhej taksa doganore. Kështu, si rezultat i detyrimeve që rridhnin nga marrëveshja e tregtisë së lirë dhe anëtarësimi në OBT, Shqipëria dy vite më parë ka bërë zero taksën doganore për makinat, duke e transferuar atë në tregun e brendshëm. Ndryshimet në ligj “Për taksat kombëtare” përcaktojnë një formulë ndryshe nga ajo e para për përllogaritjen e taksës doganore, për automjetet e përdorura që importohen. Referuar ligjit aktual, formula e re e përllogaritjes së kësaj takse do të jetë: Cilindrata e automjetit X koeficienti fiks për çdo vit përdorimi X taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën, ndërsa koeficienti për vitet e përdorimit është 0.5 për vit për autoveturat dhe 0.25 për mjetet e tjera. Taksa paguhet, ose në bankë, ose në Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Referuar formulës, nëse dikush importon sot një automjet të prodhuar në vitin 2008, me naftë dhe fuqi motorike 1700 kubikë, ai duhet të paguajë 42 500 lekë. Nëse pasi e ka përdorur katër vite, ai vendos ta shesë, taksa që duhet të paguajë sërish për të njëjtën makinë do të jetë 85 000 lekë. Në total, pronari i këtij automjeti paguan 127 500 lekë. Krahas formulës së përllogaritjes së taksës, një ndryshim tjetër thelbësor ka të bëjë me pagesën që duhet të bëjë pronari i automjetit, nëse vendos ta shesë atë. Ligji, parashikon pagesën e taksës edhe gjatë shitjeve të automjetit dorë pas dore brenda vendit. Në këtë rast, taksa për t’u paguar në momentin e shitjes do të jetë: Taksa e mjetit të përdorur në vitin e shitjes, minus taksën e importimit në momentin kur është hedhur për herë të parë në qarkullim. Kjo taksë paguhet nga shitësi dhe derdhja e parave bëhet në bankë ose Drejtoritë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor.