E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontraceptivët, vetëm 15% e çifteve kërkojnë këshillim

SHKRUAN: Jonida Tashi 24-03-2011 13:57

Statistika: 98% e meshkujve dhe 96% e femrave janë të informuar për metodat kontraceptive moderne

Tabutë e shqiptarëve për marrëdhëniet seksuale dhe sidomos për t’u mbrojtur nga shtatzënitë e padëshiruara po bëhen normë, megjithëse ekziston edhe ana tjetër e medaljes, pasi në zonat rurale informacioni për planifikimin familjar është i ulët. Por, ndërsa deri më parë jemi mësuar të dëgjojmë se shqiptarët nuk janë të informuar për metodat e planifikimit familjar, duket se tashmë kjo situatë ka filluar të ndryshojë për mirë. Të paktën në këtë përfundim ka arritur një studim i fundit i kryer nga USAID në vendin tonë, sipas të cilit 98% e meshkujve dhe 96% e femrave, pjesëmarrës në këtë anketim, kanë dëgjuar për mesazhet e kontracepsionit. Përsa i përket metodës kontraceptive të përdorur, ka rezultuar se më e zgjedhur për të gjitha grupet ishte prezervativi, që shërben njëkohësisht jo vetëm si metodë e planifikimit familjar, por edhe si mënyrë e parandalimit të infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Po ashtu, të dhënat e studimit të USAID dëshmojnë edhe një ulje të ndjeshme të përdorimit të tërheqjes si metodë kontraceptive. Kështu, krahasuar me studimin fillestar, 7% e meshkujve kanë raportuar se përdornin këtë metodë, madje edhe ata që e përdorin kanë pohuar se përdornin edhe MCM në mënyrë stimulante. Por, përpos shifrave në rritje për përdorimin e metodave të planifikimit familjar, në studimin e fundit të USAID-it, që është kryer në disa qendra shëndetësore në Tiranë, Elbasan, Korçë është evidentuar fakti se nga 85% e çifteve që paraqiten pranë tyre për të vizituar fëmijën, vetëm 15% kërkojnë këshillim për metodat kontraceptive. Sikurse për të rriturit, edhe te të rinjtë është vënë re rritja e ndërgjegjësimit për përdorimin e metodave kontraceptive, si dhe roli i medias në dhënien e informacionit. Përsa i përket personit më të preferuar që të rinjtë duan të marrin informacion në lidhje me metodat moderne kontraceptive që mund të përdorin, sipas studimit të kryer, farmacisti rezulton të jetë personi i besuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›