E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati diploma e Maturës, njëlloj si e universitetit

SHKRUAN: Jonida Tashi 24-03-2011 13:51

Maturantët që do ta përfundojnë këtë vit gjimnazin do të pajisen me Diplomën e Maturës Shtetërore. Ky do të jetë brezi i parë i të rinjve në vendin tonë që nuk do të marrë më Dëftesë Pjekurie në përfundim të shkollës së mesme, por Diplomë Gjimnazi, e cila, për nga rëndësia, do të jetë më e vlefshme sesa Dëftesa, pasi për të siguruar këtë dokument secili prej maturantëve duhet të ketë kaluar me sukses jo më dy provimet me detyrim të Maturës, por edhe dy provimet me zgjedhje. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se tashmë Diploma e Maturës është pothuajse gati dhe së shpejti pritet të bëhet edhe publikimi i këtij dokumenti. Përsa i përket përmbajtjes së saj, ose më saktë të dhënat që do përfshihen në të, specialistë të arsimit shpjegojnë se Diploma e Maturës do jetë e ngjashme me atë të shkollës së lartë. Madje jo vetëm kaq, por sikurse edhe diploma e studimeve të nivelit të parë “Bachelor” që shoqërohet me një suplemnet notash, edhe Diploma e Maturës do të ketë një listë apo suplement, ku do të klasifikohen notat përkatëse sipas tre viteve të shkollimit, si dhe ato të katër provimeve përfundimtare me detyrim dhe me zgjedhje. Po ashtu, një plus tjetër më shumë se Dëftesa e Pjekurisë, diploma e Maturës do ta ketë për faktin se ajo do të hartohet në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, ndërsa dokumenti do të përgatitet në mënyrë që të jetë i sigurt dhe i pafalsifikueshëm. “Do të jetë dhe në anglisht, në mënyrë që nxënësit kur të shkojnë jashtë vendit të mos ngatërrohen me noterizime. Në diplomë nuk do të shkruhen notat, por vetëm që është kryer studimi i mesëm në këtë shkollë dhe gjenealitetet. Ndërkohë që do të ketë edhe një listë apo suplement që do të klasifikojë notat përkatëse”, - pohojnë specialistët e arsimit. Maturanti që mbetet në një a më shumë provime të Maturës nuk pajiset me Diplomën e Maturës. Ai mund t’i japë këto provime në vitin/vitet e ardhshëm/ardhshme.

Testet

Në prag të nisjes së procesit për hartimin e testeve të provimeve të Maturës, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, deklaron se do të zbatohen të gjitha rregullat për të shmangur kopjet gjatë testimeve. Për këtë arsye, kreu i Arsimit shprehet se do të ketë një proces të rreptë e transparent. “Nxënësit e kanë në dorë. Ne do të kërkojmë që procesi të jetë i pastër, i ndershëm për të gjithë. Rregullat kanë qenë gjithmonë të njëjta, vetëm se do zbatohen plotësisht”, - thekson ministri Tafaj. Edhe një vit më parë, në provimet e Maturës rezultoi se një grup i konsiderueshëm nxënësish, sidomos në rrethe, kishin kopjuar gjatë testimit, por me gjithë këtë fakt, masat penalizuese që u morën nga MASH ishin ulja e notës për maturantët si dhe vërejtje për largim nga puna për administratorët që e lejuan këtë shkelje të rregullores së Maturës. Për këtë arsye, përpos plotësimit të të drejtave të maturantëve për transparencë në procesin e Maturës, MASH këtë vit ka ashpërsuar së tepërmi penalizimet për ata që do të kopjojnë. Për herë të parë këtë vit, nëse një maturant do të përjashtohet nga provimi për kopjim, do të humbasë jo vetëm atë provim, por dhe të drejtën për të marrë pjesë në provimet pasardhëse për sezonin e këtij viti. Këto provime mund të jepen vetëm vitin e ardhshëm shkollor. Po ashtu, për Maturën 2011, duke marrë shkas edhe nga kontestimet e maturantëve jo vetëm për pikët, por edhe për preferencat e zgjedhur nga vetë ata, MASH ka vendosur që pas plotësimit, çdo formulari do t’i bëhet një fotokopje, e cila do të ruhet në drejtorinë e shkollës deri në përfundim të procesit të Maturës. Gjithashtu, sipas specialistëve të arsimit, është mirë që edhe vetë maturantët të ruajnë një kopje të formularit A2 deri në mbyllje të procesit, për një ballafaqim të mundshëm, nëse do jetë e domosdoshme. Sipas rregullave të Maturës 2011, kandidati ka të drejtë të kërkojë edhe fotokopjen e testit të tij, pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar Komisionit të Maturës Shtetërore pranë çdo drejtorie arsimore.

Kontestimet, çdo formulari A2 do t’i bëhet një fotokopje

Çdo maturant që kalon në të katër provimet pajiset me Diplomën e Maturës. Me të dalë të katër rezultatet e provimeve, maturantët, në bazë të informacioneve që u janë vënë në dispozicion, duhet të marrin vendimet më të mira për të ardhmen e tyre, që do t’i pasqyrojnë me plotësimin e formularit A2. Maturantët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike të vendit, pasi janë njohur me të gjitha rezultatet e provimeve të Maturës, duhet të plotësojnë formularin A2, si dhe ta dorëzojnë atë në Komisionin Shkollor të Maturës brenda datës 30 korrik. Formulari A2 është i personalizuar me notën mesatare dhe preferencën e programeve të studimit, të shpallura nga institucionet e arsimit të lartë publik. Formularin A2 kanë të drejtë ta plotësojnë vetëm maturantët kalues në të gjitha provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje. Për shkak të kontestimeve të maturantëve për degët e studimit që listojnë në formularin A2 ose të dhënave të tjera që figurojnë në të, pas plotësimit, çdo formulari A2 do t’i bëhet një fotokopje, e cila do të ruhet në drejtorinë e shkollës deri në përfundim të procesit të Maturës. Çdo maturant që ka fituar të drejtën të hyjë në provimet e Maturës, duhet të informohet saktë për mjediset ku do të japë provimin. Sakaq, në listat që Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) dërgon në shkolla dhe që afishohen në këndin e Maturës Shtetërore, për çdo maturant ka një numër identifikimi ID, dhe të gjitha të dhënat e tjera personale sipas formularit A1. Regjistroni dhe mbani mend numrin tuaj të identifikimit, si dhe kontrolloni saktësinë e të dhënave që paraqiten në listën e AVA-as. Nëse aty gjeni pasaktësi, i paraqisni ato sa më shpejt në Komisionin Shkollor të Maturës për t’i sqaruar. Një ditë pas përfundimit të vitit shkollor, Komisioni Shkollor i Maturës, do të shpallë listën e maturantëve që do të japin provimet e detyruara si dhe ato me zgjedhje si dhe listën e mjediseve ku do të zhvillohen provimet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›