Rrahu policët e grupit të gatshëm, arrestohet
Fier - Policia e Fierit ka vënë në pranga Bujar Ferkon, 45 vjeç, pasi ka përdorur dhunë ndaj 4 uniformave blu të grupit të gatshëm të komisariatit të policisë së këtij qyteti. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Fierit. Sipas tyre, pasditen e djeshme Ferko ka qenë në një lokal pranë Shkollës së Mesme të Muzikës ku ka qenë duke konsumuar alkool me një të njohurin e vet. Më pas ata kanë debatuar mes tyre, - pohojnë burimet policore fierake. Njëri prej klientëve të lokalit ka njoftuar shërbimin policor pa pagesë dhe në lokal ka shkuar një automjet i policisë me 4 policë të grupit të gatshëm. Ndërhyrja e policisë në lokal ka qenë e vështirë pasi 45-vjeçari kishte konsumuar alkool dhe ka reaguar ndaj ndërhyrjes së policëve.
Ai nuk i është bindur urdhrit të tyre për ta shoqëruar, por i ka kundërshtuar duke i qëlluar dhe duke u këputur kopsat e uniformave që ata kishin veshur. Në këto momente, - vazhdojnë sqarimin burimet policore, - policët e grupit të gatshëm kanë bërë shoqërimin e tij me forcë për në ambientet e policisë.
Gjendet i vdekur 39-vjeçari në kasollen e bagëtive, ishte vetëvarur
Shkodër – Një burrë në moshën 39 vjeç i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në afërsi të banesës së tij, në Malësinë e Madhe, për shkaqe dhe rrethana ende të paqarta. Viktima është Urim Vuçaj, 39 vjeç, lindur e banues në fshatin Gradec të Komunës Kastrat në Malësinë e Madhe. Policia tha se i ndjeri u gjet dje në orën 11:30, në kasollen e bagëtive që gjendej pranë oborrit të shtëpisë së familjes Vuçaj, nga babai i 39-vjeçarit. Ai i tmerruar ka parë skenën dhe ka kërkuar ndihmë, por 39-vjeçari kishte ndërruar jetë. Një grup hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet dhe paraprakisht dyshohet se vetëvarja është pista kryesore e vdekjes së të ndjerit.
Shkatërron makinën e tjetrit, vihet në pranga
Fier - Policia ka vënë në pranga Musa Mustafain, pasi ndaj tij ka pasur një denoncim se ka shkatërruar automjetin e një shtetasi.
Nga burime policore mësohet se shtetasi Dhori Plaka ka qenë me automjetin e tij tip benz, me targa FR 2057 C, në lagjen “1 Maji” të qytetit. Po sipas këtyre burimeve, konfirmohet se shtetasi Mustafai punon si lustraxhi dhe njihet si përdorues i rregullt i alkoolit. Ai ka qenë në gjendje të dehur kur ka parë automjetin e Plakës të parkuar pranë vendit ku punon. Mustafai ka marrë një gur dhe ka filluar të gjuajë makinën e parkuar duke i thyer xhamat dhe duke e qëlluar automjetin në pjesët metalike, - pohuan burimet policore fierake. Pronari i automjetit, Dhori Plaku, kur është vënë në dijeni ka kryer kallëzimin në polici. Kjo e fundit pas marrjes së kallëzimit ka bërë ndalimin e Mustafajit.
9 Shkurt 2009