E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim italianit, dyshohet për trafik të makinave të luksit



Tiranë – Një shtetas italian do të hetohet nga Prokuroria shqiptare pasi dyshohet për trafik makinash. Burime nga Policia e Tiranës bënë me dije se efektivët e Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme kryen dje bllokimin e automjetit fuoristradë, tip “BMV X3”, me targë DH 975 ES, në pronësi të A. G., 26 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, bllokimi i këtij mjeti u bë për arsye se nga verifikimet e kryera mjeti rezultoi i denoncuar i vjedhur në Itali, në gusht të vitit 2007. Por nga hetimi ka rezultuar se këtë mjet e ka futur në territorin shqiptar italiani Francesco Daddi, i cili dyshohet se e ka sjellë makinën për ta trafikuar. Policia e Tiranës konfirmon se materialet hetimore në ngarkim të Francesco Daddit i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike”.

Dyshohet se posedonte kokainë, vihet në pranga 27-vjeçari

Tiranë – Policia ka vënë në pranga një 27-vjeçar, pasi i është gjetur një sasi e vogël kokaine. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë në ditur për gazetën se gjatë ditës së djeshme specialistët e Seksionit kundër Drogës kanë kryer arrestimin në flagrancë të një të riu, i cili dyshohet për konsumim të veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Në prangat policore ka rënë Armand Cërriku, 27 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye pasi në rrugën “Petraq Leka”, në Kombinat, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij tip “Peugot”, me targa të huaja, u gjet një sasi pluhuri prej 4 gr, ngjyrë e bardhë, e dyshuar si lëndë narkotike e llojit kokainë. Uniformat blu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 gr lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 1 letër varaku me mbetje pluhuri ngjyrë bezhë, 1 automjet “Peugeot”, me targë SV 393569.

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›