E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni “Manastiri”, kapet me 100 kg marijuanë studenti i Infermierisë

Policia prangos Evaris Pashën, lindur në Tepelenë dhe banues në Memaliaj. Policia, në kërkim edhe tre të tjerë për trafik lëndësh narkotike drejt Greqisë

Gjirokastër - Operacioni i koduar “Manastiri” ka vënë në pranga një student dhe ka shpallur në kërkim edhe tre shtetas të tjerë pasi dyshohen se trafikonin lëndë narkotike drejt Greqisë. Burime nga policia lokale thanë për gazetën se janë sekuestruar 100 kg marijuanë.
Operacioni
Sipas burimeve të Policisë së Gjirokastrës, uniformat blu kishin informacion të marrë në rrugë operative se në drejtim të kufirit me Greqinë mund të transportohej një sasi lënde narkotike. Pas kësaj, nga sektori i Luftës kundër Krimit të Organizuar në policinë lokale u organizua operacioni i koduar “Manastiri”. Falë ndjekjes në distancë, uniformat blu arritën të konstatojnë 4 persona anës Lumit Drino, në afërsi të fshatit Llongo, të cilët ishin të ngarkuar me çanta dhe po lëviznin në drejtim të vijës së kufirit me shtetin grek. Pas një ndjekjeje të gjatë në një terren tepër të vështirë, në vendin e quajtur “Manastiri” fare pranë vijës së kufirit, u bë e mundur kapja e njërit prej këtyre shtetasve, i cili ishte i armatosur me një armë zjarri tip kallashnikov me fishekë në gojë, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë që bënë bllokimin e tij. Më pas, i dyshuari si trafikant u identifikua si Evaris Pasha, lindur në Tepelenë dhe banues në Memaliaj, aktualisht student në universitetin “Eqerem Çabej”, Dega Infermieri.
Hetimi
Sipas të dhënave të policisë, bashkë me këtë person u bllokua dhe lënda narkotike, e cila ishte e ambalazhuar në pako cilindrike të mbështjella me letër natriban, të futura në katër çanta të mëdha, gjithsej rreth 100 kg. Personat e tjerë mundën të largoheshin duke përfituar nga errësira dhe terreni tepër i vështirë. Por policia ka arritur t’i identifikojë këta persona dhe po punon për dokumentimin ligjor të aktivitetit të tyre kriminal. Mbi ta rëndon vepra penale e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Policia tha se operacioni po vazhdon për kapjen e personave që mundën të largohen.

I gjenden fishekë pa leje, arrestohet Hoxhallari

Korçë – Genti Hoxhallari, banues në fshatin Pirg, është vënë në pranga nga Policia e Korçës pasi iu kapën në flagrancë fishekë luftarakë. Sipas të dhënave të policisë, fishekët i janë gjetur një nxënësi shkolle, por ai ka dëshmuar se ia kishte marrë Hoxhallarit. Këtij të fundit i janë gjetur dje rreth 130 copë fishekë pistolete model 54, të kalibrit 7.62 mm. Hoxhallari akuzohet tashmë për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve”, të parashikuar nga Neni 278/3 i Kodit Penal.

E fyenin në telefon, kapet kërcënuesi anonim

Devoll – E fyenin dhe e kërcënonin vazhdimisht në telefon, pa i thënë se cilët ishin, por i mërzitur nga çfarë ndodhte ai i është drejtuar policisë. Pas kësaj, enigma nuk ka zgjatur shumë dhe policia e ka kapur kërcënuesin anonim. Sipas të dhënave të policisë së Korçës, pak ditë më parë ishte bërë një kallëzim nga shtetasi Nesim Musa, banor i fshatit Maçurisht në Devoll, ku thuhej se atë e merrnin në telefon njerëz anonimë dhe e kërcënonin. Pas verifikimeve, u bë i mundur identifikimi i njërit prej këtyre personave, i cili është shtetasi K.M, lindur e banues në fshatin Baban të Rrethit Devoll, nxënës në shkollën 9-vjeçare “Fuat Babani”. Për këtë ngjarje u kryen veprimet procedurale për veprën penale të “Përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Pas marrjes së deklarimit, autori u la të hetohet në gjendje të lirë.

Dhunoheshin nga djali dhe bashkëshorti, policia merr në mbrojtje dy gra

Tiranë - Policia ka lëshuar dy urdhra për mbrojtjen e dy grave në Tiranë dhe Kavajë. Sipas burimeve nga uniformat blu, specialistët e policimit në komunitet, në zbatim të Ligjit Nr. 9669, datë 18 dhjetor 2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, kanë plotësuar kërkesëpadinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për qytetaren me inicialet F. K., 51 vjeçe, lindur në Dibër dhe banuese në Tiranë. Urdhri i mbrojtjes është lëshuar pasi djali i saj, Ibrahim K., 22 vjeç, ka ushtruar ndaj saj dhunë fizike dhe psikologjike. Po gjatë ditës së djeshme, specialistët kanë plotësuar kërkesëpadinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për K. Xh., 36 vjeçe, lindur dhe banuese në Golem Kavajë. Mbrojtja do të bëhet pasi bashkëshorti i saj, Haki Xh., 43 vjeç, lindur dhe banues në Golem Kavajë, ka ushtruar sistematikisht ndaj saj dhunë fizike. Materialet ndaj dy personave i kanë kaluar respektivisht Gjykatave të Tiranës dhe Kavajës, për veprime të mëtejshme.

Falsifikoi dokumentet e pensionit, ndjekje penale për 54-vjeçarin

Tiranë - Një tjetër rast i falsifikimit të dokumenteve për të përfituar pension është zbuluar dy ditë më parë. Policia e Tiranës bëri të ditur për gazetën “Albania” se efektivët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik kanë nisur procedimin penal në ngarkim të Kujtim Rakipit, 54 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Procedimi penal ndaj tij është nisur pas denoncimit të bërë nga DRSSH Tiranë, ku shtetasi i lartpërmendur ka përfituar pension në mënyrë të paligjshme, duke mashtruar me dokumente të falsifikuara. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të vjedhjes me anë të “mashtrimit”.

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›