E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat dhe pasaportat. Shqiptarët i blejnë më shtrenjtë se qytetarët europianë

Qeveria nuk ka thënë kurrë se sa është kostoja e prodhimit të një karte apo pasaporte. Nuk dihet se sa është diferenca që duhet të paguajnë shqiptarët për dokumentet

Lorenc Vangjeli

Në fillim të javës, kryeministri Berisha i tregoi publikut kartën e parë të identitetit, letërnjoftimin e ri elektronik të shtetasve shqiptarë. Shpejt, me siguri do të tregojë sërish përpara kamerave edhe pasaportën e re ndërkombëtare, biometrike. E para kushton 1.200 lekë. E dyta, 5 mijë lekë. Porosia që shkon deri në katër milionë copë për secilën prej tyre, do të realizohet nga kompania franceze Sagem, e cila u shpall fituese e koncesionit të dhënë për këtë qëllim. Por ende procesi, i trumbetuar si transparent, nuk ka mundur të afrojë një shpjegim të thjeshtë: sa është realisht kostoja e prodhimit të një letërnjoftimi, sa është kostoja e prodhimit të një pasaporte për të zbuluar se cila është diferenca me të cilën ajo shkon në duart e qytetarit shqiptar. Po tentojmë kësaj radhe të bëjmë një “studim” të pjesshëm për një gjë të tillë. Natyrisht pa mjetet normale që një qeveri ka në dispozicion, por dhe pa detyrimin ligjor që ka po qeveria shqiptare për ta bërë një gjë të tillë. “Studimi” ynë është realizuar vetëm duke telefonuar, duke u konsultuar me specialistë dhe duke konsultuar faqet e pafundme të internetit që shpjegojnë procedura të ngjashme. Revista “MAPO” hodhi e para dyshimet serioze për arsyen se pse qeveria shqiptare zgjodhi dhënien me koncesion të një procesi, i cili deri tani në dy raste të ngjashme është realizuar me tender të hapur ndërkombëtar për prodhimin e tyre, ndërsa të gjithë procedurën tjetër, më kryesoren e të cilave, tregtimin, e bënte vetë në mënyrë shtetërore, duke realizuar në favor të buxhetit të ardhura që shkonin deri në 200 milionë dollarë, të cilat kësaj radhe do t´i mungojnë buxhetit, pikërisht falë zgjedhjes së çuditshme të qeverisë shqiptare.
“Ne, ata”
“Ne e realizuam projektin e pasaportave të reja dhe të letërnjoftimeve, ju në tetë vjet nuk e bëtë”. Ky është shpjegimi i rëndomtë që përfaqësues të maxhorancës u bëjnë zakonisht kritikëve të projektit. “Keni tejkaluar afatet dhe nuk arrini të realizoni projektin e pajisjes së popullsisë me letërnjoftime deri përpara zgjedhjeve”. Ky është sulmi që bën opozita ndaj autorëve të projektit. Por deri tani, pothuaj në asnjë rast nuk është folur politikisht për koston financiare të tij dhe mënyrën se si ai është realizuar. Dhe kjo e ka një arsye, maxhoranca kërkon të insistojë në suksesin e saj historik, kurse opozita, e fokusuar në zgjedhjet e afërta, është më e interesuar për shmangien e certifikatave nga qarkullimi dhe për mospërdorimin e tyre në votimin e pritshëm të qershorit. Ndaj anët e errëta të procesit kanë mbetur ende në errësirë. Ky qerthull deklaratash dhe kundërdeklaratash, megjithatë, ka shmangur përgjigjen për disa pyetje që janë thelbësore. Ato nisin me koston reale të prodhimit të tyre dhe përfundojnë me caktimin – arbitrar është fjala më e përshtatshme për t´u përdorur – të çmimit me të cilin i jepen popullatës. Në mes të këtyre dy shifrave qëndron dhe një e tretë, norma e fitimit të kompanisë së huaj.
Kostoja e prodhimit
Nga një kërkim i shpejtë në internet për kompanitë që prodhojnë dokumente të tillë, kemi mundur të sigurojmë këto shifra. Për pjesën e tregtimit të tyre – atë që shteti e afron si shërbim për popullatën. Pra, sa kushton një pasaportë për një qytetar në Europë. Kështu, Austria, nga qershori 2006, për të rriturit e tregton pasaportën me 69 euro, kurse për ata nën 16 vjeç vetëm 26 euro. Belgjika, nga tetori 2004, 71 euro për të rritur, 41 për fëmijët, plus taksat lokale. Finlanda, nga 21 gushti 2006, 46 euro. Franca, 60 euro. Gjermania, 37.50 euro. Greqia, 76.40 euro. Irlanda, 75 euro. Italia, 44.66 euro. Letonia, 21.42 euro. Holanda, 49.33 euro. Republika e Kosovës, 30 euro. Portugalia, 60 euro dhe 50 euro për pensionistët, Shqipëria, 40 euro. Bie në sy një detaj, çmimi i tregtimit të pasaportës është pothuaj në të njëjtat nivele me çmimin në Europë, në ndryshim nga praktika e disa vendeve të tilla, në Shqipëri nuk ka diferencë çmimi për tregtimin e tyre për fëmijët. Çmimet lëvizin në vende të ndryshme edhe në varësi të kohëzgjatjes së tyre, por dhe të sasisë së faqeve. Në rastin shqiptar, çmimi i zgjedhur është në shkallët e fundit në krahasim me vendet e tjera europiane, por me një diferencë, ne nuk jemi ende fatkeqësisht një vend europian dhe kemi diferenca të jashtëzakonshme në nivelin e jetesës në krahasim me ta.
Letërnjoftimi
Kurse letërnjoftimi ka dhe një problem tjetër. Të paktën paraprakisht do të tregtohet me 1.200 lekë ose afërsisht 10 euro. Thuhet paraprakisht sepse edhe për të ka pasur një rritje të kostos së tregtimit praktikisht. Kjo sepse vendimi i qeverisë shqiptare për të ulur këtë çmim për kategori të caktuara të shoqërisë, pensionistë, studentë dhe familje që jetojnë me asistencë, në fakt e faturon diferencën që ato nuk e paguajnë tek gjithë të tjerët. Të cilët, teorikisht, nuk do të paguajnë vetëm 1.200 lekët që dorëzojnë në sportelet e postës shqiptare, por do të paguajnë dhe për tri kategoritë e lartpërmendura. Në një mënyrë tjetër indirekte. Meqenëse këto para që shteti ka premtuar t´i rimbursojë duke nxjerrë nga xhepi publik para, të cilat mund të ishin parashikuar dhe duhej të përdoreshin në të mirën publike në drejtime të tjera.

Box
Diferenca
Megjithatë, nuk mbaron këtu. Shifrat e konsultuara me ekspertë të huaj, por dhe vendas japin një tablo të përafërt të asaj që po ndodh nga pikëpamja financiare e procesit. Kështu, pasaporta ekzistuese që është ende në qarkullim, e tenderuar me firmën gjermane Bundes Drukerei, ka vetëm 420 lekë kosto prodhimi. Një kosto që përfshin blerjen e saj, plus koston e pajisjeve dhe materialeve të konsumit. Ajo pasaportë u tregtua me 5 mijë lekë, pra, me një diferencë që shkonte për llogari të shtetit deri në 4580 lekë dhe në një total për 3.5 milionë pasaporta deri në afërsisht 209 milionë dollarë. Kurse në rastin e pasaportës së re, e njëjta kosto llogaritet të shkojë deri në 1100 lekë për pasaportë, me një diferencë kostoje prodhimi e tregtimi që shkon deri në 178 milionë dollarë. Dhe me një diferencë tjetër që kjo shumë nuk shkon më për llogari të shtetit. Nga ana tjetër, kostoja e letërnjoftimit nuk shkon më shumë se tre euro për njësi, por tregtohet me 10 të tilla.

Transparenca

Është konsideruar si procesi më transparent i një pune publike të dhënë për t´u kryer nga privati. Deri tani, shteti më së paku ka heshtur pikërisht në këtë pikë, të cilën e ka lënë në errësirë. Dhe punët e liga zakonisht bëhen po në errësirë. Deri në momentin që “dikush” të dalë të shpjegojë të kundërtën. Pra, diferencën e kostos së prodhimit me atë që shqiptarët detyrohen të paguajnë. Ky është detyrimi i qeverisë, e cila nuk mund të fshihet më pas heshtjes.

Marrë nga revista MAPO

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›