E Diel, 1 Nëntor 2026

GSHDNJ: Bollano shkeli Kushtetutën, të kërkojë ndjesë

 

Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut i kërkon shtetit shqiptar të reagojë ndaj kërkesave antikushtetuese të shoqatës "Omonia". Në një deklaratë për median ato cilësohen si kërkesa jo në përputhje me ligjin themeltar të shtetit shqiptar. GSHDNJ ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar si rezultat i kërkesës që është bërë nga "Omonia" drejtuar zyrtarisht qeverisë greke me objekt mosratifikimin nga kjo e fundit të MSA-së mes Shqipërisë dhe BE-së. Në këtë kërkesë specifikohen 7 kushte që duhet të përmbushen nga ana e qeverisë shqiptare, ku dominon dhënia e autonomisë për Vorio-Epirin, njohja e zonave minoritare pothuajse në të gjithë jugun e Shqipërisë dhe konkretisht për Sarandën, Gjirokastrën, Korçën, Delvinën, Himarën dhe 99 fshatra rreth tyre, krijimi i organeve të pavarura nga shteti shqiptar në vendimmarrje dhe ndryshimi i kuadrit ligjor të shtetit shqiptar, që të lejojë bashkimin e zonave që banohen nga grekët në Shqipëri. "GSHDNJ nga analizimi i rastit dhe nga investigimet konkrete, çmon se kjo kërkesë e "Omonia" është një shprehje e hapur e denigrimit ndaj identitetit kombëtar shqiptar, që cenon rëndë pavarësinë e shtetit dhe rendin kushtetues, duke nxitur probleme të paqena etnike që sjellin pasoja negative për shtetin shqiptar", thuhet në deklaratën për shtyp. Sipas kësaj organizate, kjo kërkesë është në shkelje të hapur edhe me përmbajtjen e Kodin Penal të RSH, pasi cenon dispozita specifike që kanë të bëjnë me rendin kushtetues. "GSHDNJ e dënon këtë kërkesë të bërë nga Organizata 'Omonia' dhe i bën thirrje kryetarit të kësaj organizate dhe kryebashkiakut të qytetit të Himarës, z. Vasil Bollano, që të kërkojë ndjesë publike dhe të mbajë një qëndrim sqarues mbi këtë veprim", thuhet më pas në deklaratë. Gjithashtu GSHDNJ nga analizimi i kësaj kërkese dhe nga vetë situate e krijuar i tërheq vëmendjen aktorëve të shtetit shqiptar dhe Parlamentit që të reagojnë ndaj kësaj kërkese, e cila jo vetëm që nuk gjen lidhje dhe gjenezë historike, por nga ana tjetër është dhe në shkelje të rëndë të dispozitave kushtetuese, të cilat specifikohen në parimet e përgjithshme të unitarizmit, pandashmërisë, sovranitetit dhe ruajtjes së interesave kombëtarë në respekt të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›