Meta: Rama, turp që braktisi Këshillin Bashkiak
Kryetari i LSI-së Ilir Meta gjatë një takimi të zhvilluar në njësisë nr. 1 të Tiranës e cilësoi dobësi të kryetarit të Bashkisë Edi Rama, braktisjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak. "Qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë nuk mund të presin një alternativë më të mirë as nga Kryetari i Bashkisë. Është bërë mbledhja për të diskutuar buxhetin e ri të Bashkisë dhe ka qenë një turp i vërtetë, sepse kryetari ka ikur në mbledhje për të thënë fjalët e tij dhe për të mos iu përgjigjur asnjë pyetjeje për buxhetin e bashkisë. Ai nuk ka durimin dhe nuk ka respektin për të dëgjuar një këshill, që e ka zgjedhur i gjithë qyteti, pavarësisht se çfarë përkatësie politike ka", tha Meta. Sipas tij, Rama nuk mund të jetë garant për të vendosur një qeverisje që bazohet mbi ligjin, mbi drejtësinë sociale, një kryetar Bashkie, i cili dhunon së bashku me institucionet që ka në varësinë e tij, pronën e qytetarëve. Nuk mund të jetë garant për të vendosur ligj e drejtësi në një vend një kryetar bashkie, që ka frikë dhe tmerr nga zgjedhjet e lira". Duke u shprehur për ftesën zyrtare të dërguar Kryetarit të PS për të diskutuar për standardet e zgjedhjeve, Meta tha se "kam dy javë që i kam dërguar një letër për t'u takuar dhe për të biseduar për problemin e standardit të zgjedhjeve, meqenëse Presidenti e ktheu Kodin, sepse ishte një Kod i papjekur, ishte një Kod shtatanik dhe i dështuar, ndërsa, ai ka dy javë dhe nuk kthen dot një përgjigje zyrtare".
"Si mund të ketë politikë të re pa dialog? Si mund të ketë politikë të re, duke mohuar elementin më fillestar, dialogun, u shpreh kreu i LSI, Meta. Duke vlerësuar vendimin e Komisionit të Venecias, Meta tha se: "Komisioni i Venecias, si institucioni më i lartë në Evropë për çështjet kushtetuese, i kritikoi rëndë ndryshimet kushtetuese në Shqipëri, duke e quajtur qartazi nenin 104 për mocionin e mosbesimit për Kryeministrin, si një hap mbrapa dhe forcim të tejskajshëm të tij, por njëkohësisht edhe për shumë nene të tjera, të cilat dëmtojnë pavarësinë e Prokurorisë dhe gjyqësorit".