Shitja e OSSH, ku ngecën negociatat
Fabiola Çela
Borxhet e këqija dhe humbjet e energjisë janë dy pikat më të debatuara në negociatat e qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke 'Cez' për privatizimin e OSSH-së. Aktualisht, këto negociata janë pezulluar si pasojë e festave të fundvitit, por do të rinisin në muajin janar. Deklarata është dhënë dje nga vetë kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli. "Jemi në periudhën e fundvitit ku mjaft festa janë përpara, prandaj kemi një pezullim të negociatave për një periudhë 15 ditore, ndërkohë që ky pezullim nuk është një periudhë pasive. Deri tani, negociatat kanë pasur progres mjaft të mirë në shumë pika të kontratës, që do t'i quaja të vështira", u shpreh ministri.
Kontrata
Në shtator të këtij viti u zhvillua tenderi për shitjen e 75 për qind të aksioneve të OSSH-së, ku u shpall fitues kompania ceke 'Cez'. Kjo kompani ofroi 102 milionë euro për blerjen e aksioneve shtetërore. Qeveria ka miratuar kontratën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të energjisë (OSSH). Qeveria dhe çekçt kanë hyrë në një fazë negociatash për kushtet e kontratës, të cilat do të përcaktojnë ecurinë e treguesve, por edhe tarifat e energjisë në vitet e ardhshme. Por sipas ministrit Ruli: "Janë disa pika që kanë të bëjnë me borxhet e këqija që popullata dhe institucionet buxhetore i kanë KESH-it. Janë pika që kanë të bëjnë me investitorin, i cili do të negociojë me faktin, se gjatë periudhës së parë të veprimit do të ketë edhe humbje", ka deklaruar ministri i Energjetikes, Genc Ruli. Madje sipas ministrit, Banka Botërore pritet të japë fond garancie për kompaninë çeke 'CEZ'. "Negocimi vazhdon paralelisht, sepse krahas qeverisë shqiptare po bëhen negociata edhe me Bankën Botërore, e cila do të japë një fond garancie për shoqërinë çeke", deklaroi Ruli.
Borxhet
Disa prej institucioneve shtetërore e sidomos ujësjellësit nuk u kanë paguar faturat e energjisë elektrike, çka ka vështirësuar situatën financiare të OSSH-së. "Po punohet nga Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Punëve Publike për gjetjen e një skeme për pagesën e këtij borxhi nga ujësjellësit. Shuma në total e borxhit arrin vlerën e 13 milionë euro borxh për vitin 2007 dhe vitin 2008", ka deklaruar pak ditë më parë për mediat kreu i OSSH-së Sait Dollapi.
HEC në Devoll, ja përfitimet e qeverisë
Vetëm dy ditë pas firmosjes së kontratës për ndërtimin e tri hidrocentraleve në lumin Devoll, ministri i Energjetikës Ruli ka shpjeguar dje në detaje të gjitha përftimet e qeverisë shqiptare. Sipas tij, projekti përbëhet nga një koncesion i formës BOT për tre hidrocentrale përgjatë lumit Devoll, dy prej të cilëve do të ndërtohen dhe i treti, HEC i Banjës do të përfundohet mbi punimet e mëparshme të ndërtimit, që janë nisur gjatë fundit të viteve tetëdhjetë nga qeveria shqiptare. Në total, vëllimi i investimit për zbatimin e projektit vlerësohet të jetë më shumë se 900 milionë euro dhe më shumë se 30 000 persona në vit do të punësohen gjatë periudhës së planifikimit dhe ndërtimit. Qeveria do të siguronte në total një shumë prej 1 miliard eurosh, përmes taksimit të projektit, si dhe veprimtarive të tjera të lidhura me të.