E Diel, 1 Nëntor 2026

Akademia e Shkencave, përzgjidhen tre akademikët e përhershëm

Teki Biçoku, Shaban Demiraj dhe Ylli Popa janë akademikët e votuar dje nga Asambleja. Në mbledhjen e djeshme, Asambleja miratoi Statutin e ri të Akademisë

Jonida Tashi

Përzgjidhen tre akademikët e përhershëm të Akademisë së Shkencave. Teki Biçoku, Shaban Demiraj dhe Ylli Popa janë tre akademikët e përzgjedhur dje nga Asambleja e Akademisë së Shkencave si anëtarë të përhershëm të saj. Si për ironi të fatit, tre ish-drejtuesit e Akademisë së Shkencave do të rikthehen në këtë institucion, megjithëse kohë më parë qeveria vendosi që akademikët mbi 75 vjeç të mos ishin më pjesë e Akademisë. Madje, jo vetëm kaq, por këta tre akademikë kanë të drejtë të garojnë sërish për kreun e ri të Akademisë së Shkencave.
Mbledhja
Asambleja e Akademisë së Shkencave ditën e djeshme ka organizuar mbledhjen e dytë të saj. Në këtë mbledhje, ku merrnin pjesë të gjithë anëtarët e rregullt të Asamblesë, përveç përzgjedhjes së tre akademikëve të përhershëm, është miratuar edhe Statuti i ri i Akademisë. Menjëherë pas mbarimit të mbledhjes, e cila zgjati për rreth dy orë, zëvendëskryetari i Akademisë, Gudar Beqiraj, u shpreh se Statuti i ri i Akademisë u votua unanimisht. “Asambleja e Akademisë, me anëtarët e rregullt të saj, sipas ligjit kishte detyrimin të miratonte statutin. Mbas vërejtjeve që kishin bërë më parë akademikë të ndryshëm, duke marrë parasysh edhe disa vërejtje që u bënë në mbledhjen e djeshme dhe shikimit të hollësishëm nga ana juridike, u miratua statuti i ri”, - shpjegoi zëvendëskryetari i ASH-së. Gjithashtu, Beqiraj sqaroi se tre akademikët e përhershëm u përzgjodhën po sipas ligjit me votim të fshehtë. Pas votimit u bë edhe shpallja e rezultateve. Më shumë vota nga shtatë kandidatët për akademikë të përhershëm ka marrë kryetari aktual i Akademisë, gjeofizikanti Teki Biçoku. Ky i fundit ka marrë 17 vota nga Asambleja, ndërsa në renditje pas tij kanë qenë Shaban Demiraj, ish-kryetar i Akademisë me 16 vota, si dhe akademiku Ylli Popa, ish-kryetar i Akademisë me 9 vota. Në total akademikët që pranuan të konkurronin për akademikë të përhershëm ishin shtatë: Kristo Frashëri, Teki Biçoku, Shaban Demiraj, Ylli Popa, Kristaq Prifti, Alfred Uçi dhe Bardhyl Golemi. Nga këta kandidatë, i pranishëm në mbledhjen e djeshme ka qenë vetëm gjeofizikanti Biçoku, me postin e kryetarit të Akademisë, i cili ka qenë i pari akademik që është gëzuar nga përzgjedhja si akademik i përhershëm.
Plotësimi
Me përzgjedhjen e tre akademikëve të përhershëm, Asambleja e Akademisë është plotësuar me anëtarët e rregullt të saj që janë 30. Sipas ligjit “Për reformimin e Akademisë së Shkencave”, midis 30 akademikëve që janë anëtarë të rregullt të Akademisë, tre prej tyre duhet të jenë akademikë të përhershëm mbi moshën 75 vjeç. Gudar Beqiraj sqaron se së shpejti do të zgjidhen edhe 15 akademikët e asociuar të Akademisë. Për këtë, ai bën të ditur se dy grupet e punës për vlerësimin e 62 kandidaturave për akademikë të asociuar janë në përfundim të këtij procesi. Asambleja e re e Akademisë së Shkencave do të përbëhet nga 45 akademikë. Në këtë Asamble do të bëjnë pjesë 30 akademikë të rregullt dhe 15 akademikë të asociuar. Pas përzgjedhjes së këtyre të fundit, në Akademinë e Shkencave do të nisë një tjetër garë më e fortë se dy të parat, ajo e zgjedhjes së kryetarit të ri të saj. Aktualisht, në krye të Akademisë qëndron gjeofizikani dhe akademiku Teki Biçoku. Ai do ta mbajë këtë post deri ditën kur do të zhvillohen zgjedhjet e reja në Akademi për organet drejtuese të saj. Sipas projektligjit të ri, të miratuar në fund të vitit të kaluar nga qeveria, kryetari i Akademisë përzgjidhet drejtpërdrejt me votim të fshehtë nga Asambleja, nga radhët e anëtarëve të rregullt. Kryetar zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të asamblesë. Kryetari i zgjedhur nga asambleja emërohet nga Presidenti i Republikës. Zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve përzgjidhen drejtpërdrejt me votim të fshehtë nga asambleja, nga radhët e anëtarëve të rregullt dhe të asociuar, sipas procedurave të përcaktuara në statutin e Akademisë. Kohëzgjatja e mandatit të kryetarit dhe të zëvendëskryetarit është 4 vjet, ndërsa e sekretarit shkencor dhe e drejtuesve të seksioneve është 5 vjet. Në çdo rast, mandati i kryetarit, zëvendëskryetarit, sekretarit shkencor dhe drejtuesve të seksioneve, mbaron me përfundimin e statusit të anëtarit të rregullt ose të asociuar, në përputhje me Nenin 6/1, të këtij ligji. Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të zgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi.

5 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›