Përmbytjet në Lezhë, Ministria e Brendshme “fsheh” zonat kritike
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka bërë një raport lidhur me situatën në qarkun e Lezhës pas rënies së reshjeve të dendura. Por duket se ndryshe nga sa raportojnë gazetarët nga terreni, ministria ka preferuar të përmendë në raport vetëm ato zona ku situata është gjysmë e kontrolluar. “Si rezultat i rënies së reshjeve gjatë datës 03.12.2008 e në vazhdim, në shkallë qarku janë evidentuar këto probleme: në territorin e rrethit Kurbin nuk janë evidentuar probleme. Rrugët nacionale dhe ato rurale janë plotësisht të kalueshme. Gjithashtu nuk ka pasur përmbytje të sipërfaqeve të mbjella apo të banesave. Në territorin e rrethit Mirditë rrugët nacionale dhe rurale janë të kalueshme, probleme të tjera nuk ka pasur”, - njofton Drejtoria e Emergjencave, e cila në lidhje me zonat e përmbytura shton se operacioni i stabilizimit ka pasur probleme për shkak të disa defekteve elektrike.
Shiu nxjerr jashtë rrugës makinën, vdes shoferi 35-vjeçar
TEPELENË – Reshjet shënojnë viktimën e tyre të parë. Viktimë ka qenë shtetasi vlonjat Armando Gërdhuqi, makina e të cilit ka rrëshqitur gjatë rrebeshit të shiut të filluar që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. “Mëngjesin e së mërkurës, në sallën operative të Komisariatit të Policisë së Tepelenës erdhi një telefonatë për një aksident rrugor të ndodhur në aksin rrugor Krahës - Tepelenë, në vendin e quajtur Kthesa e Toçit. Në vendin e quajtur Ura e Toçit, në aksin rrugor Krahës – Tepelenë, automjeti tip benz 190, me targa Vl 1807 C, i cili drejtohej nga shtetasi Armando Gërdhuqi, 35 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, ka dalë nga rruga dhe ka rënë poshtë urës. Si pasojë e rënies poshtë urës dhe vërshimit të ujit e dheut nga moti i keq, drejtuesi i automjetit ka gjetur vdekjen e menjëhershme”, - njoftoi dje policia e shtetit.
Pezullohet puna në porte për shkak të motit të keq
DURRËS- Gjiri detar i Durrësit dhe zona rreth tij janë përfshirë dje pasdite nga një stuhi e fortë, ndërsa deti i trazuar me forcë 5-6 ballë ka bllokuar lundrimin e anijeve. Burime zyrtare nga kapiteneria e portit bënë të ditur se stuhia detare nisi rreth orës 15.00 të pasdites së djeshme. Era me drejtim nga jugu dhe me shpejtësi rreth 80 kilometra në orë, si dhe deti i trazuar me forcë 5-6 ballë, vonuan mbërritjen e trageteve “Ionis” dhe “Grecia”, të cilët ishin nisur rreth orës 06.00 nga Porti i Barit (Itali). Burimet thanë se moti i keq dhe deti i trazuar penguan mbrëmë nisjen e këtyre trageteve nga Porti i Barit dhe natën e kaluar lundroi nga Bari vetëm trageti “Flaminia”, i cili u ankorua në Portin e Durrësit dje, rreth orës 8.30. Sipas të njëjtave burime, keqësimi i kushteve detare ishte parashikuar 36 orë më parë dhe në kalatat e portit janë marrë masa për të përforcuar ankorimin e anijeve si dhe ruajtjen e elektrovinxhave nga fortunali.
PARASHIKIMI I MOTIT PËR DITËN E SOTME, 5 DHJETOR 2008
Vendi ynë sot do të vazhdojë të ndikohet nga një zonë e presionit të ulët atmosferik. Masat e ajrit që do të qarkullojnë do të jenë më të qëndrueshme, të lagëta dhe relativisht të ngrohta. Moti do të jetë me vranësira, kthjellime dhe me reshje shiu të dobëta në zonën e Juglindjes. Era do të fryjë me shpejtësi 2-12 m/sek në drejtimin veriperëndim. Valëzimi në bregdet parashikohet të jetë 4-5 ballë.
TEMPERATURAT
Tiranë 7 dhe 18
Shkodër 7 dhe 14
Durrës 10 dhe 18
Lezhë 8 dhe 17
Kuçovë 6 dhe 18
Gjirokastër 10 dhe 14
Elbasan 7 dhe 17
Kukës 4 dhe 10
Peshkopi 3 dhe 8
Korçë 6 dhe 12
Vlorë 10 dhe 19
Sarandë 10 dhe 18
5 Dhjetor 2008