“Banda e Durrësit”, mungon mbrojtja ligjore, dështon sërish seanca
TIRANË - Gjykata e Krimeve të Rënda kërkoi sërish të enjten pjesëmarrjen e avokatëve mbrojtës në procesin gjyqësor në ngarkim të të pandehurve të ish- “Bandës së Durrësit”. Mungesa në këtë Gjykatë e përfaqësuesve të mbrojtjes ligjore të të akuzuarve si anëtarë të kësaj ish-bande solli dje dështimin e seancës së radhës. Në këtë proces janë të pandehur 16 persona, të akuzuar për disa episode të rënda kriminale, ndër to, disa vrasje të ndodhura vite më parë në Durrës. Sipas të dhënave të Prokurorisë, në fillimet e saj, në vitin ‘97, “Banda e Durrësit” drejtohej nga i pandehuri Lulzim Berisha. Me kalimin e kohës, anëtarët e saj u përfshinë në konflikte me njëri- tjetrin duke krijuar grupe rivale. Pjesa më e madhe e të pandehurve të “Bandës së Durrësit” janë arrestuar në këta tre vitet e fundit nga forcat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila për disa vite hetoi çështjen penale ndaj tyre.
Grabitet pika e karburantit tek Ura e Peshkatarit, merren lekët e xhiros
Tiranë - Grabitet një pikë karburanti në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në afërsi të Urës së Peshkatarit, kur një person ka hyrë në vendin e punonjësit të pikës së karburantit dhe ka marrë një shumë lekësh, e cila nuk është bërë e ditur. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë për gazetën se ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës së djeshme dhe se roja që ka qenë aty ka njoftuar në telefon uniformat blu, të cilat janë nisur menjëherë në drejtim të fshatit Dobrash, ku ka ndodhur ngjarja e rëndë. Punonjësi i karburantit ka deklaruar se një person ka hyrë dhe ka marrë shumën e parave që ishin bërë gjatë xhiros së ditës. Më pas policia ka marrë në pyetje edhe rojën e pikës, i cili ka deklaruar për uniformat blu se ka parë një njeri që ka hyrë në ambientet e zyrës, ka marrë një gjë dhe ka ikur me vrap. Roja Hajdar Kaçi ka deklaruar se nuk ka arritur ta njohë atë person. Policia ka nisur hetimet, ndërkohë që nuk bëhet e ditur shuma e parave. Ngjarja është regjistruar si “vjedhje me thyerje” dhe jo si grabitje.
Policia ndalon Jurgen Reçin, dyshohet si autori i një plagosjeje me armë
Lezhë – Uniformat blu kanë ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për ndalimin e shtetasit Jurgen Reçi, i biri i Flavjanit dhe Davides, 18 vjeç, lindur e banues në qytetin e Rrëshenit, me kombësi e shtetësi shqiptare, me arsim tetë klasë, beqar, i padënuar më parë. Ndalimi i tij u bë se dyshohet të jetë autor i veprës penale “Plagosje e lehtë” të shtetasit Maringlen Jaku, ngjarje e ndodhur në datën 15 tetor 2008 në qytetin e Rrëshenit. I ndaluari u dërgua në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Kurbin. Materialet do t’i dërgohen për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Pranga të riut, iu konvertua gjoba në burg për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor
Durrës - Arrestohet i riu, pasi është dënuar me burg nga gjykata, për akuzën “drejtim i automjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi”. Policia e Durrësit tha për gazetën se në këtë mënyrë është ekzekutuar vendimi i marrë nga Prokuroria e Durrësit për Euxhen Mukën, 23 vjeç, lindur dhe banues në Shijak, me arsim 8 klasë. Sipas të dhënave, Gjykata e Rrethit Durrës, me vendim të datës 30 tetor 2008, ka bërë konvertimin e dënimit nga gjobë me vlerë 40.000 lekë të reja në dënimin me burg. Pas arrestimit, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të tjera.
Gjykata e Krimeve të Rënda, 56 muaj burg për trafikantin e 14 kg hashash
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 4 vjet e 8 muaj burg 52-vjeçarin për trafik të lëndëve narkotike. Minella Xhogu nga Vlora akuzohej nga prokuroria për trafik të 14 kg hashash. Sipas hetimeve të kryera, 52-vjeçari më datën 27 qershor të këtij viti ishte duke udhëtuar me automjetin e tij, tip “Renault Lugana”, me targa greke MYB 7462, drejt Greqisë. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria, gjatë një kontrolli të ushtruar në Pikën Kufitare të Kakavijës, Xhogut i janë gjetur në pjesën e motorit 5 pako të mbështjella me letër natriban. Akuza ka evidentuar faktin se në pjesën e poshtme në shasinë e automjetit u gjetën edhe 11 pako të tjera, të cilat varionin nga 800 gr deri në 1 kg secila.
5 Dhjetor 2008