E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festohet 96-vjetori i Forcave të Armatosura Shqiptare



Tiranë - Në vazhdim të festimeve të ditës së formimit të Ushtrisë Shqiptare, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë është zhvilluar sesioni jubilar: “96 vjet Forca të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Në fjalën e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Maksim Malaj, ka bërë një përmbledhje të gjerë të rrugëtimit të ushtrisë shqiptare që prej vitit 1912 gjer më sot. Ai ka vlerësuar dhe nderuar punën e mijëra ushtarakëve shqiptarë të të gjithë brezave dhe kontributet profesionale e njerëzore, një pjesë e të cilëve sakrifikuan dhe jetën e tyre. Duke u ndalur në ushtrinë e ditëve të sotme, gjeneral Malaj ka vënë në dukje transformimet cilësore të saj, e cila i shërben jo vetëm sigurisë kombëtare e ndihmës ndaj popullsisë në nevojë, por është kontribuese serioze në angazhimet ndërkombëtare duke prodhuar paqe e siguri jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Gjeneral Malaj e ka mbyllur fjalën e tij me urimin për të gjithë ushtarakët, në veçanti për ata që aktualisht janë në misione jashtë vendit dhe që ndodhen në krye të detyrës në Afganistan, Irak e Çad; për veteranët dhe të gjithë ata që kontribuan për çlirimin e vendit nga pushtuesit; për ushtarakët në rezervë, të cilët shërbyen me përkushtim për një kohë të gjatë në radhët e Forcave të Armatosura. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, ka përcjellë për të pranishmit urimet për këtë ditë edhe në emër të ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa.
Ai ka vlerësuar dhe falënderuar të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura për punën dhe rezultatet që kanë arritur, rezultate që janë të dukshme edhe në sytë e partnerëve tanë. “Ne jemi në një pozicion sa delikat, aq edhe të rëndësishëm për Shqipërinë. Vetëm pak muaj na ndajnë nga anëtarësimi i plotë në Aleancë, ndaj na dalin përpara detyra që duhen përmbushur me përpikëri dhe përgjegjshmëri të lartë”, - ka vënë në dukje zëvendësministri Karabina. Pas përfundimit të sesionit jubilar, të pranishmit kanë vizituar ekspozitën fotografike mbi historikun e FA-së dhe kanë parë dokumentarin e përgatitur për këtë 96-vjetor.

5 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›