E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, ata që politika i ka lënë në baltë



Artan Mullaj

Për shumë njerëz, emigrantët janë shpresa e gjallërimeve sezonale të ekonomisë sonë, sidomos në festat e fundvitit apo pushimet verore, kur ata vërshojnë. Por janë të paktë ata që sjellin në mendje se këta shpëtimtarë modestë të tregjeve të sfilitura shqiptare, më shumë se të tillë, mund të etiketohen si “diga e parë mbi të cilën përplasen dallgët e antishqiptarizmit tradicional”. Janë të paktë ata njerëz që mendojnë se, duke qenë të tillë, emigrantët janë ndëshkuar të mbajnë mbi supe shkallëzimet e shkulmeve raciste të krijuara në periudhën e tranzicionit, po të llogaritet që filtrimi, vite më parë i një numri të madh kriminelësh shqiptarë në Perëndim, ka pasur rolin e tij në prodhimin e një opinioni negativ ndaj nesh, gjithë këta vjet. Dihet që shumë shpejt ky opinion u shndërrua në një racizëm vulgar ndaj shqiptarëve. Si një mbidozë, vala e këtij racizmi i ka persekutuar sistematikisht gjithë këta vjet emigrantet tanë... Të gjithë e dimë dhe nuk është e rastit që në Itali, Greqi, dhe në vende të tjera, disa qarqe shpesh shohin te shqiptarët fantazma keqbërëse, hajdutë e kriminelë, falë ndodhive të pakëndshme që kanë ndodhur sidomos në vigjilje të “hapjes” sonë...
Megjithatë, duhet thënë se në fakt racizmi ndaj shqiptarëve është tulatur disi kohët e fundit dhe kjo falë reflekseve të civilizimit të rrezatuara nga njerëzit tanë në vendet ku jetojnë. Kjo ka qenë një aventurë e vetmuar përpjekjesh për të vërtetuar ekzistencën e emancipimit kombëtar të trashëguar epokë pas epoke. Por natyrisht ka qenë një aventurë e vështirë në kushtet kur antishqiptarizmi ka qenë dhe është një realitet që ndikon pa pushim në jetën e tyre.
Deri këtu nuk ka asgjë të re; e reja është se në fakt, mbas 18 vjet pluralizëm, nuk ka ende asnjë të re, asnjë lëvizje politike të mirëfilltë në Tiranë për një mbështetje politike e morale ndaj tyre… ç’ka do të thotë se askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për këta “jetimë shtetërorë” të harruar nga pushteti, me gjithë problemet e mëdha që kanë.
Nëse vështrimet bien mbi ta, ashtu si ndodh me komunitetet e tjerë, kjo ndodh vetëm kalimthi dhe vetëm dinakërisht në fushata parazgjedhore.
Çështja e emigrantëve tanë është para së gjithash çështje dinjiteti kombëtar, meqenëse në përplasjet e huaja0 poshtërimet që jo rrallë iu bëhen atyre kanë të bëjnë pikërisht me këtë; krenarë apo të përbuzur, ata përfaqësojnë origjinën dhe dinjiteti i publikuar prej tyre është shfaqja jonë e përballur… Ngjan meskine dhe anësore, por unë besoj që një kujtim tmerri për të gjithë emigrantët tanë që jetojnë në Greqi është ende sot kalimi i vështirë nëpër dogana, pritjet e tmerrshme shpesh të stimuluara e shumorëshe nëpër radhë sfilitëse, në dimër dhe verë; prej shumë vitesh kjo gjë është një poshtërim, një mallkim, një bastardim i dinjitetit të tyre.
Nuk ka dyshim që çdo emigrant do të reflektonte interes të madh nëse merret seriozisht dhe diskutohet të paktën kjo çështje në zyrat e politikës shqiptare. Por kjo ka pak gjasa të ndodhë. Më shumë se përbuzjet dhe antishqiptaritë e të huajve, shpërfillja e Tiranës është ajo që ka diskriminuar shtetasit e vet në perëndim me këtë braktisje që nuk mund të shpjegohet. Emigrantët janë lënë në hallet e tyre, si një komunitet rrugëhumbur.
Lënia në hallet e tyre, ndërkohë që ata janë absolutisht pjesa më e pastër, më e painfektuar dhe më e qytetëruar e shqiptarëve, përveç që dëshmon për shkallën e lartë të meskinitetit qeveritar, është një vërtetim i teoremës makabre të paaftësisë së Berishës për të menaxhuar si duhet këtë vend. Por nga ana tjetër, shpërfillja shtetërore ndaj problemeve të mëdha të tyre, si dhe ndaj civilizimit të sigurt që ata kanë fituar gjithë këta vjet në perëndim, ka sjellë një agresivitet të ndërsjellë dhe të shkujdesur të emigrantëve ndaj politikës në vendin e tyre, që shprehet me një zhgënjim progresiv dhe mënjanim të vetëdijshëm...
E shprehur ndryshe, shqiptarët perëndimorë, të lodhur e të vetmuar në durimin e përbindshëm për të pastruar fytyrat e tyre në vendet ku jetojnë, janë po aq indiferentë ndaj politikës në Shqipëri, sa mospërfillëse ka qenë edhe politika ndaj tyre gjithë këta vjet, duke krijuar një lloj polarizimi të padobishëm.
Fatkeqësia është se askush në Tiranë nuk gjykon që zhgënjimi i këtij komuniteti është fillimi i një drame të re kombëtare. Ata dalëngadalë po ndalojnë së fabrikuari dashuri për vendin e tyre jo vetëm sepse kjo dashuri nuk u është kthyer kurrë, por edhe sepse asgjë nuk duket se do të sjellë shpresën e ndryshimit në vendin e tyre përsa kohë në pushtet do të jenë politikanë si Nano e Berisha.
E shtrënguar fort në ngërçin e njëanshmërisë dhe paaftësisë dëshpëruese, politikës shqiptare i kanë bërë iso edhe media të rëndësishme shqiptare në këtë mohim të pafalshëm. Këto media duhet te ishin koshiente për figurën e zhgaravitur të shqiptarëve në perëndim, ku ata kanë emigruar. Por pak gjëra thuhen e shkruhen për emigrantët, kurse shteti, ashtu si edhe për shqiptarët brenda vendit, realisht nuk ka ekzistuar dhe vazhdon të mos ekzistojë. Nuk është bërë asgjë asnjëherë për të përmirësuar imazhin e njeriut shqiptar nëpër botë. Ky është një gabim historik dhe është gjithashtu i pafalshëm, po të llogaritet që për disa bindje të të huajve ne vazhdojmë të jemi një realitet i rëndomtë, i ulët, një vend pa histori, pa vlera, pa kujtesë, ndonëse ato ekzistojnë.
Historia e emigrimit modern të shqiptarëve është vazhdimi i një drame të zezë. Duke i shtuar racizmit më cinik që ka ekzistuar ndonjëherë për një komb edhe vështirësitë e mëdha paraprirëse të një luftë të ashpër për ekzistencë, kjo është një histori midis fatalitetit dhe heroizmit, për të cilën duhet thënë e duhet bërë patjetër diçka.
Është rritur më shumë se kurrë nevoja e marrjes seriozisht të imazhit të dëmtuar të shqiptarëve nëpër botë. Kjo është një kambanë që duhet të gjëmojë një orë e më parë. Sepse ky imazh është kthyer në një katandisje që ua ka nxirë fytyrën përjetësisht jo vetëm atyre, por dhe fëmijëve të tyre.
Nuk duhet harruar se, edhe pse vazhdojnë të jenë të persekutuar nëpër arenat e luftës së tyre për integrim në vendet ku jetojnë dhe civilizohen, emigrantët tanë janë një pasuri gjigante kombëtare. (Që fatkeqësisht nuk mund të llogaritet nga pushtetarët tanë). Ingranimi në shoqëritë europiane i ka ngritur ata në një kulturë dhe në një civilizim ku e ku më të lartë nga ajo e marrëdhënieve njerëzore në Shqipëri. Për të gjithë është e qartë se në dhe të huaj, edhe pse jetimë, të parëndësishëm, të heshtur, shqiptarët janë një fuqi e madhe e konsoliduar falë punës titanike që kanë bërë në civilizimet përkatëse. Ata janë realisht të europianizuar e te qytetëruar në nivelin që kërkohet dhe janë komunitete pjesë përbërëse të Europës ku duam të shkojmë. Komunitetet e emigrantëve kanë rritur mjaft kualitetin e demokratizimit dhe civilizimit të tyre, duke qenë në këtë mënyrë qeliza europiane, paraprirës të ëndrrës.
Pikërisht këtu qëndron absurditeti i shpërfilljes. Ndërsa duhet të ftohen të marrin pjesë në progresin shqiptar, të vlerësohen dhe të kontribuojnë në përmirësimin e sjelljes qytetare në Shqipëri, ata janë të shpërfillur…. Emigrantët janë krahasues objektivë dhe janë në gjendje të gjykojnë realisht ç’ka duhet ndryshuar, në vendin e tyre ku shumë gjëra nuk shkojnë mirë. Mungesa e politikave për trajtim të tyre i ka privuar Shqipërisë një investim të rëndësishëm. Normalisht, zhvillimi ekonomik duhej të provokonte kthime masive të emigrantëve dhe investime të kapitaleve të tyre këtu, por kjo nuk ka ndodhur.
Nuk ka kthime vullnetare emigrantësh, sepse shteti shqiptar nuk mund t’u afrojë atyre besim, bashkëpunim dhe interes, me klimën korruptive dhe politikën klienteliste; për ata, Shqipëria është ende një vend ku shpresat e pakta lindin në mjegull dhe shuhen në mjegull.

5 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›