E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet fundosin Shqipërinë, përmbyten qindra banesa në Lezhë dhe Fier

Situatë alarmante paraqitet në Shkodër dhe në Portin e Durrësit. Zyrtarët e Emergjencave raportojnë të dhëna që bien ndesh me realitetin

Tiranë - Lumenjtë kanë marrë dhenë pas reshjeve të dendura, ndërsa për qindra familje në Lezhë dhe në Fier ka rënë prej dy ditësh “alarmi”. Prej dy ditësh, njerëzit po mësohen ta bëjnë gjumin dhe mbi tarraca tanimë që në katet e para uji ka “përpirë” gjithçka. Reshjet e rëna gjatë 48 orëve të fundit kanë gjunjëzuar Shqipërinë, duke përmbytur me qindra shtëpi dhe sipërfaqe të mbjella me kultura bujqësore. Uji ka hyrë në mbi 200 banesa në qytetin e Fierit, ndërsa qindra të tjera kanë të njëjtin fat në qarqet e Lezhës, Shkodrës, Durrësit dhe Vlorës. Kësaj situate i shtohet edhe mungesa e energjisë elektrike në disa zona të vendit, duke nxjerrë jashtë funksionit sistemet e pompimit. Krejt ndryshe paraqitet gjendja nga autoritetet zyrtare të Emergjencave Civile, sipas të cilëve situata është nën kontroll, por në të vërtetë situata flet për një panik mes qindra familjeve në të paktën 4 qytete të vendit.
Në Fier
Mbi 200 banesa në qytetin e Fierit janë përmbytur si pasojë e daljes nga shtrati të Lumit Gjanica. Reshjet e shumta të 24 orëve të fundit kanë bërë që të dalë nga shtrati i tij lumi që përshkon mes për mes Fierin. Shtëpitë që ndodhen përgjatë shtratit të tij në lagjet “Liri” dhe “Sheq i vogël” janë përmbytur duke pësuar dëme të konsiderueshme në orenditë shtëpiake. Ato kanë mbetur të izoluara dhe pa mundësi komunikimi gjatë gjithë natës deri në mëngjes. Banorët, veç shkëputjes me pjesën tjetër të qytetit, kanë vuajtur edhe panikun se prurjet e lumit mund të shtoheshin duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.
Në Lezhë
Reshjet e shiut kanë krijuar një situatë të rënduar në rrethin e Lezhës. Tri komuna janë totalisht të përmbytura dhe pa energji elektrike prej 48 orësh. Gjendja është alarmante në komunat Balldre, Dajç dhe Kolsh. Të dhënat nga pushteti vendor tregojnë se 400 hektarë tokë bujqësore është aktualisht e përmbytur. Përballë kësaj situate kaotike, banorët janë të vetëm. Asnjë masë nuk është marrë nga Emergjencat Civile dhe as nga Prefektura e Lezhës. E gjithë zona është nën ujë dhe me vështirësi kalimi, pa përjashtuar dëmet e mëdha që u janë shkaktuar fermerëve në të mbjellat dhe produktet bujqësore. Shiu që ra pa pushuar për dy ditë i ka lënë tri komunat në errësirë të plotë. OSSH-ja nuk ka riparuar ende defektet duke rënduar më tepër jetesën e këtyre njerëzve që janë nën pushtetin e ujit dhe për më tepër në errësirë.
Në Shkodër
Niveli i ujërave të Lumit Drin është ngritur dje së tepërmi për shkak të reshjeve të dy ditëve të fundit, nga prurjet e lumenjve Kir e Gjadër dhe nga shkarkimi i Hidrocentralit të Vaut të Dejës, duke përmbytur në disa zona tokat bujqësore në brigjet e tij. Zef Hila, kryetar i Komunës së Bushatit, rreth 20 kilometra larg Shkodrës, tha se gjatë ditës së djeshme rreth 3 mijë hektarë tokë bujqësore është mbuluar nga uji që ka dëmtuar të mbjellat. Probleme ka pasur edhe në Komunën e Vig-Mnelës, - tha kryetari i kësaj komune, Pjetër Lleshi. Ai bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme rreth 100 hektarë tokë bujqësore është përmbytur nga uji, niveli i të cilit arrin rreth 30 centimetra.
Në Durrës
Për shkak të kushteve të rënduara të motit, në Durrës ka mbetur e bllokuar hyrja dhe dalja e anijeve në portin më të madh të vendit. Sa i takon qytetit të Durrësit, disa nga lagjet periferike vazhdojnë të jenë nën pushtetin e ujërave. Më e rëndë situata mbetet në lagjet e Shkozetit, Plazhit dhe ish-kënetës, ku si pasojë e bllokimit të kolektorëve nga mbeturinat apo nga godinat e ndërtuara pa lejë pranë tyre, ujërat e grumbulluara pas reshjeve të djeshme vazhdojnë të bllokojnë rrugët dhe banesat. Burime zyrtare nga ndërmarrja e ujësjellësit bënë të ditur se pesë stacionet e pompimit në plazhin e Durrësit punojnë me kapacitet të plotë dhe prania e energjisë elektrike e ka lehtësuar disi gjendjen e rëndë që u krijua në fillim.

Kuvendi, debat për përmbytjet nga shirat

Deputeti i Partisë Socialiste, Ndriçim Hysa, akuzoi qeverinë për mosmbajtjen e premtimit për rehabilitimin e zonave që ndodhen nën nivelin e detit, të cilat, sipas tij, janë përmbytur nga shirat e ditëve të fundit. Hysa solli në vëmendje dëmet e shkaktuara nga lumenjtë veçanërisht në qytetin e Lezhës, por dhe në qytete të tjera të vendit. Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, tha dje në Kuvend se situata e krijuar nga reshjet e dendura është nën kontroll dhe se ajo po shkon drejt normalizimit. “Sipas informacionit të përcjellë në qeveri, strukturat lokale në të gjithë vendin kanë qenë në krye të detyrës. Furnizimi me energji i hidrovoreve nuk është ndërprerë dhe funksionimi i tyre ka qenë me kapacitet të plotë, duke mos lejuar daljen nga shtrati të lumenjve. Nëse nuk do të kishte qenë gatishmëria e strukturave përkatëse, pasojat e reshjeve do të kishin qenë të rënda. Nuk duhet t’i ekzagjerojmë problemet, ndërkohë që intensiteti i reshjeve sot është ulur dhe situata po shkon drejt normalizimit”, - është shprehur Gjana.

5 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›