Akademia, ligji miratohet pa opozitën
• Ligji për akademinë e shkencave është miratuar dje nga komisioni i medias dhe i edukimit pa praninë e opozitës dhe me kontestime nga akademikët.zirina llambroAi pritet të votohet në parlament në 26 dhjetor. Por përkundër kësaj diçka është arritur. Në draftin përfundimtar të miratuar dje maxhoranca u tërhoq nga qëndrimi fillestar i saj lidhur me kriterin e moshës për anëtarët e këtij institucioni. Nga 70 vjeç që ishte fillimisht në variantin përfundimtar të projektligjit anëtarësia e akademikëve përfundon pas moshës 75 vjeç. Përpos kësaj në nenin dy është shtuar edhe një paragraf i ri që përcakton kushtet kur një akademik përfiton titullin “Anëtar i përhershëm”. Këtë status sipas nenit në fjalë e marrin akademikët që kanë mbushur moshën 75 vjeç dhe kanë një kontribut të shquar e të vlerësuar gjerësisht në shkallë kombëtare e ndërkombëtare. “Anëtarët e përhershëm të akademisë nuk mund të jenë më shumë se 10 veta”, thuhet në ligj ndërsa përcaktohet se anëtarët e përhershëm të akademisë zgjidhen nga anëtarët e rregullt të asamblesë pasi të jetë arritur kuorumi i nevojshëm i saj. Sa i përket shpërblimit të anëtarëve është sanksionuar se pranimi në akademi si anëtar i rregullt i përhershëm ose i asociuar nuk nënkupton një vend pune me kohë të plotë dhe të pagueshëm në akademi. “Anëtarët që kanë vende pune me kohë të plotë janë ata të kryesisë dhe drejtuesit e seksioneve”, thuhet në nenin 7 ku përcaktohet se nga buxheti i akademisë paguhet shpërblimi për titullin “Akademik”. Nga ana tjetër riorganizimi i akademisë do të kalojë në një periudhë kalimtare e cila do të zgjasë deri në një vit nga hyrja në fuqi e ligjit. Sipas nenit 14, gjatë kësaj periudhe do të përgatiten kushtet për zgjedhjen e organeve dhe autoriteteve të reja drejtuese të akademisë. Sakaq kryesia e përkohshme do të ketë një kryetar që do të emërohet nga presidenti i republikës brenda një muaji nga hyrja në fuqi e ligjit. Ndërkaq asambleja do të miratojë statutin e ri të akademisë jo më vonë se 4 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Me gjithë këto ndryshime sërish për akademikët ligji është diskriminues. Ndërsa opozita u largua gjatë votimit, duke kërkuar më shumë kohë për të shqyrtuar projektligjin e ri. Kjo gjë nuk u pranua nga maxhoranca, e cila theksoi se për miratimin e ligjit është kërkuar procedurë e përshpejtuar. “Pavarësisht ndryshimeve, ligji mbetet diskriminues dhe antikushtetues, nuk jemi përfillur sërish. Në këtë proces s’na është marrë mendimi, këta të opozitës thjesht kërkuan kohë për të shqyrtuar propozimet e reja”, tha Luan Omari, përfaqësues i akademikëve. Javën e fundit në mbështetje të tyre kanë ardhur disa letra nga akademitë e Evropës Juglindore dhe nga komiteti ndërkombëtar i akademive me seli në Bruksel.LetratPas Këshillit të Akademive të Evropës Juglindore, të cilët me anë të një letre kanë shprehur qëndrimin e tyre në mbështetje të Akademisë së Shkencave, ka reaguar edhe Komiteti Përfaqësues i Bashkimit Ndërkombëtar të Akademive(IUA) me seli në Bruksel. Gazeta i ka publikuar këto letra gjatë këtyre ditëve. Në to theksohet se masat e parashikuara nga qeveria shqiptare janë tërësisht në kundërshtim me parimin themelor të gjithë Akademive në botë.Opozita Anëtarët e opozitës në komisionin e medias dhe edukimit kanë braktisur dje mbledhjen. Me argumentin se u nevojitet më shumë kohë për të shqyrtuar variantin përfundimtar të ligjit për akademinë. Ata kanë deklaruar se nuk ka motiv për t’u nxituar në këtë drejtim. Por maxhoranca s’e ka pranuar këtë argument dhe ka miratuar ligjin pa praninë e tyre.