E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, flakët shkrumbojnë “Buda” bar tek ish-Blloku

• Zjarri shkrumbon bar "Buda", në qendër të ish-Bllokut, duke rrezikuar jetën e qindra banorëve të dy pallateve, si dhe bizneseve të tjerë që ndodhen ngjitur. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në kryeqytet, rreth orës 12:30, kur në mënyrë të papritur zjarri është shfaqur në ambientet e lokalit luksoz dhe më pas ka përfshirë të gjithë pjesën juglindore të ndërtesës së vendosur në rrugën "Ismail Qemali". Zjarrfikësit luftuan për më tepër se dy orë për të shuar zjarrin. Paralelisht me përpjekjet për të shuar zjarrin, policia ka evakuuar të gjithë banorët dhe personelin e lokaleve që ndodheshin në të dy pallatet, për të shmangur viktimat në njerëz. Banorët thanë se e kishin parë zjarrin të dilte nga bari luksoz, ndërsa vetë pronarët e lokalit pohuan dje, se zjarri iu kishte ardhur nga pjesa e tavanit në lokal nëpërmjet rrugëve të aspirimit. I gjithë lokali ka mbetur i djegur dhe kanë mundur të shpëtojnë vetëm disa kolltukë të tymosur. Flakët janë vënë nën kontroll rreth orës 14:00. Pas ngjarjes, policia dhe zjarrfikësit kanë nisur këqyrjen e vatrave të mundshme nga mund të kishte nisur zjarri. Fillimisht është dyshuar një gjenerator që ndodhej në pjesën e pasme të godinës shumë katërshe, ku ndodhet "Buda" bar. Sipas drejtorit të Shërbimit Zjarrfikës të Republikës, Dilaver Laçi, zjarri është konstatuar të ketë ardhur në ambientet e pasme të lokalit nga një frigorifer që ndodhej në një magazinë që përdorej nga lokali. Specialistët e policisë kanë marrë në pyetje për ngjarjen dëshmitarë të ndryshëm, të cilët kanë sqaruar rrethanat dhe situatën e rënies së zjarrit dhe më pas ata janë lënë të lirë. d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›