Berisha bën “qokën” e Bajramit, i jep myslimanëve 1185 metra tokë
• Berisha e ka bërë dje "qokën" e Bajramit. Një ditë para festës, qeveria i ka "dhuruar" Komunitetit Mysliman 1185 metra katrorë tokë në mes të kryeqytetit.Bëhet fjalë për sipërfaqen në krah të Dhomës së Tregtisë, mes rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit. Kjo tokë, aktualisht në pronësi të shtetit, i kalon me vendim Komunitetit Mysliman. Në dokumentet e qeverisë, edhe pse kërkesa është bërë nga Komuniteti, toka nuk do të shkojë për ndonjë ndërtim të këtij të fundit, por do të kalojë në varësi të një firme private. Pika e parë e vendimit, e kalon tokën nga fondi i shtetit në varësi të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ndërsa pika e dytë, e detyron këtë të fundit të kompensojë fizikisht Komunitetit. "Kjo sipërfaqe të shërbejë për kompensim fizik të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të pronës së njohur me vendimet e vitit 1996 dhe 2000, të ish-komisionit të pronave, Tiranë". Vendimi i djeshëm hyn në fuqi menjëherë. Qeveria e quan rast të veçantë ndërhyrjen në kompetencat e Agjencisë së Kthimit të Pronave. Në relacionin shpjegues theksohet se vendimi duhet trajtuar si rast përjashtimor, sepse qeveria nuk mund të marrë vendim për çdo objekt që i kalon fondit të kthimit fizik. Por, qeveria e justifikon kalimin e kompetencave në rastin e mësipërm, me rregullimin e balancave mes feve në Shqipëri. "Vendimi synon të plotësojë boshllëkun de facto të konstatuar në këto vite dhe i jep zgjidhje të menjëhershme, me aq sa janë mundësitë, kërkesave të vazhdueshme të Komunitetit Mysliman Shqiptar, për një trajtim të barabartë me subjektet e tjera fetare, për të drejtën e pronësisë. Ndaj ky vendim është në vazhdën e përpjekjeve të mëparshme dhe shënon ndërkohë, mbylljen e ciklit të njohje/kompensimit të pronësisë në qendër të Tiranës për të tria bashkësitë e mëdha fetare në Shqipëri". Ky është shpjegimi i qeverisë, si një baraspeshim i marrëdhënieve mes tre komuniteteve, edhe pse çuditërisht, ky balancim nuk do të shërbejë për ngritjen e ndonjë kulti fetar, si në rastet e komuniteteve të tjera.