Tiranë, Kurbani që u kthye në mort
• Fqinjit të familjes ku zjarri shkaktoi dje katër të vdekur, fillimisht nuk i është dukur ndonjë gjë e pazakontë era e tymit që vinte nga dera e apartamentit aty pranë.Dashamir BiçakuPor kur era është bërë më e fortë, ai ka menduar të dalë menjëherë i frikësuar. Kur ka hapur derën era e rëndë ishte e padurueshme. I ka telefonuar komshiut, ndërsa dera nuk hapej. Menjëherë ka hipur në tarracë, dhe që andej ka hapur me forcë dritaret e banesës së komshiut Haxhi Gutaj. Që andej është munduar të ndihmojë, gruan dhe vajzat e kushëririt, por ka qenë e pamundur të futej në mes të flakëve dhe të tymit të dendur të shkaktuar në dhomë. Menjëherë ka lajmëruar të zotin e shtëpisë, Haxhiun, ndërsa më pas është lajmëruar policia dhe zjarrfikësit. Edhe pse ata kanë ardhur shpejt, misioni ishte thuajse i humbur. Tri vajzat dhe nëna e tyre kishin vdekur që kur zjarri ende nuk kishte nisur, por shtëpia ishte ende e mbytur në tym. Ky ishte fundi tragjik i familjes së Haxhi Gutajn, vajzave dhe bashkëshortes së tij, ndonëse ëndërronin të mbërrinin pranë të afërmve dhe të festonin Kurban Bajramin në Gjakovë. Zjarrfikësit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pasi janë lajmëruar. "Sirenat e zjarrfikësve ulërinin. Iku njëra dhe erdhi një tjetër më pas me shkallë", tregon një burrë rreth 40 vjeç që banon në një pallat përballë. Zjarrfikësit kanë munduar të shuajnë zjarrin vetëm 10 minuta pasi kanë mbërritur dhe kanë hyrë të shpëtojnë fëmijët dhe gruan. Ata kishin ndërruar jetë me kohë. Pasi Sadetja është ndarë me të shoqin, ajo ka shkuar pranë fëmijëve të saj, Diellës, Dafinës dhe Hajries. Sapo ka mbërritur në banesë, ajo ka vënë fëmijët në gjumë, vajzat e mëdha, Diellën dhe Dafinën i ka vënë të flenë në një krevat tek, që ndodhej pranë shtratit të saj. Ka mbajtur pranë vetëm vajzën e vogël Hajrien, të cilën duhej edhe ta ushqente. Ftohtësia e papafingos ka shtyrë si zakonisht Sadeten të hapë ngrohësin elektrik me tri rezistenca. Më pas është shtrirë të priste të shoqin, e ndoshta po mendonte për udhëtimin që kishin planifikuar të bënin dje tek të afërmit e saj në Gjakovë. Në këto mendime gruaja duhet të ketë nisur të dremisë, ndërsa askush nuk është kujtuar së paku të hiqte peshqirin nga ngrohësi i korrentit. Ai ka nisur të nxehet dhe më pas temperatura i ka dhënë flakën të gjithë banesës. Policia gjatë këqyrjes në banesë ka vënë re pikërisht se në ngrohësin elektrik ndodhej hiri i zi i një peshqiri të djegur. Uniformat blu kanë pohuar se peshqiri i djegur mund të ketë qenë shkaku i rënies së zjarrit, ose cilësia e dobët e pajisjeve elektrike. Për këtë shkak ekspertët kanë kryer këqyrjen e kujdesshme dhe kanë pohuar se shkaku i zjarrit ishte djegia e peshqirit. Sipas specialistëve, edhe cilësia e pajisjeve mund të ketë qenë e dobët dhe për këtë ata do të kryenin verifikimet nevojshme. Ndërkaq trupat e viktimave janë përcjellë në morg, ku ekspertët përkatës kanë punuar deri në mëngjes për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Rreth orës 9:30, familja, sipas punonjësve të Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë tërhequr trupat e të afërmve të tyre, dhe i kanë nisur në drejtim të Gjakovës.viktimat• Sadete Gutaj 30 vjeçe • Diella Gutaj 10 vjeçe • Dafina Gutaj 3 vjeçe • Hajrie Gutaj 1 vjeçe