Flakët djegin nënën me 3 vajzat
• Ata kishin planifikuar të niseshin për në Gjakovë ku do të festonin Kurban Bajramin, pasi kishin qëndruar për 3 muaj në Shqipëri.Dashamir BiçakuPak orë para udhëtimit flakët u morën jetën katër vajzave dhe nënës së tyre. Sadetja 30 vjeçe, tri vajzat, Diella 10 vjeçe, Dafina 3 vjeçe dhe Hajria 1 vjeçe tashmë nuk jetojnë më. Tragjedia ka ndodhur në familjen e Haxhi Gutaj nga Gjakova. Mesnata e të martës duke u gdhirë dita e djeshme ka qenë fatale për nënën dhe vajzat, të gjithë mbetën të asfiksuar nga tymi në banesë, pas një zjarri të rënë aksidentalisht nga një ngrohëse elektrike e lënë ndezur. Ngjarja ndodhi në afërsi të rrugës "Komuna e Parisit" në Tiranë. Prej tre muajsh Haxhiu jetonte në kryeqytetin e Shqipërisë, pasi kishte mbërritur nga Gjakova për të gjetur një punë të mirë, ku mund të fitonte mjaftueshëm për të jetuar. Kushërinjtë e tij i kanë sugjeruar një banesë në rrugën "Komuna e Parisit", në një pallat shtatë katësh, përballë qendrës së vetëquajtur "Vakëfi Eleonorës". Në katin e shtatë të pallatit banonte Haxhiu, bashkë me gruan e tij, në një nga tri dhomat e apartamentit. Pasi kishte gjetur strehim për familjen, Haxhiu falë aftësive të tij si usta në ndërtim kishte nisur punë bashkë me kushërinjtë. Kishin marrë për suvatim një objekt, jo shumë larg shtëpisë. Dje brigada e tyre kishte punuar si zakonisht deri në orën 16:00. Kjo ishte dita e fundit e tyre përpara festës së Kurban Bajramit. Dje ata duhej të niseshin për në Gjakovë, ku dëshironin të festonin ditën e shënuar. Pasi kanë shkuar në banesat e tyre, janë takuar në mbrëmje sërish mes tyre në një lokal jo shumë larg shtëpive të tyre. Fillimisht bashkë me Haxhiun ka qenë edhe e shoqja, Sadetja, por që më pas është larguar në shtëpi, për shkak se kishte një fëmijë të vogël, Hajrien, për të cilën duhej të kujdesej më shumë se për dy vajzat e mëdha, Diellën dhe Dafinën. Bashkëshorti i saj Haxhiu dhe të afërmit e tjerë kanë vijuar të festojnë përfundimin e punës, përpara se të mendonin për udhëtimin e gjatë dhe të vështirë që duhej t'i priste ditën e djeshme. Për disa orë, mes miqve dhe kushërinjve dëfrimi ka vazhduar dhe ata kanë këmbyer urimet mes tyre dhe kthyer pijet deri vonë rreth orës 1:00 të mbrëmjes. Një prej të afërmve të Haxhiut, është ndarë me ta më shpejt dhe ka shkuar të pushojë në banesën e tij, që ndodhej gjithashtu në katin e shtatë të pallatit ku ra zjarri. Vetëm pak kohë, pasi miku i tij kishte mbërritur në banesë babai i tri vajzave që humbën jetën ka marrë një telefonatë: "Hajde urgjent se ka rënë zjarr në shtëpi". Vetëm disa minuta pas kësaj telefonate, Haxhiu ka mbërritur përpara pallatit, në lagjen Selitë pjesë e komunës së Farkës. "Ai mbërriti me një frymë këtu dhe ngriu në vend sapo pa tymin", tregon një banor i katit të dytë të pallatit. Sipas tij, ai u ngjit me vrap në ashensor, por gjithçka qe e kotë, ata kishin mbaruar. "Shtëllungat e tymit dilnin pa pushim nga vetratat dhe nga ballkoni, në krahun perëndimor. Ishte aq i dendur sa kushdo që do të ishte afër tij, mund t'i bllokohej frymëmarrja nga tymi", thotë Sania, një grua rreth 50 vjeçe, që banon pallat. Sipas saj, "nëse mund të ishte zbuluar më shpejt zjarri, edhe mund të kishin shpëtuar, por gjithçka u kuptua shumë vonë". Ardhja e zjarrfikëseve sipas dëshmitarëve të pallatit, ishte krejt e panevojshme pasi ata ishin të mbaruar.Dëshmitari: Zjarri u shua me tuba uji nga dritaret TIRANE - Xhezmi Seferi është një prej banorëve të pallatit, i cili pohon se ka dëgjuar mëngjesin e ditës së djeshme sirenat e zjarrfikësve dhe të policisë. "Isha shtrirë, pasi kisha shkuar në shtëpi. Nuk kishte shumë që më kishte zënë gjumi, kur dëgjova sirenat e zjarrfikësve dhe të policisë. Fillimisht mendova se ishte ndonjë emergjencë, apo ndonjë zjarr i vogël". Sipas Xhezmiut, sirenat sa vinin e shtoheshin dhe për këtë arsye doli të shikonte në ballkon. "Sapo dola në ballkon pashë që poshtë pallatit ishin mbledhur disa makina zjarrfikëse dhe furgonë të policisë. Nga kati i shtatë, ja, nga ato vetratat e bardha dilte tym pa fund. Zjarrfikësit u ngjitën me shkallë, ndërsa nga ballkoni ata fusnin tubat e ujit për të shuar zjarrin". Sipas tij, kjo nuk zgjati shumë, pasi zjarri u shua shumë shpejt prej zjarrfikëseve. "Ata nxorën trupat një nga një, i futën në veshje të errëta. I vunë aty poshtë pallatit, ndërsa i futën në ambulanca e i morën për në morg". Xhemziu, pronar i një lokali përballë pallatit të tragjedisë, thotë se ata vinin herë pas here aty, pinin ndonjë gjë dhe iknin. "Ishin tepër të rregullt", përfundon ai.“Paguanin 30 mijë lekë qira çdo muaj”Familja e Haxhi Gutaj, sipas banorëve të pallatit banonte prej tre muajsh në katin e shtatë të pallatit, që s'kishte shumë kohë që ishte përfunduar. Sipas banorëve, ata ia kishin marrë apartamentin me qira një personi me emrin Avdulla, ndërtuesi i pallatit. "I paguanin 30 mijë lekë të reja në muaj për apartamentin dhe jetonin thuajse të gjithë në një dhomë", pohon një burrë i thinjur rreth të 50-ve që banon në katin e dytë. "I kisha parë pak herë dhe shkëmbeheshim ndonjëherë me ta apo përshëndeteshim, kur ngjitej me familjen apo kur shiheshim në kafe".